E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDIHMES BAGERISTAT E KAPUR

Sadri Ferati e ka kuptuar se me përfaqësuesit serbë bashkëpunim ka vetëm nëse u jep territor. Prandaj, ai insiston aq shumë në decentralizimin e Kosovës josovrane. Koncepti themelor politik i Beogradit është territori, anipse u bë një dekadë që kanë përfunduar luftërat. Ato që në Kroaci quheshin Zona Autonome Serbe (por që s‘arritën të realizohen), ato që në Bosnje quheshin kantone dhe Republikë Serbe (dhe që u realizuan), në Kosovë po ato tani quhen komuna të reja me shumicë serbe (dhe pritet të realizohen).

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, është bageristi i kësaj pune. Sadri Ferati, sikurse tek ajo shakaja e famshme, është ndihmësbagerist: aty ku s‘futet dot bageri për shkak të madhësisë së tij, Sadriu i përvjel mëngët dhe i kap qyrekun e kazmën. Ai ka nisur t‘i krijojë ekipet përgatitore për decentralizimin nëpër komuna, duke iu ofruar paga edhe mbi 500 euro atyre që inkuadrohen. E, gjithmonë ka njerëz që blihen tamam sikurse mallrat. Jo pse ata janë të varfër meqë s‘para ka të varfër në ato ekipe. Por, më parë, për shkak se u ka hyrë krimbi i lakmisë dhe luksit. Ja se si është arsyetuar një anëtar shqiptar i këtyre ekipeve përgatitore në një bisedë private: "Më mirë të jem unë sesa dikush tjetër!" Pra, ai disi e pranon se po bën një punë të pandershme, por konsideron që çdokush tjetër do të ishte edhe më i pandershëm se ky në atë post. Ose, ndoshta beson që të tjerët nuk dinë t‘i shndërrojnë në kënaqësi ato 500 euro sikurse që di ky. Sido që të jetë, bëhet fjalë për ndihmës të ndihmësbageristit. Aty ku s‘depërtojnë as lopatat e kazmat, aty shkohet me çekiçë, dalta e pyka, madje të të njëjtit material prej të cilit është edhe terreni që duan ta rrafshojnë.

Po të dëshironin sinqerisht Pieter Feithi e Sadri Ferati që ta përfshijnë popullatën në këtë proces, atëherë do të organizonin referendum dhe do ta kishin demokracinë në anën e tyre. Mirëpo, jo. Ata e dinë se decentralizimi s‘do të kalonte kurrsesi te qytetarët po të pyeteshin ata, prandaj popullata konsiderohet si një trup fizik që duhet formësuar me forcën e pushtetit - me bagerin që fshin përpara, ndihmësbageristin që rrëmih dhe ndihmësit e ndihmësbageristit që prejnë e thyejnë pengesat.

Mirëpo, nëse këta ndihmësit e ndimës-bageristit janë të motivuar nga paratë për të cilat janë shitur, a vlen e njëjta edhe për ndihmës-bageristin Ferati, apo ndoshta ka edhe diç më shumë aty? Për Sadri Feratin dhe qeveritarët e tjerë me në krye me Hashim Thaçin, në Shqipëri e kanë një shprehje të goditur. Ata janë të kapur. Ata i kanë kapur. Sikur peshqit kur kapen nga peshkatarët. Asnjëherë s‘kam dyshuar se ndërkombëtarët s‘janë peshkatarë të zotë. Sejdiu, Thaçi, Ferati e ndihmës-bageristët e tjerë janë si ata peshqit që rrinë të qetë, anipse të kapur. Shpresojnë në mëshirën e peshkatarëve. Por, kjo s‘është e mundur tashmë. E kanë kafshuar karremin. Karremin e kanë në lukth. As peshkatarët s‘kanë se çfarë u bëjnë. Uhh...

