E Diel, 1 Nëntor 2026

Edukimi i të rinjve mbi sistemin bankar, Fullani takon nxënësit e “Petro Nini Luarasit”



Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, bisedoi dje me nxënës dhe mësues në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” të Tiranës, rreth temës “Edukimi kushton, por nuk ka çmim!”. Aktiviteti është pjesë e programit të edukimit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, i cili po zhvillohet nga Banka e Shqipërisë që prej 3 vjetësh.

Biseda me nxënësit u përqendrua në rëndësinë e edukimit ekonomik e financiar për brezin e ri; në rolin konkret të njohurive financiare në jetën e secilit; në vendin që zë shkolla dhe mësuesit në krijimin e dijeve të kësaj fushe. “Ne në Bankën e Shqipërisë, - u shpreh midis të tjerash zoti Fullani, - na pëlqen filozofia e krijimit të një kulture ekonomiko-financiare qysh në moshë të re. Mendoni për një moment se sa më e dobishme do të ishte në jetën e përditshme, sikur një gjimnazist i cili njeh mirë veprën e Viktor Hygosë, trigonometrinë dhe biologjinë, të dijë po kaq mirë të administrojë paratë e veta?!”. Midis të tjerave, z. Fullani u theksoi të rinjve rëndësinë e njohurive financiare për jetën në të cilën ata po përgatiten të hyjnë. Të jesh student i ardhshëm apo jo; të kërkosh një punë apo të aspirosh të krijosh një biznes tëndin; të jetosh me familjen ose i pavarur prej saj; në të gjitha rastet, që të mund të jesh qytetar i botës së sotme duhet të jesh i orientuar drejt, në lidhje me zgjedhjet e tua financiare. “Njohuritë financiare, - tha Guvernatori, - janë si një çelës, jo për të hyrë në botën e të pasurve, siç mund të kujtojnë disa prej jush, - por për të jetuar me dinjitet në jetën e përditshme të të gjithëve ne!”.

Ky takim në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” vjen pas një sërë aktivitetesh që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar në Tiranë e Vlorë, me nxënësit e mësuesit. Ajo i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtyre grupeve të interesit, duke vlerësuar rolin e madh që mësuesit luajnë në transmetimin e dijeve tek të tjerët; duke vlerësuar faktin që të rinjtë shumë shpejt do të jenë aktorë aktivë në jetën ekonomike të vendit, e si të tillë duhet të jenë të përgatitur. Z. Fullani i njohu nxënësit edhe me projektin më të ri të Bankës së Shqipërisë, për të rritur besimin publik ndaj sistemit bankar shqiptar. Zoti Fullani i ftoi nxënësit e kësaj shkolle, që së bashku me ata të shkollave të tjera të vendit, t’i bashkohen Bankës së Shqipërisë në këtë nismë të re.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›