E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJË “LËMOSHË METAFORIKE” PËR NËNËN TEREZË



Nga Fadil LUSHI

Të nderuar lexonjës.

Që kur fillova ta shkruaj këtë shkrim, i thash një miku tim (që i ka ikur arsyeja) se kryefjala e opinioneve të mia do të jetë një Nënë e Madhe. Dhe ai do të më thotë se këto (opinione) i kam paksa të vonuara, klandestine dhe thjesht jo aktuale.

Ca javë më parë në hapësirat e kryeqytetit të një shteti biblik, do të organizohej një manifestim sa “kulturor”, po aq edhe politik; sa “humanizues”, po aq edhe deemancipues... , një manifestim që karakterizohej me dëshira tekanjoze dhe dekadente, manifestim fundor, belbëzues, cinik, i zbehtë, i gjymtuar, mashtrues dhe me pak dashuri; ishte një takim që mbolli hidhërimin te intelektualët dhe qytetarët e rëndomtë shqiptarë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Ishte një manifestim ku u ngatërruan emrat, identitetet, vendndodhjet, vendlindjet, gjenealogjitë, prejardhjet, religjionet... Në këtë manifestim duhej të thuhej e vërteta dhe vetëm e vërteta. Ajo nuk u tha! Ca njerëz thanë se gjithë kjo iu “dedikua” shenjtores Gonxhe Bojaxhiu, respektivisht humanistes Nënës Terezë, një nënë e cila me një devotshmëri të pakrahasueshme dhe me një sui generis, i shërbeu varfërisë, një Nënë “…që ka Pasaportë të Krenarisë së Kombit” me të cilën shqiptarët, sot e gjithë ditën, kanë të drejtë të krenohen. Është një Nënë që shkëlqeu në avllinë e skamnorëve dhe në veçanti në atë të jetimoreve. Një humaniste që gjithmonë thoshte se krejt këtë e bëra në emër të njerëzimit, në emër të vendlindjes dhe, në emër të Zotit. Se ç’bëri kjo Nënë për njerëzimin, unë nuk mund të vazhdoj të kallëzoj, sepse për të kallëzuar diç më tepër për atë Nënë, duhesh të kesh këllqe, këtë le ta bëjnë ata që janë specialistë në njohjen e filozofisë dhe karakterit së saj. Mua më mbetet të them vetëm disa fjalë kundrejt shtrembërimit dhe ofendimit të radhës që i bëhet identitetit kombëtar të Gonxhes, ndaj një emri që edhe kësaj radhe njerëz të pandehur do të bëjnë përpjekje për ta shkëputur padrejtësisht dhe barbarisht nga historia kombëtare e saj... kundrejt një figure emblematike shqiptare që u dha shembuj “njerëzve primitivë dhe ulëritës” se si ndërtohet humanizmi dhe kozmopolitizmi, ndonëse fjalët “primitivë dhe ulëritës”, gjatë jetës së saj, asnjëherë nuk i shqiptoi. Ky shtrembërim do të bëhet nga shkupjanët të cilët sot e kësaj dite të Perëndisë duke u ballafaquar me anarkinë e tyre patriotike, morale, gjuhësore dhe historike, o do të harrojnë o nuk do të duan që shkencërisht ta konceptojnë gjuhën e të folurit dhe fjalorin e shpirtit të saj. Kjo plagjiaturë është produkt i një paragjykimi të gjeneralizuar dhe i një nacionalizmi të sëmurë maqedonas, si dhe një pararojë e qëndrimit anti-Terezë, antishkencor dhe antishqiptar! Sidoqoftë, në instancë të fundit: “Emri i saj prej bamirëseje tingëllon njësoj si emri i gjithë shqiptarisë”, tingëllon ashtu si gjuha e folur shqipe. Ky manifestim kishte mbështetjen e institucionit siç është Ministria për Kulturë, si dhe mbështetjen e politikanëve dhe historianëve alamet shkupjanë, të cilët duke jetuar të shkëputur nga realiteti objektiv, tani si përherë, do të marrin rrugëtimin pa krye e të gabuar, rrugën e makiavelizmit e të plagjiaturës, me qëllim për të shtrembëruar, abuzuar dhe denigruar gjithë historiografinë shqiptare dhe tërësinë e veprave historike të Nënës së skamnorëve. Se me paratë e kujt u organizua ky manifestim, e di vetëm dreqi. Ky institucion, që edhe pas 18 vitesh kalon nëpër një tranzicion të pafund, prap se prapë nuk arrin dot të ndërtojë një politikë që do të kishte një fizionomi karizmatike. Është një ministri që kalon nëpër një tranzicion të çuditshëm, por që reprodukton edhe një politikë po aq edhe të çuditshme, një kulturë që sot e kësaj dite nuk arrin dot të ushtrojë e as të zotërojë asnjë autoritet, një kulturë me një perspektivë të paqëndrueshme, spekuluese, me njerëz që janë ustallarë ndaj nëpërkëmbjes së figurave historike shqiptare, një kulturë që do t’i mungojë një brez i përfillshëm që do të jetë i gatshëm të respektojë dhe nderojë kulturën dhe kujtimin e të tjerëve. Është një kulturë me një histori të përmbysur, një kulturë që nuk arrin dot të konkurrojë kulturat përreth. Është një kulturë që i mungon kryeqytetaria dhe që ngel përgjithmonë në oborrin e një provincializmi katundaresk ballkanas, dhe jo ilirik. Një kulturë që ndërtohet dhe ushqehet në tavolinat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve maqedonase respektivisht, të shtetit biblik të Shkupit. Është një kulturë e okupuar nga politika aktuale. Thjesht, është një kulturë që është përjashtuar nga imazhi i kulturës evropiane. Dhe pavarësisht se kjo ministri çfarë është, tok me politikën aktuale dhe shtinjake, fillimisht do të tentojnë ta zhvendosin vëmendjen tonë, që mandej të synojnë (ky tundim i tyre është mjaft i rrezikshëm) që Nënës sonë dhe të gjithë varfanjakëve të botës t’i japin një “lëmoshë metaforike dhe të papërfillshme”, duke i ndërtuar një shtëpi, në një hapësirë të zhvendosur dhe joautoktone, një shtëpi që nuk mund të karakterizohet me asnjë element të arkitekturës shqiptare. Është një shprehje proverbiale shqiptare, ku pos tjerash thuhet: “Më mirë një kokërr me djersë se një thes lëmoshë”, qoftë edhe lëmoshë falsifikatorësh. Kjo shtëpi e shndërruar në lëmoshë do të thotë një ofendim i radhës. E gjithë kjo zallahi e madhe dhe e kurdisur, me siguri se u krijua për inat të retrospektivës dhe perspektivës shqiptare dhe ky banalitet për prapavijë ka mungesën e informacioneve, në lidhje me biografitë, gjegjësisht gjenealogjitë e figurave shqiptare, duke filluar nga figura e Skënderbeut dhe duke përfunduar me figurën e Nënës Terezë. Kjo qasje e tyre kundrejt përvetësimit të personaliteteve të shquara historike në fjalë pa dyshim se është një përvojë e panjohur jo vetëm për Ballkanin ilirik por, është e panjohur edhe për përmasat botërore.

