Rritja e investimeve të huaja, Berisha: Qeveria mbajti premtimin, rezultat i modelit ekonomik të Shqipërisë

Në gjashtë vitet e fundit investimet e huaja në Shqipëri kapin shifrën e 4 miliard dollarëve. Bashkia e Tiranës do kthehet në motorrin e thithjes së investimeve të huaja
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se “rritja e investimeve të huaja në Shqipëri tregon modelin e suksesit ekonomik të ndërmarrë nga qeveria”. Duke iu referuar raportit të PNUD-it i cili e radhiti Shqipërinë si vendin e dytë në Europën Juglinore me investimet e huaja më të larta, Berisha theksoi se “gjatë 6 vjetëve të fundit investimet e huaja kapin shifrën prej 4 miliard dollarësh”. Sipas tij, me rritjen e investimeve të huaja është arritur të përmbushet edhe një nga premtimet më themelore të qevrisë, atë të shndërrimit të Shqipërisë në vendin më tërheq për investimet e huaja në rajon dhe më gjerë ndërsa shtoi se Shqipëria në vitin 2010 ishte i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja.
“Në rast se në vendet e tjera investimet e huaja për shkaqe të njohura kanë pësuar rënie, kjo nuk ka ndodhur tek ne. Në Shqipëri investimet edhe në vitin 2010 janë rritur. Pra u realizua njëri prej objektivave më madhorë të kësaj qeverisjeje, krijimi në Shqipëri i mjedisit më miqësor të mundshëm për investimet dhe biznesin. Investimet e huaja, çdo dy vjet janë dyfishuar çka koiçidon në mënyrë shumë impresionuese me trefishimin e eksporteve të vendit. Këto investime janë kryesisht në industrializimin e vendit, proces që po ndodh bazuar mbi teknologjitë më moderne”- u shpreh Berisha.
“Imagjinoni se çfarë ndikimi negativ kanë patur prtotestat në Tiranë. Çfarë ndrojtje kanë sjelle, por megjithatë ajo që është themelore është se ato nuk kanë arritur të humbin besimin e investitorëve tek Shqipëria”- theksoi më tej Berisha.
Gjithashtu Berisha është shprehur optimist se bashkia e Tiranës dhe kryetari i ri i saj do të bëjnë të mundur që kryeqyteti të kthehet në një lokomotivë të shpejtë të tërheqjes së investitorëve të huaj. “Nëse për 11 vite qytetarët nuk kanë dëgjuar fjalën investime të huaja direkte në kryeqytet, kryetari i ri ka të gjithë potencialet për ta shndërruar atë në një lokomotivë të shpejtë të tërheqjes së investimeve të huaja në Tiranë”- deklaroi më tej shefi i qeverisë Sali Berisha.
Ai gjithashtu i bëri thirrje të gjithë kryetarëve të bashkive dhe komunave në vend që të kapitalizojnë këtë sukses të qeverisë për investimet e huaja. “Zotoheni dhe të ftoni dhe për të mbështetur investimet më përparësi absolute në komunat dhe qeveritë ku qeverisni. Potencialet e vendit janë të jashtëzakonshme dhe është në përgjegjësinë tonë të bëjmë gjithçka për t`i shndërruar ato në vlera”- theksoi Berisha.