E Shtunë, 31 Tetor 2026

NUK ISHIM VETËM POETË



Shpërblimi që më jepet më nderon, se mban emrin e mikut tim dhe poetit të shquar, Azem Shkrelit, ndër poetët e mëdhenj në letrat shqipe. Nuk mund të mos them me këtë rast edhe ca fjalë për një shtëpi botuese, e cila ishte ndër më të njohurat në Ballkan. Ajo quhej “Rilindja”, terribël për ata që na luftonin dhe na i kthenin fëmijët në arka morti. Nën çatinë e saj kaluan breza e breza krijuesish.

Do thoshte ndonjë kalemxhi se paskam nostalgji për kohën e ikur. Por shtrohet pyetja: Bën të nëpërkëmbët e të harrohet ajo që do mbetet segment i fortë i traditës? Të kujtojmë Esad Mekulin, Hivzi Sulejmanin, Latif Berishën i vrarë, Ymer Elshanin i masakruar familjarisht, Enver Gjerqekun, Rexhai Surrojin, Zekeria Rexhën, Anton Pashkun, Fahredin Gungën, Azem Shkrelin, Rrahman Dedajn, Rifat Kukën, Jusuf Gërvallën, Beqir Musliun, Rexhep Elmazin i vrarë, Mirko Gashin; ditë më parë u nda nga ne dhe Agim Deva, autor i 70 veprave – fitues i po këtij shpërblimi në vitin e kaluar. Një armatë e tërë që ka për gjeneral Zotin.

Ernesto Sabato sapo largohej nga vendi i të parëve të tij, kishte pyetur: “Cili Zot mund të fshihet pas vuajtjes?”

Do ishte e turpshme të pranonim se në të kaluarën heshtën krijuesit dhe nuk bënë gjë për çështjen e Kosovës. Në vitin 1993, kur dhuna serbe ishte shkallëzuar dhe kërkonte t’ia vinte drynin “Rilindjes”, një grup krijuesish e gazetarësh në krye me Adem Demaçin qëndruan të ngujuar plotë njëmbëdhjetë ditë në “Pallatin e Rilindjes” për të mbrojtur librin shqip e redaksitë u derdhën nëpër kafene e podrume të mbajnë gjallë kujtesën. Nëpër fjalë e shikime tona vetëtinte e sotmja, se vetëflijimi shpinte kah e bukura. Se përndryshe “gjumi i arsyes lind përbindësha”, ka thënë një i urtë.

Ishin kohë tërmetesh dhe të papriturash: ndarja dhe nga realizmi socialist, dogmë sllave, që kishte depërtuar tek ne përmes dallkaukësh. Ndodhi pastaj dhe kthimi i krijuesve rebelë, që i kishte përndjekur regjimi totalitar shkaku i bindjeve për artin dhe fatin e popullit. Nga harresa të pluhurosur tamam si heronj mitikë ktheheshin: Lasgushi, Faik Konica, Fishta, Koliqi e shumë krijues të anatemuar. Rol vendimtar në ndriçimin e tyre pas rënies së komunizmit në Shqipëri ka luajtur revista “Përpjekja” e Fatos Lubonjës. Letërsia kombëtare kishte zënë të marrë frymë lirshëm dhe të shpalosë horizonte. Botimet e “Rilindjes” vazhdonin të zgjonin kërshërinë dhe tej kufirit, por kjo nuk është më. Trurëshpërlarësit e rrënuan se deshën gjithçka të fillojë nga shfaqja e tyre.

Nuk dua të përmend shpërblime vendore as ndërkombëtare, por shpërblimi “Azem Shkreli” është i veçantë për mua. E kisha mik dhe e çmoja si poet e njeri. Në Evropë kudo ngritëm zërin për çështjen e Kosovës, se ne nuk ishim vetëm poetë, kishim përkrahje dhe nga të tjerët. Por më dhemb shpirti kur shoh ca duke vrapuar të djersitur pas karriges ose ndonjë pesëmbëdhjetëkatëshi në kohë vendimtare të të qenit tonë. Është në pyetje etika.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›