BERLIN – Konservatorët dhe social-demokratët fillojnë bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar

BERLIN, 28 shkurt /ATSH-DPA/ – Blloku konservator i Gjermanisë dhe social-demokratët (SPD) kanë nisur sot bisedimet që synojnë formimin e një koalicioni të ri qeveritar, pas zgjedhjeve federale të së dielës.
Blloku konservator, i udhëhequr nga kancelari i mundshëm i ardhshëm Friedrich Merz, kryesoi zgjedhjet me 28,5% të votave.
SPD-ja e kancelarit Olaf Scholz ra në nivelin më të ulët historik prej 16,4%, duke u renditur e treta pas Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD), të cilët janë përjashtuar nga qeveria.
Bisedimet e sotme pritet të përqëndrohen kryesisht në përcaktimin e linjave fillestare të përgjithshme dhe përcaktimin e një plani kohor për negociatat e koalicionit.
Merz synon të formojë një qeveri deri në Pashkë, për të trajtuar sfidat e shumta urgjente me të cilat përballet Gjermania.
Megjithatë, kreu i SPD-së, Lars Klingbeil, ka theksuar se kushtet duhet të jenë të përshtatshme që ata të bien dakord për një koalicion.
E diela e Pashkëve këtë vit bie më 20 prill.
Secila palë po dërgon nëntë negociatorë në bisedime, të cilat pasojnë një takim fillestar midis Merz dhe Scholz të martën.
Bisedimet e koalicionit mes CDU/CSU dhe SPD priten të jenë të vështira, duke pasur parasysh dallimet e tyre të rëndësishme për çështje të tilla si migrimi, financimi i buxhetit dhe Ukraina. //a.i/