E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH, gati ulja e normës së interesit

Banka e Shqipërisë do të rishikojë mundësinë e uljes së normës bazë të interesit, e cila aktualisht është në 6.25 për qind.

Pas rritjes tri herë brenda vitit 2007, me synim shtrenjtimin e kredisë dhe rritjen e interesave për depozitat në lek, Banka e Shqipërisë duket se do të ndjekë kursin e bankave homologe qendrore.

Aktualisht, sistemi financiar në botë është duke përjetuar momentet më të vështira që prej viteve ‘30, shoqëruar me falimentimin e disa institucioneve kredituese, ndërsa qeveritë në botë po marrin masat për të reduktuar shkallën e përhapjes së rrezikut.

 Sistemi bankar te ne, edhe pse i fortë dhe i qëndrueshëm, (sipas guvernatorit Fullani) kërkon një kontroll më të rreptë nga Banka e Shqipërisë.

Ajo po shikon marrjen e disa masave, që, ndër të tjera, do të jetë dhe ulja e normës bazë të interesit për monedhën vendase.

Ky vendim pritet të ulë nivelin e interesave për kredi, duke i dhënë më shumë mundësi kredimarrësve që të shlyejnë në kohë detyrimet e tyre ndaj bankave. Po ashtu, ulja e normës bazë do të shoqërohet edhe me reduktimin e interesave për depozitat, duke lehtësuar bankat e nivelit në dhënien e shumave ndaj klientëve që kanë vendosur kursimet e tyre kundrejt një norme fitimi.

Megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e manovrës që pritet të ndërmarrë Banka qendrore e Shqipërisë, pasi do të dalin rregullore të tjera për zbatim në ditët e ardhshme. Norma bazë e interesit është rritur tri herë në gjysmën e dytë të vitit 2007 (një ndryshim prej 75 pikësh bazë) në përgjigje të pritjeve për forcimin e presioneve inflacioniste në ekonomi.

Kjo lëvizje është ndjekur nga rritja e normave të interesit në tregje gjatë 2008-ës kundrejt vitit të kaluar. Gjatë vitit 2008, interesat në tregun e parasë kanë shfaqur luhatje të qëndrueshme në kushtet e pritjeve për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit.

Diferenca midis normave të interesit të depozitave dhe kredisë në monedhën vendase dhe atë euro është ngushtuar pas prezantimit të ofertave tërheqëse verore për pranimin e depozitave.

Njëkohësisht, vihet re se norma mesatare për kredinë në lekë ka shfaqur një prirje rënëse që prej fillimit të këtij viti. Ndërkaq, zyrtarë nga Departamenti i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë pohojnë se vendimi për ndryshimin e normës bazë të interesit do të merret në ecuri me zhvillimet e fundit në tregjet e huaja ndërkombëtare.

Më saktë, BSH do të shikojë reagimin e bankave qendrore në lidhje me interesat për monedhat e tyre, e më pas do të vendosë për rritjen ose uljen e tyre. Por reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ana e tetë bankave më të mëdha në botë.

Ato kanë vendosur njëherësh, rast ky i paprecedent, që të ulin me 0.50 për qind normën bazë të interesit. Kështu, të gjitha bankat qendrore, me anë të një veprimi të paparë ndonjëherë, kanë ulur normat bazë të interesit me 0.5 për qind.

Vendimi është marrë dje, por mësohet se të martën që vjen parashikohet një takim i rangut të lartë botëror, ku çështje diskutimi do të jetë kriza financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›