Shkozet, shkrumbohet magazina e hidro-sanitareve
Hetimi, digjen 800 metër katrorë, po punohet për vlerësimin e dëmeve materiale. Dyshimi, zjarri për shkak të një shkëndije elektrike
Përfshihet nga flakët një magazinë hidro-sanitare në afërsi të Shkozetit, digjet një sipërfaqe prej 800 metër katrorësh. Mësohet se fatmirësisht nuk ka viktima, por flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe në këtë godinë. Mbi 800 metra katrore ishte sipërfaqja e magazinës që u dogj, ndërkohë që e gjithë firma e prodhimit dhe tregtimit të hidro-sanitareve është afro 2 mijë metra katrorë. Burime zyrtare policore të qytetit bregdetar bëjnë të ditur se u njoftuan se një zjarr i madh ka përfshirë një magazinë të madhe pranë autostradës Tiranë-Durrës, afër Shkozetit, në mbikalimin e Fllakës dhe menjëherë u njoftuan zjarrfikëset për të bërë të mundur lokalizimin dhe mbajtjen në kontroll të flakëve për të evituar përhapjen në të gjithë territorin e fabrikës. Zjarri ra rreth orës 10:15 ndërkohë që bëhet e ditur se magazina është në pronësi të biznesmenit Enver Shala. Nga të dhënat e policisë mësohet se është arritur që të mbahen nën kontroll flakët e krijuara prej tij, ndërkohë që sipas të dhënave, magazina në të cilën është krijuar flaka ka pasur në brendësi të saj materiale të lëndës drusore si dhe mbeturina të tjera që përdoren në sektorin e ndërtimit, por edhe goma. Kanë qenë pikërisht materiale të tilla që kanë mundësuar zhvillimin me intensitet të zjarrit, duke e kthyer atë në një rast të rrezikshëm, nëse nuk do të kishin ndërhyrë menjëherë forcat e zjarrfikëseve të cilat kanë mbërritur direkt në vendin e ngjarjes. Bëhet e ditur se ato kanë qenë nga Tirana, Durrësi, si edhe porti i këtij qyteti. Duke punuar së bashku për shuarjen e flakëve, më në fund është bërë e mundur vënia e tyre në kontroll. Nga forcat e ekspertëve ndërkaq, po merren masat për identifikimin e shkakut që shkaktoi incidentin e rëndë, si edhe vlerën e dëmit material, i cili dyshohet të jetë mjaft i madh. Para disa muajsh, dy incidente të ngjashme zjarri ndodhën përsëri në autostradën Tiranë-Durrës, në magazinat e subjekteve private që kanë aktivitetet e tyre në këtë zonë.
Detaj
5 zjarrfikëse nga Tirana dhe Durrësi lokalizuan, mbajtën nën kontroll dhe shuan në kohë të shkurtër zjarrin
Fushë-Krujë
Akuzohen për vjedhje makinash, kapen me bizhuteri të vjedhura
Policia e Tiranës ka vënë në pranga dhe dy persona të tjerë të akuzuar për vjedhje makinash dhe sendesh të tjera. Burime zyrtare policore bënë të ditur se dy net më parë, nga efektivët e sektorit Kundër Vjedhjes së Automjeteve, në vazhdimësi të operacionit “Anteo” janë vënë në pranga Enver Stafuka, 42 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Krujë, i dënuar më parë për “vjedhje me armë” dhe Pëllumb Stafuka, 37 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Krujë. Policia tha se arrestimi i tyre u krye pasi këta dy shtetas kanë shitur një sasi bizhuterish në Fushë-Krujë në dyqanin e qytetarit me inicialet Xh. E., bizhuteri të cilat kanë qenë brenda automjetit tip “Benz” me targa TR 6940 L vjedhur në 27 janar 2009 në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar dy të arrestuarve, policia ka kapur dhe një armë pistoletë e tipit “TT”, model 54, e kalibri 7.62 milimetër, si dhe mjetin me targa TR 1294 H i cili dyshohet se është i vjedhur. Nga oficerët e seksionit të vjedhjes së automjeteve në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar makina tip “Benz”, me targa TR 1294 H, një pistoletë tip “TT”, si dhe 37 varëse, 13 byzylykë, 41 vathë dhe 4 unaza. Ndërkaq, nga strukturat e hetimit të krimit vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të dy të ndaluarve. Policia tha se dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje”, “vjedhjes kryer në bashkëpunim” dhe “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.