E Shtunë, 31 Tetor 2026

NORVEGJIA NUK DORËZOHET

olsenNga Feliks Papanikolla

Olsen: Shanset jane 50% me 50%!

Sipas trajnerit norvegjez Egil Olsen, një fitore do i rriste shanset e kualifikimit për nordikët, ndërsa me një humbje do i thoshin lamtumirë endrrës Botëror

Për Norvegjinë, ndeshja e sotme mund të konsiderohet si një ndeshje për  jetë a vdekje. Këtë e konfirmon edhe trajneri norvegjez Egil Drillo Olsen, i cili në daljet e tij për mediat ditët e fundit nuk ka lënë pa shprehur presionin që mban mbi supe pas humbjes së 22 marsit.

Në konferencën e djeshme për shtyp, numri një i pankinës së vikingëve e vlerësoi maksimalisht sfidën përballë kuqezinjve, dhe deklaroi se rëndësia e ndeshjes është e tillë, sa rezultati i saj përcakton ecurinë e dy ekipeve në grup dhe mundësitë për të shkuar në Brazil. Çështja është e drejtpërdrejtë: Nëse fitojmë atëherë përfshihemi në garën për në Botëror, por shanset tona dobësohen maksimalisht nëse nuk e fitojmë këtë betejë komentoi Olsen.

Pasiguri për formacionin

Trajneri Olsen dhe një pjesë e lojtarëve të kombëtares norvegjeze u shfaqën dje për mediat vendase dhe ato nordike në sallën e hotel Sheraton, ku dhe është akomoduar për ndeshjen e sotme ndaj Kombëtares kuqezi. Ballkoni nga salla e konferencave jepte një pamje të qartë të fushës së stadumit Qemal Stafa, ku miqtë do i jepnin dorën e fundit përgatitjeve.

Sipas burimeve pranë ekipit skandinav, fillimisht u mendua që salla të mbyllej për 15 minutat e para të stërvitjes, por në momentin e fundit, Olsen vendosi që seanca stërvitore të kryej me dyer të hapura dhe nën praninë e medias.

Do të ishte e pakuptimtë të stërviteshim me dyer të mbyllura, teksa stadiumi mund të shikohet nga ballkonet e apartamenteve përreth dhe do spiunoheshim komentoi tekniku norvegjez, i cili më tej shprehu dhe pasigurinë e tij për 11-shen që do të përballet sot me kuqezinjtë.

Ekipi që do të paraqitet në fushë nuk është ende i qartë, dhe formacionin e ndeshjes së nesërme (sotme) nuk e dinë as lojtarët e mi. Është një sekret që do ta zbuloj vetëm në momentet e fundit. E rëndësishme është që kam ide më të qarta dhe sot kemi punuar më tepër dhe kemi fituar energji dhe jemi në top-formë për nesër (sot).

Në prononcimet e kaluara për mediat nordike, Olsen kishte deklaruar se kishte vetëm katër lojtarë në mendjen e tij për sfidën e sotme, ndërsa pjesa tjetër do të përcaktohej ditët e fundit përpara ndeshjes, por me sa tregoi dje, ai nuk ka shtuar asgjë tjetër në formacionin e mundshëm për sot. Herën e kaluar që më pyetët kisha katër lojtarë të sigurtë, ndërsa sot mund tju them se kam shtuar dhe një tjetër.

Pra, jemi në pesë lojtarë dhe mbeten dhe gjashtë të tjerë për tu përzgjedhur, të cilët siç ju thashë do vendosen në momentin e fundit. Ka patur kaq konkurrencë ditët e fundit dhe të gjithë janë treguar në lartësinë e detyrës, sa e kam të vështirë të zgjedhë,  por jam i kënaqur me faktin që i kam lojtarët në formë dhe të gatshëm për betejën e sotme. deklaroi Olsen, duke u vënë frikën kuqezinjve tanë.

Shanset e ndeshjes? Të barabarta

I pyetur më tej për rezultatin e mundshëm të ndeshjes së sotme, Olsen deklaroi se që pas ndeshjes së 22 Marsit në Uleval Stadion, nuk ka më asnjë garanci për rezultatin. Të them të drejtën jam befasuar me Kombëtaren Shqiptare. Nuk prisja të ishin kaq të fortë kur u përballëm në Mars, dhe prandaj nuk mund të bëj parashikime.

Gjithsesi, herën e kaluar ne ishim të pafat dhe humbëm disa raste të pastra, prandaj shpresoj që kësaj here fati të jetë me ne. Për më tepër, edhe Shqipëria është dobësuar ndjeshëm në krahasim me atë ndeshje, pasi i mungon një pjesë shumë e rëndësishme e ekipit, duke filluar që nga kapiteni Cana. Më tej, tekniku norvegjez dha dhe një parashikim statistikor, sipas të cilit shanset për fitore janë të barabarta.

Mendoj se është nje ndeshje që mund të fitohet nga të dy ekipet, dhe besoj se do të jetë një ndeshje e vështirë dhe e rëndë me shumë ndërprerje dhe më shumë faulle, dhe ndoshta me pak raste për gol. Shanset janë 50/50, dhe do jetë fusha që do vendos kush fiton, pasi ekipet e nisin si të barabarta. komentoi Olsen, duke mos i dhënë epitetin e favoritit asnjërës prej dy skuadrave.

E ardhmja e teknikut

Numri një i vikingëve, gjeti kohë që në konferencën për shtyp të fliste dhe për të ardhmen e tij në stolin e Kombëtares nordike. Olsen, i cili quhet Drillo nga tifozët dhe mediat skandinave, theksoi se ka një kontratë deri në fund të eleminatoreve, gjë që e pengon të shkojë me ekipin në Botëror nëse Norvegjia kualifikohet. Unë kam një kontratë deri në fund të eleminatoreve, dhe do e përmbyll atë.

Nëse kualifikohemi për në Botëror, atëherë e zgjas dhe për gjashtë muaj të tjerë në mënyrë që të jem ne Botëror me skuadrën. Megjithatë, duhet të kalojmë njëherë pengesat që kemi përpara. Kemi ndeshje të vështira përpara, dhe duhet mobilizim maksimal, por kam besim te lojtarët e mi dhe besoj se kaq e patën humbjet. Më tej, në fund të konferencës për shtyp, Olsen theksoi se ndjen një farë përgjegjësie më tepër për këtë ndeshje, pas humbjes së kaluar në Oslo.

Ndjej pak më tepër përgjegjësi se të tjerët duke qenë trajner i ekipit. Humbja e kaluar na dëmtoi maksimalisht, por mendoj se nesër (sot) do të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë. Ka shumë që kujdesen dhe që interesohen për këtë ekip, por unë ndjej një përgjegjësi akoma dhe më të madhe. Është një duel i rëndësishëm. E mbylli prononcimin e tij, trajneri i kombëtares norvegjeze, Egil Olsen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›