Bankat e nivelit të dytë garantojnë kreditimin e ekonomisë në 2009-n
Efekti që jep kriza ne sistemin bankar ndihet në frenimin e kreditimit nga bankat. Efekt ky i ndier dukshëm në vendet perëndimore, ku kredidhënia ka pësuar ulje të ndjeshme. Risku që kriza mund të japë efektet edhe në sistemin bankar shqiptar i ka bërë bankat e nivelit të dytë të jenë më të kujdesshme për sa i përket dhënies së kredive. Guvernatori tha dje se të dhënat paraprake të muajit dhjetor 2008 flasin për një tkurrje të kredisë për ekonominë, veçanërisht të kreditimit në valutë. “Më lejoni të sqaroj edhe një herë se bëhet fjalë për një nga simptomat më të rënda në rang mbarëbotëror që ka shoqëruar krizën e fundit financiare. Aq e vërtetë është kjo, sa në ekonomi shumë të zhvilluara kanali i kredisë për ekonominë dhe ai ndërbankar kanë pushuar së funksionuari ose janë duke operuar në nivele minimale”, - tha Fullani. Sipas tij, për rrjedhim, ndonëse në mënyrë periferike, ky zhvillim është materializuar edhe në ekonominë shqiptare. Por e rëndësishme, sipas tij, është ajo që do të ndodhë në të ardhmen. “Nga kontaktet e veçanta me bankat që operojnë në Shqipëri, kemi arritur në përfundimin se ndajmë të njëjtin shqetësim se një stopim drastik i kreditimit të ekonomisë do të dëmtonte rëndë aktivitetin ekonomik të vendit, por edhe vetë gjendjen financiare të sistemit. Për këtë qëllim jemi në një proces të vazhdueshëm komunikimi me bankat që të garantojmë se gjatë vitit 2009 ekonomia shqiptare do të marrë mbështetjen e merituar financiare të sistemit bankar”, - ka deklaruar Guvernatori Fullani.