Presidenca e BE: Gjithçka e mundshme që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE

“Ngërçi politik, sipasojë e mungesës së konsensusit politik mes palëve dhe pretendimeve komplekseve e të paqarta të vetë forcave politike, ka shkaktuar atë që Bashkimi Evropian e etiketon si pengesë të madhe për “pocesin e integrimit” evropian të Shqipërisë”. Ambasadorja e Polonisë në Tiranë Irena Tatarzynska, vendi i të cilës mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, përmes një interviste për programin në shqip të “Deutsche Ëelle”, bën thirrje për nisjen e dialogut politik në parlament, në të mirë të realizimit të kushteteve të Brukselit, për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Tani që zgjedhjet lokale për Tiranën janë një kapitull i mbyllur mendoj se është koha për t’u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit, për të bërë të mundur përgjigjen pozitive për 12 aspektet e indentifikuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë. Gjykuar në aspektin teorik them se nuk ka asnjë vështirësi në arritjen e këtyre objektivave. Kjo për vetë ekzistencën e një klime mbështetjeje në shkallë të gjerë të opinionit të brendshëm shqiptar për procesin e integrimit në BE, por dhe sepse këtë proces partitë kryesore në vend e kanë shpallur prej kohësh si prioritetin e prioriteteve në progamet e tyre sa i takon pjesës për politikën e jashtme”- u shpreh ambasadorja polake.
E pyetur se sa shanse ka Shqipëria që brenda presidencës polake të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, Tatarzynska theksoi se shanset që vendi të marrë statusin e kanditatit për BE janë tërësisht në dorën e shqiptarëve.
“Është një rregull i përgjithshëm për cilindo vend aspirant që vlerësohet nëse do të jetë ose jo anëtar i BE-së vetëm në bazë të meritave. Kur do të përmbushen detyrimet? Kuptohet që kjo është në dorën e politikanëve shqiptare dhe të qeverisë. Bashkimi Evropian dhe Presidenca Polake në mënyrë aktive dhe të pandërprerë janë në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë. Dhe ajo që pritet është plotësimi i kushteve që janë të qarta nga pala shqiptare duke i shoqëruar angazhimet në deklarata e dokumente me rezultate konkrete dhe të prekshme. Pra kjo kërkon në rradhë të parë përkushtimin e vendit aspirant”- theksoi Tatarzynska.
Ndërkohë e pyetur edhe për reformën zgjedhore, Tatarzynska theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë mjaft të rëndësishme në mënyrë që qytetarëve t’i sigurohet dhe garantohet e drejta e votës.
“Zgjedhjet janë një faktor determinant në vendosjen e shtetit ligjor dhe të demokracisë. Çdo qytetari duhet t’i sigurohet e drejta e votimit, duhet t’i sigurohet zhvillimi i një procesi transparent dhe i ndershëm për palët. Në themel të këtij aspekti qëndron hartimi dhe miratimi i një kodi elektoral që garanton zgjedhje të lira dhe demokratike. Në mënyrë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar është apeluar disa herë që përmirësimi i kodit të bëhet në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Këto qëndrime tregojnë qartë për rëndësinë që ka realizimi i reformës zgjedhore në Shqipëri”- përfundoi Tatarzynska.