BE, kritika për prekjen e Kushtetutës

Burime diplomatike bëjnë të ditur për “Shqip” se një nga pikat që pritet të godasin politikën shqiptare në dokumentin që Komisioni Evropian do ta shpërndajë më 4 nëntor, është pikërisht ndryshimi apo mendimi i Kushtetutës së Republikës.
Edhe pse Komisioni i BE, parimisht do ta miratojë këtë dokument në fillim të muajit që vjen, drafti është përmbyllur dhe po i jepet dora e fundit nga departamenti që e drejton një nga zyrtarët më të rëndësishëm të Brukselit, Dirk Lange.
Në raport-progresin e vitit 2008 pritet të kritikohet me nota të forta pikërisht mënyra se si u vu dorë mbi ligjin themeltar të shtetit.
Edhe pse në fakt Brukseli tha diçka nëpërmjet kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Helmut Lohan, në dokumentin e nëntorit pritet të përcaktohet qartë se Bashkimi Evropian e konsideron si një standard jo të plotësuar ndryshimin e Kushtetutës pa pasur një konsultim të gjerë me grupet e interesit dhe opinionin publik.
Në këtë dokument, do t’i kërkohet politikës shqiptare që të mos përdorë më miratimet “blitz” për ligje të rëndësishme që kanë një peshë në ndërtimin e shtetit.
Ndërkaq, nga ana politike Brukseli pritet që të mbështesë bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës, duke bërë thirrje që fryma e konsensusit të mbizotërojë në politikën shqiptare edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është ligji zgjedhor, por edhe ligje të tjera të rëndësishme.
Gjithsesi, progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë mund të shërbejë edhe si kambanë nëse Parlamenti do të miratojë sërish ndryshimet kushtetuese shtesë në formë aksioni të shërbimit sekret me mungesë transparence dhe në mënyrë të përshpejtuar.
Raporti
Komisioni Evropian paraqet çdo vit një dokument që përbën analizën, vlerësimin, por edhe kushtet për vendet që aspirojnë të pranohen në BE. Progres-raporti do të miratohet nga Komisioni dhe Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian e më pas do të dorëzohet në Tiranë.
Progres-raporti i vitit 2008 është hartuar nga 1 janari i këtij viti e deri në fund të qershorit. Pjesa e ngjarjeve që kanë ndodhur pas kësaj kohe nuk do të jetë e përfshirë në dokument.
Kështu që ngjarjet më të rëndësishme që kanë ngjallur një polemikë në politikën shqiptare në lidhje me ligjin për prokurorinë, nuk do të jenë të pasqyruara në progres-raport.
Ndërkaq, mësohet se në dokumentin e vlerësimit do të ketë një pjesë të veçantë për katastrofën e Gërdecit, luftën ndaj korrupsionit, vlerësimin mbi qeverinë shqiptare, kushtet e reja të Brukselit etj.
Por gjithashtu mësohet se një nga pjesët që do t’u mëshohet më fort në progres-raport do të jetë vonesa e përgatitjeve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.