E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrëngohet dhënia e kredive

Bankat në Shqipëri nuk po japin më kredi në kushte lehtësuese, duke ndikuar në rënien e nivelit të kreditimit në ekonomi, nga 55 për qind në 45 për qind.

Shtrëngimi i dhënies së kredive ka ardhur nga disa faktorë, që lidhen më shumë me kriteret e reja të vendosura nga Banka e Shqipërisë.

Konkretisht, për gjashtëmujorin e parë 2008, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, bankat raportojnë për shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kredisë krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2007, si për bizneset ashtu dhe për individët.

Bankat kanë qenë më të kujdesshme për kredinë dhënë bizneseve të mëdha dhe kredinë e individëve për qëllime konsumi, se sa për kredinë akorduar bizneseve të vogla dhe kredinë hipotekore.

Faktorët që kanë ndikuar në ndryshimin e liberalizimit të kredisë kanë qenë, përveçse vendimet e Bankës së Shqipërisë, edhe problemet specifike të sektorit ku vepron biznesi dhe situata e pritshme makroekonomike.

“Faktorët kryesorë që kontribuuan në shtrëngimin e standardeve të kredisë për individë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 ishin gjendja financiare e individëve dhe situata në kreditë me probleme”, thuhej në raportin e fundit të BSH-së, i publikuar dje në faqen zyrtare të saj.

Kredia

Kredia për ekonominë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2008 ka vijuar të rritet me një normë vjetore mesatare prej 45.5% nga 55% që ka qenë në vitet e kaluara, duke arritur në 34% ndaj PBB-së dhe 45.3% ndaj parasë së gjerë (e gjithë paraja që ndodhet në qarkullim-M3).

Megjithatë, normat e rritjes së kredisë kanë ndjekur përgjithësisht prirjen në rënie të prej më shumë se dy viteve, me përjashtim të muajve qershor dhe korrik, kur u regjistruan norma rritjeje më të larta se në muajt paraardhës.

Kjo erdhi si pasojë e fluksit më të lartë mujor të kredisë gjatë qershorit, kryesisht për bizneset. Gjithsesi, fluksi mujor i muajit korrik i është rikthyer nivelit mesatar vjetor prej rreth 8 miliardë lekësh.

Në nivele mesatare, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2008, kredia në valutë përbën rreth 72% të portofolit të kredisë, me një rritje prej 2% më shumë se viti 2007.

Sipas ekspertëve, kjo vjen si pasojë e normave më të larta të rritjes së kreditimit në valutë kundrejt atij në lekë, të cilat në nivele mesatare për 2008-ën ishin përkatësisht 49% dhe 37%.

Konkretisht, kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore mesatare prej 40.6%, për shtatë muajt e parë të vitit. Kontributin kryesor e ka dhënë kredia për biznese, por në muajt e fundit është vërejtur një rritje më e theksuar e këtij kontributi kundrejt atij të dhënë nga kredia për individë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›