E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO si faktor themelor i sigurisë globale

06-02-2013 / Nga Ilirian Dahri

Është quajtur me të drejtë si “eksodi i heshtur” por shifrat e këtij eksodi në të vërtetë janë shumë të larta. Në vitin e kaluar janë numëruar të paktën rreth 50 mijë refugjatë edhe pse qeveria afgane ka punuar dhe vazhdon të punojë shumë me këtë fenomen. Jepen mesazhe që kërkojnë të japin optimizëm për jetën në Afganistan por gjithsesi duket se pasiguria është një prej elementëve bazë që favorizon ikjen e popullsisë e këtij vendi. Krahasuar me vitin 2011, duket se shifra është dyfishuar sipas të dhënave të Ministrisë për refugjatët dhe për kthimet në Kabul. Natyrisht pjesa më e madhe e tyre kanë si destinancion Europën dhe jo vetëm atë perëndimore. Nga ana tjetër ka shumë nga ata që kërkojnë të shkojnë në vende të zhvilluara dhe të largëta si Australia por nuk ngurrojnë që të fillojnë një jetë të re edhe në vendet afër vendit të tyre si Pakistani apo edhe Irani. Sidoqoftë duhen para për t’u shndërruar në një emigrant në Europë apo gjetkë. Vështirësitë janë të shumta sepse një shtetas afgan ka vështirësi të paiset me vizë dhe në këtë rast kanë lulëzuar organizata të ndryshme që përfitojnë shuma nga 10 mijë deri në 15 mijë dollarë. E ardhmja  e popullit afgan duket e errët tashmë që edhe Nato po përfundon misionin e saj në Afganistan. Nganjëherë një pjesë e popullsisë së emigruar në vendet fqinje ka sjellë edhe për vetë pritësit tensione jo të vogla. Shifrat e Kombeve të Bashkuara tregojnë aktualisht se një e treta e refugjatëve në botë janë afganë. Shifra alarmante që kanë rritur punën e qeverisë afgane e cila ka nisur ndërkaq një fushatë për të parandaluar këtë fenomen. Në bashkëpunim edhe me vendet e tjera qeveria afgane ka filluar të hedhë fletushka të cilat përmbajnë barka të përmbysura me refugjatë të mbytur duke ndërhyrë nga ana tjetër edhe me spote televizive sidomos në orët me audiencën më të lartë. Një vend ky, i njohur me emigracionin mjafton të kujtohet ai i viteve pas “pushtimit” sovietik kur rreth 5 milionë afganë lanë vendin e tyre për të ikur edhe atëherë përsëri në vendet fqinje. Ishin 10 vite plot lot dhe brenga siç ndodh shpesh kur një vend goditet nga fenomeni i emigracionit dhe në kufijtë e Iranit dhe të Pakistanit shfaqeshin dita – ditës emigrantët afganë. Emigrimi u ndërpre për disa vite për të nisur sërish pas pushtimit të Kabulit nga talebanët në vitin 1996. Kur ushtarët dhe forcat e Natos risollën shpresën në një popull të përvuajtur në fund të vitit 2001, shumë prej tyre filluan të rikthehen përsëri në tokat e tyre. Nëpërmjet këtij veprimi perëndimorët e ndihmuan popullsinë e Afganistanit. Por tashmë përsëri janë vënë në punë trafikantët pakistanezë të cilët duke parë dëshirën e madhe të popullsisë për të ikur kanë filluar të riorganizohen. Një situatë e dhimbshme për një popull që po përpiqet të ngrejë, edhe pse në një mori vështirësish, një shtet sa më funksional. Interesant dhe i dhimbshëm në të njëjëtën kohë është fakti që një prej komandantëve të forcave aleate në Kabul J. Allen  ka deklaruar teksa linte detyrën. “Në një lloj mënyre më duket se do të lë familjen time në një fat të errët”.  Sidoqoftë në krye të forcave aleate gjenerali ashtu si edhe gjeneralët e tjerë të aleancës kanë punuar me përkushtim duke arritur progres të madh. Ndërkaq në Afganistan dhe sidomos në zonat ku janë korrur fitore strategjike tashmë duhet që afganët të mësohen me mungesën e qeverisë qëndrore. Vende si Britania e madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pregatitur ndërkaq që personat që kanë punuar si përkthyes apo me detyra të tjera të shkojnë drejt vendeve perëndimore. Por kërkesat janë të shumta sepse kërkohen shpërngulje familjare. Edhe një vend i Bashkimit Europian si Franca është shprehur në favor të njerëzve që kanë bashkëpunuar me perëndimin dhe në veçanti të asaj pjese që ka bashkëpunuar me ushtrinë franceze. Vetë presidenti francez F .Hollande ka qenë i interesuar për këtë dhe një pjesë e tyre kanë mbërritur ndërkaq në Paris në muajin janar. Shteti francez i ka garantuar shtëpinë, punën dhe shërbimin shëndetësor. Sipas shtypit francez, flitet për 170 afganë, gjysma e të cilëve përkthyes të cilët kanë punuar me trupat franceze që prej vitit 2008. Gjermanët nga ana e tyre duken se kanë akoma dhe më tepër “probleme” me rreth 3 mijë ish ndihmës të cilët kërkojnë të marrin me vete edhe familjarët e tyre që sipas autoriteteteve gjermane mund të arrinin në shifrën e 15 mijë  refugjatëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›