NYT: Kadare, favorit për cmimin "Nobel"

Me gjithë kritikat që ka pasur për letërsinë amerikane, si një letërsi që orvatet të ndjekë tendencat e artit bashkëkohor sot dhe ka humbur ato fije të ndjeshme që ka e shkruara, Pihilip Roth vijon të përmendet si një nga kandidatët e mundshëm të këtij çmimi këtë vit.
Që nga viti 1993, kur shkrimtarja me ngjyrë, Toni Morrison, u vlerësua me këtë çmim, amerikanët kanë kthyer sytë sërish nga Akademia Suedeze për një tjetër çmim.
Një vit më parë, kur Doris Lessing u vlerësua me çmimin e madh, mediat në SHBA shpallën pakënaqësi ndaj këtij vendimi. Sipas tyre, kishte ardhur momenti kur “Roth”, një nga shkrimtarët më të njohur amerikanë të këtyre viteve, të merrte vlerësimin e duhur.
Të njëjtën habi e shprehën dhe emra të njohur të letërsisë. Umberto Eco, i pranishëm atë ditë në Panairin e Librit në Frankfurt, u shpreh se “Lessing është një shkrimtare e mirë, por mendoj se lista e kandidatëve për çmimin ‘Nobel’ është e gjatë dhe nuk ka pse të shkojë sërish në Britani”.
Vetëm dy vjet pasi dramaturgu Harold Pinter u vlerësua me këtë çmim, Akademia Suedeze vendosi ta çonte sërish çmimin e madh në Britani, por këtë herë për një grua të fortë, një romanciere të ndjeshme, librat e së cilës janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Pavarësisht rezervave të kritikës amerikane ndaj mënyrës së ndarjes së çmimit “Nobel”, janë më të shumtë zërat se Lessing, kjo grua me një besim të rrallë, e meritonte çmimin “Nobel”.
Por Akademia Suedeze është mësuar të surprizojë. Ndaj janë të shumtë zërat se, pavarësisht emrave që qarkullojnë korridoreve të kësaj akademie, çmimin “Nobel”, si në pjesën më të madhe të rasteve, do ta marrë një shkrimtar emri i të cilit nuk është përmendur ndër kandidatët e mundshëm.
Gazeta amerikane, “Neë York Times”, në një shkrim mbi kandidatët për çmimin “Nobel” shkruan se “mund t’i buzëqeshë fati dhe shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare”.
Edhe pse emri i Kadaresë, ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk ka qenë shumë i përmendur ndër pretendentët, janë të shumtë ata që besojnë se më në fund Akademia Suedeze do të bëjë një kthesë në mënyrën e vlerësimit të saj dhe t’ia japë “Nobel”-in një shkrimtari vërtet të rrallë.
Prej vitesh mediat shkruajnë se Kadare i ka të gjitha cilësitë për të qenë fituesi i çmimit “Nobel”, megjithatë Akademia Suedeze ka nguruar për kaq vite të japë vendimin e saj.
Në një intervistë për “Top Channel”, gati një vit më parë, nobelisti turk, Orham Pamuk, u shpreh: “Kadare është një shkrimtar i mirë. Dua që ai ta marrë çmimin ‘Nobel’”.
Por nuk është vetëm Pamuk ai që beson se çmimi “Nobel” duhet të ndalet në duart e shkrimtarit shqiptar.
Janë mijëra lexues kudo në botë që librat e Kadaresë i kanë vendosur përbri librave që duan t’i kenë gjithnjë pranë, që duan të ndodhë diçka e tillë.
Është kritika që e krahason atë me emrat më të njohur të mendimit letrar, që beson se ka ardhur momenti kur “Nobel”-i të dorëzohet në duart e shkrimtarit që i rrëfeu botës krimet e komunizmit, me një stil të veçantë.
Ndërsa Akademia Suedeze duhet të jetë duke mbyllur zarfin me emrin e fituesit të këtij viti, le të shpresojmë se surpriza e saj këtë vit do të jetë sipas të gjitha rregullave që Alfred Nobel vlerësonte te një shkrimtar, dhe çmimi të udhëtojë drejt Shqipërisë...