Siç e dimë, tash e 10 vjet regjimi ndërkombëtar i toleron strukturat e Serbisë për hir të stabilitetit (duke mos i arrestuar ata), e, në anën tjetër, e tolerojnë edhe korrupsionin e politikanëve kosovarë sërish për hir të stabilitetit (duke fituar dëgjueshmërinë e tyre). Ka aq shumë faktorë ndërkombëtarë që ndikojnë në Kosovë më shumë sesa qeveria e Kosovës. Dhe, po ata faktorë, për çështjen e Kosovës, ndikojnë më shumë në qeverinë e Kosovës sesa që qeveria e Kosovës ndikon tek ata për çështjen e Kosovës. E, të mos flasim për shpërputhjen drastike ndërmjet faktorëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve të Kosovës sa i përket ndikimit të secilit prej këtyre në qeverinë e vendit.

Rasti më eklatant është përsëri ai i Sadri Feratit. Sadri Ferati dështoi ta integrojë Mitrovicën si kryeshef ekzekutivi atje, i humbi zgjedhjet lokale në vitin 2007 në Mitrovicë, dhe për të gjitha këto u shpërblye me postin e ministrit të administrimit të pushtetit lokal me mision që ta decentralizojë Kosovën. Dhe tash, mu ky Sadri Ferati, në fushatën e tij me paratë tona, u premton serbëve se do t‘ua bëjë jetën më të mirë atyre, ndonëse ata qysh tash jetojnë më mirë se shqiptarët dhe e dinë se çfarë jete kjo qeveri ua ka bërë shqiptarëve në Kosovë. Serbët mendojnë se maksimumi i jetesës së tyre në rast të bashkëpunimit me qeverinë e Kosovës është kjo që kanë shqiptarët, ndërkohë që ata tashmë i kanë kushtet më të mira se kaq.

Megjithatë, serbët e zakonshëm në Kosovë duhet ta paguajnë këtë mirëqenie me lojalitet absolut ndaj Beogradit. Edhe nëse do të kishim serbë në Kosovë që do të rebeloheshin ndaj diktatit të qeverisë së Serbisë, qeveria e Kosovës s‘do t‘i mbronte dot ata sepse ajo s‘është në gjendje të mbrojë asnjeri tjetër përveçse vetvetes nëpërmjet servilitetit. Jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në Graçanicë strukturat paralele të Serbisë ua ndërprejnë marrëdhënien e punës arsimtarëve, mjekëve e zyrtarëve të tjerë aty, shpallin konkurse dhe pranojnë njerëz të tjerë në vend të tyre, pra, lëshojnë vendime ekzekutive sikurse një qeveri. Është qeveria e Kosovës ajo që s‘po mund të bëhet qeveri aty. Në një situatë të këtillë çfarë e kemi në çerekun e territorit, Sadri Ferati po i shndërron ata në komuna autonome në llogari të komunave aktuale që janë me shumicë shqiptare. Mbi të gjitha, metodën ai e ka krejtësisht të gabuar: duke iu dhënë serbëve s‘i merr dot ata. Kështu pat menduar edhe Lutfi Haziri, i cili ofronte një herë një komunë, mandej dy, mandej tri, me shpresë se Serbia do të ngopet. Mirëpo, ajo e merrte atë që mund të merrte dhe e shfrytëzonte këtë si platformë për kërkesa të reja dhe më të shumta. Ofertat që institucionet e Kosovës ua kanë bërë e ua bëjnë serbëve ata kurrsesi nuk i përjetojnë si ndofarë gjeneroziteti kosovar, por si arritje të kokëfortësisë së tyre serbe.

Vetëm nëse qeveria e Kosovës do t‘ua ndalte tutelën dhe kërcënimin që serbëve të Kosovës u vjen nga Serbia, pra, vetëm duke i arrestuar njerëzit kryesorë të strukturave paralele, vetëm atëherë do të mund të krijohej terreni për integrimin e serbëve. Në fakt, po ua hoqe serbëve strukturat paralele, nuk ka nevojë që t‘i integrosh me komuna të reja, sepse ata do të integrohen në komunat ekzistuese. Komunat e reja janë të lidhura pikërisht me strukturat paralele, me territorin që ato e kontrollojnë. Mirëpo, aktualisht, pushteti vendor në Kosovë është orkestër e këtyre ndihmës-bageristëve të kapur. Dhe, për pasojë, më shumë ka gjasa që strukturat e Serbisë në Kosovë ta arrestojnë ndonjë shqiptar sesa qeveria e Kosovës ta arrestojnë ndonjë zyrtar të këtyre strukturave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›