STAMBOLL – Rusia propozon rifillimin e fluturimeve me SHBA-në

MOSKË/STAMBOLL, 28 shkurt /ATSH-DPA//- Rusia i ka propozuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës rifillimin e udhëtimeve ajrore mes dy vendeve, gjatë bisedimeve në qytetin turk të Stambollit.
Pas negociatave, Ministria e Jashtme ruse tha sot se për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy kombeve nevojiteshin hapa praktikë në interes të popullit.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë tre vjet më parë – pas fillimit të luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Rusia, më pas kufizoi në mënyrë të ngjashme hapësirën e saj ajrore.
Sipas medieve ruse, diplomatët rusë dhe amerikanë negociuan dje në Stamboll për mbi gjashtë orë për rivendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo iniciativë u vu në lëvizje nga presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump gjatë një bisede telefonike, në fillim të këtij muaji.
Sipas burimeve ruse, qëllimi i bisedimeve ishte rivendosja e funksionit normal të misioneve diplomatike të të dy vendeve.
Diskutimet thuhet se përfshinin hapa për të siguruar që financimi i papenguar i aktiviteteve diplomatike mund të garantohej sërish.
Përveç sanksioneve gjithëpërfshirëse perëndimore ndaj bankave ruse, kartat perëndimore të kreditit ose debitit nuk funksionojnë më në Rusi.
Pala amerikane shprehu shqetësim edhe për aksesin në banka dhe shërbime, gjë që pengon funksionimin normal të ambasadës në Moskë.
“Përmes diskutimeve konstruktive, të dyja palët identifikuan hapat konkretë fillestarë për të stabilizuar operacionet e misionit dypalësh në këto zona”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).
“Rusia gjithashtu kërkoi kthimin e gjashtë pronave në SHBA që u konfiskuan midis 2016 dhe 2018”, sipas Moskës.
Gjithashtu, janë planifikuar diskutime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe një takim mes dy presidentëve, megjithëse nuk është caktuar një datë. //a.i/