E Diel, 1 Nëntor 2026

NIKOZIA – Macron: Nuk do të merrem më me politikë pas largimit nga Elysee

NIKOZIA, 23 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi sot se nuk do të merrej më me politikë pasi të largohej nga Pallati Elysee në vitin 2027, pas 10 vitesh në krye të shtetit.

“Unë nuk kam bërë politikë më parë dhe nuk do të bëj as pas kësaj”, u shpreh ai gjatë një bashkëbisedimi me nxënës në shkollën franko-qipriote në Nicozia, ku ndodhej për një vizitë zyrtare përpara një samiti informal evropian.

Presidenti Macron pranoi gjithashtu se pjesa më e vështirë e fundit të mandatit të tij të dytë është mbrojtja e bilancit të qeverisjes, ndërsa njëkohësisht duhet të ruajë energjinë për të përmirësuar çështjet që nuk kanë shkuar mirë.

“Ajo që është më e vështirë pas nëntë vitesh është të ruash atë që ke bërë mirë dhe të përpiqesh të shkosh më tej, por ndonjëherë duhet të rikthehesh te gjërat që nuk i ke bërë siç duhet”, theksoi ai.

Presidenti francez iu përgjigj një pyetjeje të një nxënësi që e pyeti se kur kishte dashur të bëhej president dhe nëse ende e motivon përparimi i Francës.

Ai u shpreh se dashuria për vendin dhe interesimi për jetën publike nuk mjaftojnë për të qenë president.

Macron theksoi se motivimi i tij ka qenë gjithmonë realizimi i ideve dhe përparimi i Francës dhe Evropës, duke e cilësuar politikën si një çështje pasioni dhe përkushtimi ndaj vlerave që ai beson.

Dy mandatet e tij janë shoqëruar me sfida të mëdha, përfshirë protestat e lëvizjes së “jelekëverdhve”, menaxhimin e pandemisë me masa të gjera mbështetëse për ekonominë dhe reformën e pensioneve që rriti moshën e daljes në pension në 64 vjeç, duke shkaktuar kundërshtime të forta sociale.

Vendimi i tij për të shpërndarë parlamentin në vitin 2024 ka sjellë një periudhë paqëndrueshmërie politike, me një Asamble Kombëtare të ndarë në disa blloqe dhe pa shumicë të qartë./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›