E Hënë, 2 Nëntor 2026

NYT: Ndal vetëshkatërrimit të Shqipërisë!

Gazeta e famshme amerikane "New York Times", ka botuar së fundmi një editorial që mban emrin e autorit Daniel Korski i cili bën thirrje për zgjedhje të parakohshme në vendin tonë. Shkrimi mban titullin " Ndal vetëshkatërrimit të Shqipërisë". Korski është anëtar i lartë i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. Në artikullin e Korskit, thuhet se Shqipëria e cila i shpëtoi një diktature të stilit të Koresë së Veriut në 1990 për t`u rrëzuar dhunshëm në vitin 1997, ndërsa tani lëkundet në prag të një tjetër katastrofe. "Në një moment Shqipëria është destinacioni që duhet vizituar, i rekomanduar nga Lonely Planet për vitin 2011, një vend anëtar i NATO-s, qytetarët e të cilit shijojnë udhëtimin pa viza në Bashkimin Europian, në momentin tjetër forcat e qeverisë qëllojnë dhe vrasin protestues në rrugë dhe Ministria e Jashtme Britanike po paralajmëron vizitorët që të qëndrojnë larg turmave të njerëzve në Tiranë, - kështu nis artikulli i Daniel Korskit kushtuar situatës aktuale në Shqipëri.
Shqipëria ka qenë së fundmi një forcë për paqen në Ballkan, duke ndërtuar lidhje me armiqtë e vjetër si Serbia e u ka bërë thirrje vëllezërve etnikë në Kosovë e Maqedoni për të punuar për paqen. Trupat ushtarake të këtij vendi punojnë përkrah me ushtarët e NATO-s në Afganistan. Një rikthim tek konflikti do ishte i keq për Ballkanin, i keq për Europën dhe i keq për NATO-n- thuhet më tej. Megjithatë sipas korskit, kriza aktuale ka rrënjë të thella. Që nga viti 1992, asnjë nga zgjedhjet e organizuara në Shqipëri nuk janë konsideruar të lira e të ndershme nga Organizata për Sigurinë e Bashkëpunimin në Europë, trupa që monitoron zgjedhjet. Në zgjedhje luftohet si në beteja me ushtritë që i shpallin besnikëri njëri- tjetrit, por jo procesit demokratik. Zgjedhjet janë një mundësi për politikanët për të shkatërruar kundërshtarët e për të pasuruar miqtë- specifikohet në këtë editorial. Në të, përmenden edhe të dy liderët politikë në vend, Rama dhe Berisha. "Zgjedhjet e fundit, në qershor të vitit 2009, nuk ishin ndryshe- shkruan Korski. Lideri i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama, protestoi kundër rezultatit duke bojkotuar parlamentin. Bojkoti është ende në fuqi, duke i pamundësuar Shqipërisë një kanal për shkarkimin e mosmarrëveshjeve. Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha ka qeverisur në një mënyrë që ka bërë që Freedom House ta cilësojë vendin si "pjesërisht të lirë", i njëjti status i dhënë për Abkazinë, Gambian e Nagorni-Karabakun- thekson autori sipas së cilit rivaliteti tejet i personalizuar e i mprehtë mes Ramës e Berishës ka vepruar si sharrë me dy krahë që pret në mes institucionet e vendit. Në editorialin e "New York Times", thuhet se korrupsioni është ndoshta problemi më i madh në Shqipëri ndërsa shtohet se Situata në media gjithashtu është e zymtë, pavarësisht garancive kushtetuese për lirinë e shprehjes.
"Në vend që të ndalojnë dhe të shohin dëmet që kanë shkaktuar, Rama e Berisha kanë mprehur armët- thotë Daniel Korski. Ata tani po shikojnë të angazhojnë mjete ekstra- institucionale për të fituar ose për të ruajtur pushtetin. Berisha akuzon Ramën se po përpiqet të "fitojë pushtetin me anë të forcës" dhe se ka orkestruar "një tentativë të qartë si kristali" për të rrëzuar qeverinë legjitime. Ai synon tani që të nxjerrë në rrugë demonstruesit e tij. Sipas tij, Rama, nga ana tjetër, proteston se shteti i Berishës nuk është demokratik e thotë se vetëm një revolucion i stilit tunizian mund të sjellë ndryshime në vend. Korski përcjell ne shkrimin e tij edhe shqetësimin e ndërkombëtareve dhe thirrjen e tyre ndaj autoriteteve shqiptare për ti dhënë fund ngërcit politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›