Rëndësia e diplomacisë parlamentare
Nga Nebil Çika
Parlamenti i Sllovenisë ratifikoi dje anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërkohë që ministrja e Jashtme greke, Bakojanis, premtoi ratifikimin nga Parlamenti i vendit të saj javën e ardhme. Shqipëria po shkon kështu e sigurt drejt anëtarësimit në NATO në samitin e prillit të kësaj organizate. Anëtarësimi në NATO është pa dyshim suksesi më i madh që vendi ynë ka arritur në përpjekjet e tij për rikthim në familjen evropiane, njëherazi edhe një arritje madhore e mazhorancës së z. Berisha. Natyrisht që baza e këtij suksesi janë standardet dhe reformat e realizuara, mirëpo një rëndësi dhe rol të veçantë sidomos në procesin e ratifikimit ka pasur edhe diplomacia shqiptare që pa dyshim ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm që nga krijimi i shtetit shqiptar.
Mirëpo, duke mos dashur të anashkaloj rolin e Kryeministrit apo të ministrit të Jashtëm, dua të përqendrohemi tek një lloj diplomacie që ndoshta për herë të parë ka rezultuar funksionale dhe e suksesshme, diplomacia parlamentare.
Dua që në fillim të biem dakord që promotor i kësaj lloj diplomacie ka qenë në mënyrë të dukshme kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. E kemi pare zonjën Topalli të udhëtojë në vende të ndryshme në një aktivitet diplomatik shumë më të ndryshëm, njëherazi edhe më të suksesshëm nga paraardhësit e saj në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Duket se kryeparlamentarja është koordinuar në mënyrë të shkëlqyer me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm në mënyrë të veçantë në procesin e ratifikimit të anëtarësimit në NATO, fjalën e fundit të të cilit e kanë pasuar parlamentet e vendeve anëtare të saj.
Kush do ta besonte që kryetarja (katolike) e Kuvendit të Shqipërisë do të shfaqej një ditë në ekranet dhe fotot e gazetave me shaminë simbol të garave myslimane në një tur të rëndësishëm diplomatik në Lindjen e Mesme, një detaj ndoshta i vogël, por i veçantë e domethënës për një politikane apo një diplomate profesioniste.
Po këmbëngul të përqendrohemi tek kjo pjesë e aktivitetit të zonjës Topalli, pasi është pikërisht ajo që e ka veçuar më së tepërmi me burrat e radhës në postin e rëndësishëm të kryeparlamentarit të Shqipërisë. Jam i bindur se marrëdhëniet ndërparlamentare kanë rëndësi specifike në marrëdhëniet diplomatike të një vendi. I rëndësishëm është gjithashtu edhe individi që merr përsipër këtë mision të vështirë. Njerëzorja ka gjithmonë rol parësor në marrëdhëniet diplomatike dhe në rastin e një Shqipërie që po del me vështirësi nga izolimi gjysmëshekullor dhe imazhi i keq i tranzicionit post-komunist ky rol bëhet sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë.
Sa herë një parlament i vendeve anëtare të NATO-s ratifikon anëtarësimin e Shqipërisë, ky është pa dyshim edhe një kontribut apo sukses edhe i Parlamentit shqiptar dhe veçanërisht i drejtueses Topalli. Ajo që dua ta theksoj, është fakti se diplomacia e Topallit është mrekullisht e koordinuar me institucionet dhe aktorët e tjerë të diplomacisë shqiptare. Por, në ndryshim me ata, diplomacia e Topallit bëhet e veçantë për shkak të të qenit risi në aktivitetin e kryetarëve të Parlamentit shqiptar dhe sidomos në mënyrën e aplikimit të saj. Kjo grua ka bërë një diferencë të dukshme nga paraardhësit e saj (burra) që në këtë aspekt mund të konsiderohen pa frikë “të dështuar”.