E Diel, 1 Nëntor 2026

Pjesëmarrje e koleksionistëve Shqiptarë në Ekspozitën Europiane të Filatelisë

U zhvillua në Sofje të Bullgarise, nga data 27 deri me 31 maj 2009, ekspozita Europiane e Filatelisë, "Bulgaria 2009", në të cilën morën pjesë 41 Federata e Shoqata të shteteve europiane si dhe Kanadaja, SHBA, Izraeli dhe Egjypti (të ftuar) . Koleksionistët Shqiptarë u përfaqësuan me tre koleksione: Bajram Peçi, njëherësh dhe Komisar për Shqipërinë, u paraqit me 5 stenda të klasit "Filateli Tradicionale"; Vasil Xhitomi, me 5 stenda të klasit "Revenue" (pulla e dokumente monopoli); Nikolla Xharo, me 1 stendë, me tematikë "Pulla e shërbime postare në Shqipëri, në periudhën e luftës së 1-rë Botërore". Ekspozita europiane, me rreth 3000 stenda ekspozimi, u organizua në pallatin e kulturës të kryeqytetit bullgar. Në ceremoninë e çeljes asistoi Presidenti i Republikës Bullgare, z.Georgi Parvanov, kujdestari i nderit të kësaj veprimtarie; Ministri i Transportit, z.Petar Mustafchiev; Ministri i Postave, z. Encislav Harmandjev; Drejtori i Agjencisë kombëtare për Teknollogjinë dhe Shkencat, z. Plamen Vatchkov; Presidenti i FIP (Federata Ndërkombëtare e Filatelisë), z.Jos wolff; Presidenti i FEPA (Federata Europiane e Filatelisë), z.Jorgen Jorgensen e të tjerë personalitete bullgare dhe europiane. Urimin e mirëseardhjes dhe fjalën e rastit e mbajti Presidenti i Bashkimit të Shoqatave Bullgare të Filatelisë, z.Spas Panchev.

Juria ndërkombëtare vlerësoi, për koleksionet e paraqitura z.Vasil Xhitomi me medaljen "Argjënd i Madh", që ishte dhe vlerësimi më i lartë për pjesëmarrsit Shqiptarë, si dhe N.Xharo e B.Peçi me "Argjënd" e "Argjënd-Bronx". Parimi i vlerësimit të jurisë, për koleksionistët Shqiptarë, u mbështet në elementet e paraqitjes, të rrallësisë dhe vërtetimit të autenticitetit me çertifikatat e ekspertve, një çështje kjo që u bë shkas për të paraqitur para jurisë opsionet për një vlerësim në medaljet "Argjend". Medaljet e marra nga filatelistët shqiptarë, pas atyre të marra në Kinë në muajin prill, përbëjnë një arritje dhe tregues të vazhdimësisë së pjesëmarrjes e ngritjes së nivelit e të cilësisë.

Për vitin 2009, e fundit veprimtari në të cilën Federata e Koleksionistëve Shqiptarë, me koleksionistët e saj do marri pjesë, do jetë në Romë, nga datat 21 deri 25 tetor. Ju urojmë sukses.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›