Flet kapiteni: Më e vështirë kur sluan
Loriku në ankth: Dua babanë pranë, vetëm ai më qetëson
Lorik Cana do të mungojë të premten, por ka ardhur për të qëndruar pranë lojtarëve në këto ditë tepër deçizive. Grinta, vendosmëria, dhe forca e tij nuk do të jetë prezente në fushë edhe pse lojtari që do ta zëvendësojë do mundohet të bëjë të njëjtën gjë…por Loriku është Lorik.
Në një intervistë për Gazeta e Sportit numri pesë i kuqezinjve ka thënë se ndihet shumë keq që nuk do të luajë. Pavarësisht mungesës së tij ai ka shtuar se Shqipëria ka forcën e grupit që mund të bëjë diferencën. I ka falënderuar tifozët për mbështetjen dhe ka siguruar që do të bëjë të pamundurën për të qenë në bankinën e Qemal Stafës.
Lorik, ju erdhët sot pranë ekipit. Si e gjetët atmosferën në skuadër?
Po është e vërtetë. Është dita e parë që jam këtu sepse nuk jam i grumbulluar nga fillimi për shkak të skualifikimit. Është shumë e rëndësishme të jem pranë ekipit për ti dhënë zemër dhe mbësthetje morale. Jam këtu për të ndihmuar në gjërat që mund të bëj jashtë fushës. Ndoshta jam i vlefshëm për të ndihmuar stafin edhe në përkthim. Po vuaj shumë sepse do të doja shumë të isha në fushën e lojës. Atmosfera duket mirë dhe djemtë po përgatiten për ndeshjen.
Duke pasur parasysh mungesat, sa janë gjasat për të përsëritur suksesin e Oslos?
Kemi shumë mundësi për të fituar sepse ekipi nuk përbëhet nga dy apo tre lojtarët. Forca jonë është loja në grup. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore që kemi arritur këto rezultate. Stafi ka bërë një punë të mrekullueshme duke gjetur zëvendësuesit për çdo repart. Ata kanë grumbulluar edhe lojtarë që janë jashtë vendit dhe që janë rritur jashtë. E kanë arritur deri diku këtë qëllim dhe kjo bën që qetësia në ekip të rritet. Përsa i përket lojës dihet që kundështari është i fortë. Fakti që e kemi mundur përpara disa muajsh nuk do të thotë asgjë, kjo e bën më të vështirë ndeshjen.
Cilat janë pikat e forta të Norvegjisë. Ku duhet të ketë kudjes Shqipëria?
Norvegjia është ekip shumë i kompletuar. Lojtarët e tyre luajnë në ekipe cileësore dhe ne kampionate të fortë. Është skuadër kompetitive. Fakti që Rise nuk është në fushë nuk do të thotë asgjë sepse ka lojtarë të tjerë që do ta zëvendësojnë. Janë shumë mirë të organizuar për medimin tim, dhe të fortë fizikisht. Mundohen të shfrytëzojnë më së miri goditjet standarde dhe mendoj se do të jenë më mirë fizikisht se dy muaj më parë.
Një komb i tërë pret me padurim këtë ndeshje. Entuziazmi është pozitiv apo negativ?
Entuziazmi është gjithmonë pozitiv. Tifozët janë aktorët kryesorë të një ndeshjeje dhe na ndihmojnë shumë. Duhet të luajmë me entuziazëm sepse në këtë mënyrë shmangim frikën dhe presionin. Trajneri e di se si duhet ta përgatitë ekipin dhe nuk do të jetë euforik. Lojtarët do të luajnë sigurisht me dëshirë dhe do mundohen ta shfrytëzojnë këtë rast. Kemi edhe disa ndeshje të tjera për të arritur diçka historike. Më kryesorja është të japim shpresë për të ardhmen sepse skudra po ndërtohet dhe lojtarët janë të rinj.
Si i keni parë prurjet e kombëtare?
Gjithmonë me një sy të mirë sepse De Biazi ka sjellë lojtarë shumë cilësorë sic janë këta djem të rinj. Duke filluar nga Abrashi tek Gjasula, Basha, Berisha, Kaçe dhe Azdren Llullaku janë lojtarë që do të na ndihmojnë shumë. Disa prej tyre luajnë në ekipe të mira dhe i kam parë dhe janë lojtarë që e rritin nivelin e kombëtares.
Ku do të jetë Loriku të premten, në bankinë apo në tribunë?
Do të shoh nëse do më lejojnë apo jo të rrinë bankinë, por lojtarët e skualifikuar nuk mund të rrijnë në bankinë, ose do të rri afër bankinës. Në qoftë se jo, do të rri në tribunë afër babit tim sepse është shumë e vështirë ta shohësh ndeshjen sesa ta luash atë.
Bogu apo Bulku kapiten?
Nuk e di. Nëse luan Bogdani ai është zëvendeskapiteni pastaj edhe Ervini me Armendin janë lojtarët më me eksperiencë dhe me më shumë prezenca me fanellën e kombëtares.