Për ta përfunduar këtë shkrim, mua do të më duhet të parashtroj edhe disa dëshmi që do të shkojnë në favor të opinioneve të mia dhe opinionbërësve të tjerë shqiptarë se një shtet që vazhdimisht trumbeton procesin e integrimit në BE dhe struktura të tjera euroatlantike, atë nuk mund ta bëjë me një qëndrim përbuzës e mospërfillës kundrejt të tjerëve, me klithje shoviniste, me lakim të historisë, gjuhës dhe identiteteve të figurave historike të popujve të tjerë. Tekefundit, nëse kësaj nuk i besojnë, atëherë le t’u drejtohen qindra e mijëra veprave të shkruara nga joshqiptarë, për Skënderbeun dhe Nënën Terezë, me qëllim për të hetuar fakte se cila ishte prejardhja e tyre nacionale. Nëse këtë nuk e bëjnë, atëherë edhe më tej do t’u merret fryma dhe do të ngelin të verbuar nga shpirtvogëlsia dhe megalomania e tyre, duke ngelur njëherë e përgjithmonë jashtë familjes së madhe demokratike evropiane. Ata gjithsesi duhet ta lënë mënjanë katandisjen, sepse katandisja dëmton shëndetin e mendjes. Historianët e Shkupit duhet të esëllohen, përndryshe do të bëhen hor dhe të denjë për atë urtësinë popullore: “O harbut, more burrë, me të hekë shtatë lëkurë, fisnik s’bëhesh kurrë”! Ky shkrim imi, sipas mikut tim, ndonëse i vonuar, bëhet për faktin që mbamendja dhe mendja jonë mos të mbetet e vonuar. Kur tekanjozët shkupjanë definitivisht do ta njohin mirë figurën historike të Skënderbeut, ndjenjat dhe idetë humaniste të nobelistes, Nënës Terezë, “...ndofta edhe do të kenë të drejtë që ato edhe t’i përvetësojnë”! Ndërkaq, neve shqiptarëve do të na “kufizohet hapësira për të bërë naze dhe çallam

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›