E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, trupa shtesë në Kosovë. Thaçi: S’do lejomë prekjen e kufirit. Berisha: Të gatshëm të ndihmojmë KFOR-in

03-08-2011 / Gazeta 55

Sot pritet të arrijë në Kosovë një pjesë e kontingjentit të ri të trupave shtesë të NATO-s. Gjermania dhe Austria i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së NATO-s, për dërgimin e trupave shtesë në Kosovë, pas përkeqësimit të situatës në veri të vendit. Kontigjenti i përbërë prej 700 ushtarësh të NATO-s do të vijnë së shpejti në Kosovë. Një pjesë e këtij kontongjenti pritet të arrijë sot. Gjermania do të dërgojë 550 ushtarë, ndërsa Austria 150 trupa. Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Diter Vihter tha se forca kryesore do të arrijë gjatë ditëve të ardhshme. “Do të arrijnë sot, mirëpo forcat kryesore do të arrijnë ditët në vijim”- tha ai. Nga ana tjetër gjendja në veri paraqitet të jetë e qetë por me tensione. Gjatë orëve të mbrëmjes ka pasur takime në mes të komandantit të KFOR-it Erhard Byhler me përfaqësuersit serb por pa ndonjë rezultat. Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Diter Vihter tha se takime të tilla do të vazhdojnë edhe sot, por nuk saktësoi kohën dhe formatin e takimit. “Ata do të takohen sot por nuk mund të konfirmoj vendtakimin”- tha ai. Serbët edhe mbrëmë kanë qëndruar pranë barrikadave, ndërsa në Rudare, gjatë natës ata kanë vënë një kryq prej shtatë metrash. Zyrtarët serb Borislav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq sot herët në mëngjes kanë zhvilluar takime me zyrtarët lokal serb të Zveçanit. Ndërsa, mediave serbe u kanë thënë që takimet me komandantin e KFOR-it do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe se pala serbe do të dalë me propozim konkret.

Kryeministri Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka rikujtuar Serbisë, por edhe Bashkimit Evropian se prekja e kufirit të Kosovës, mund të hapë temën e kufijve në gjithë rajonin e Ballkanit.
Ai ka përsëritur se edhe pas zhvillimeve te reja në veri të Kosovës, nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen “status-quo”. Në mbledhjen urgjente të qeverisë së Kosovës, kryeministri i ka bërë të qarta vijat e kuqe në dialog me Beogradin, ndërkohë që tha se ndërmjetësit të bisedimeve, Rober Kuper i ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për integrimet evropiane.

Kryeministri Berisha
Shqipëria është e gatshme të rrisë kontributin e saj në njësitë e KFOR-it, por jo në zonat më të nxehta të Kosovës. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë duke iu referuar situatën në veri të Kosovës ndërsa shtoi se prania e KFOR-it në veri është një faktor madhor paqeje dhe stabiliteti jo vetëm në Kosovë, por dhe në rajon.
Kryeministri Berisha gjithashtu i konsideroi aktet në veri të Kosovës si veprime të një grushti kontrabandistësh, aventurierësh, kriminelësh dhe fallangash të Serbisë së Madhe, që kërcënojnë rendin kushtetues të një vendi të lirë dhe demokratik. Berisha inkurajoi të dyja palët të nisin dialogun me tyre si në interes të dy vendeve. “Ne bëjmë thirrje që këto zhvillime të mos shënojnë një bllokim të procesit të negociatave mes dy vendeve, pasi ky është interesi më i mirë për rajonin”- tha kryeministri duke shtuar se është rasti që Beogradi të faktojë se është shkëputur nga ankthi i Serbisë së Madhe.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›