E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO pret bashkëpunim në zhvillimin e sistemeve antirrakë

Rasmusen nuk dha asnjë koment lidhur mbi njoftimet e fundit mbi vendimin e Uashingtonit për të hequr dorë nga planet për dislokimin antiraketë në Evropën Lindore, pikërisht në Poloni dhe Republikën Çeke.

Ai theksoi se kishte biseduar sot me zyrtarë të lartë amerikanë, por nuk reagoi drejtpërdrejtë ndaj njoftimeve se Uashingtoni ka anuluar projektin e tij të mbrojtjes antiraketë në Poloni dhe Republikën Çeke, një plan që pati shkaktuar reagimin e ashpër të Rusisë.
    
"Kam përshtypje të qartë se planet amerikane për mbrojtjen antiraketë do të përfshijnë në të ardhmen edhe NATO-n në një nivel më të lartë. Vlerësoj lart këtë vendim dhe mendoj se është në përputhje të plotë me parimin e solidaritetit në radhët e aleancës dhe pandashmërisë së sigurisë në Evropë", deklaroi ai për gazetarët në Bruksel.
   
Ai theksoi se një bashkëpunim më i ngushtë në lidhje me mbrojtjen antiraketë do të ishte një hap pozitiv dhe në interes të "aleatëve tanë lindorë brenda NATO-s".
 
Polonia dhe Republika Çeke janë dy ndër vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore që u anëtarësuan në aleancën ushtarake perëndimore, pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik.
    
NATO po zhvillon plane të mbrojtjes nga rakete me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi dhe në të kaluarën ka bashkëpunuar me Rusinë për të garantuar që sisteme të tilla mund të punojnë në mënyrë të bashkërenduar.
    
Uashingtoni kishte deklaruar se plani për ndërtimin e mburojës antiraketë në Poloni dhe Republikën Çeke synonte garantimin e mbrojtjes nga sulme të mundshme me raketa kundër Evropës nga shtete si Irani dhe Koreja e Veriut.
    
Anulimi i planit për dislokimin e sistemit të mbrojtjes antiraketë në shtetet e ish-bllokut sovjetik mund të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe Rusisë.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›