E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na duan për azil

Edhe në Kosovë kërkohet azil, kryesisht nga Afganistani, Irani, Iraku, Kongo, Bregu i Fildishtë, Maroku, Nigeria, Pakistani, Somalia, Sudani, Tunizia e Palestina. Të gjithë shpresojnë marrjen e shtetësisë kosovare, ndërkohë që 1 mijë e 19 kosovarë kanë hequr dorë nga kjo e drejtë, duke zgjedhur shtetësinë e vendit ku kanë fituar azilin. Nga Nexhmije Ahmeti më 12 maj 2011 në ora 08:21

Afganët janë ata që më së shumti e “duan” Kosovën. Kështu të paktën del nga të dhënat zyrtare të Departamentit për Shtetësi dhe Azil të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Afganistani prin për nga numri i azilkërkuesve në Kosovë. 21 shtetas të këtij vendi janë duke qëndruar në shtëpinë për azilantë në Prishtinë.

Hiç më mirë nuk qëndron puna as me Palestinën. Së bashku me afganët janë edhe 15 palestinezë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë si azilkërkues. Por, nuk janë vetëm këta që kanë kërkuar azil në Kosovë. Janë edhe persona nga shtete tjera që kanë kërkuar azil si në shtetin më të ri të botës. Në Kosovë ka edhe 3 azilkërkues nga Irani i Mahmoud Ahmadinejad, 2 nga Kongoja, 1 nga Bregu i Fildishtë pastaj Nigeria, Pakistani apo Tunizia.

Deri më tash, 53 persona janë duke qëndruar në Kosovë, ndërkohë që 51 prej tyre shteti u ka kthyer përgjigje negative, pra që nuk u pranohet azili. Këto të dhëna janë zyrtare dhe të deklaruara nga Islam Caka, drejtor i Departamentit për Shtetësi dhe Azil në MPB. Në një konferencë për media të mërkurën, Caka tha se vetëm për tre muajt e këtij viti, janar-mars, 111 shtetas të huaj kanë kërkuar azil në Kosovë.

Mirëpo, asnjë prej tyre, sipas tij, nuk do të mund ta fitojë azilin për shkak se nuk i plotësojnë kushtet. “Aktualisht në kuadër të departamentit asnjë vendim nuk është pozitiv për arsye se shumica prej tyre nuk i kanë plotësuar kushtet ose pretendojnë ta përdorin Kosovën si transit. Moshat dhe shtetet janë të ndryshme”, thotë ky zyrtar për Express. Sipas tij, numri më i madh i atyre që kërkojnë azil në Kosovë janë nga Afganistani, Maroku, Nigeria, Pakistani, Somalia, Sudani, Tunizia, Bregu i Fildishtë apo Bosnja dhe Hercegovina.

“Mirëpo, jo të gjithë janë të strehuar në shtëpinë e azilit që gjendet në Prishtinë. Për shkak të mungesës së objekteve, një numër i azilkërkuesve është vendosur në hotel “Gowana” në periferi të Prishtinës. Për këtë shkak, Kosova shpenzon nga 39 euro në ditë për person për akomodimin e secilit”, thotë zyrtari i MPB’së. Pavarësisht kësaj, drejtor Caka shpreson se së shpejti do të ndërtohet edhe një qendër e izolimit për azilkërkuesit, e që do të ketë shpenzime më pak.

“Kjo qendër pritet të ndërtohet në fshatin Magure dhe do të financohet nga Komisioni Evropian, dhe do të jetë lehtësim për ne”, thotë Islam Caka. Ai tregon se Departamenti për Shtetësi dhe Azil pretendon që të ketë një qendër të përkohshme të izolimit, në mënyrë që Kosova mos të merret si destinacion për t’ia mësyrë Evropës. Në konferencën e cila është mbajtur së bashku me zyrtarë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës, Islam Caka ka nxjerrë edhe statistikat për tremujorin e parë të këtij viti nga Departamenti për Shtetësi.

Nga këto të dhëna del se derisa shumë të huaj e duan shtetësinë e Kosovës, ata që e kanë këtë shtetësi, për arsye të ndryshme heqin dorë nga ajo. Kështu, vetëm për këta tre muajt e parë të këtij viti, 1 mijë e 19 shtetas të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia e tyre e origjinës, për ta pranuar atë të një vendi tjetër. Kërkesat për lirim nga shtetësia, sipas Cakës, kryesisht vijnë nga bashkatdhetarët që jetojnë në Gjermani, Austri dhe vende nordike, të cilat me ligj nuk i pranojnë dy nënshtetësi. Megjithëkëtë, jo të gjithë të huajt që hyjnë në Kosovë lajmërohen në organet përkatëse.

Drejtori i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës, Refki Morina, tha se që nga janari e deri në mars të këtij viti janë iniciuar 106 raste për kundërvajtje, që kanë të bëjnë me qëndrim ilegal në Kosovë, për shkak se personat nuk kanë paraqitur kërkesën për letërnjoftim të përkohshëm pranë organeve përkatëse. Por, këto rregulla nuk vlejnë edhe për stafin e EULEX-it pasi, sipas Morinës, sikurse UNMIK-u më herët, tash edhe Misioni Evropian nuk e ka obligim që të lajmërohet në polici.

Morina sqaron se deri më tani dhjetë persona janë depërtuar nga Kosova, ndërkaq 182 lokale që i kanë hapur shtetasit e huaj, janë inspektuar me ç’rast shumë prej tyre janë gjetur se punojnë pa dokumente të nevojshme dhe disa të tjerë kanë rënë ndesh me Ligjin e Punës. Pikërisht për të gjitha këto, Policia e Kosovës nisi të mërkurën kampanjën ku qytetarët e huaj, përmes shpërndarjes së fletushkave, do të njoftohen me procedurat e marrjes së shtetësisë së Kosovës. Udhëzuesi për të huajt, të cilët hyjnë në territorin e Kosovës, është përpiluar në tri gjuhë, shqipe, angleze dhe serbe dhe përmban parimet themelore të cilat duhen plotësuar nga çdo qytetar, i cili nuk dëshiron të ballafaqohet me dispozitat ligjore.

Qëndrimi i të huajve në Kosovë

Qëndrimi i të huajve në Kosovë mund të jetë deri në 90 ditë, qëndrim i përkohshëm dhe i përhershëm. Por edhe qëndrimi i përkohshëm mund të jetë me qëllim pune, studimi dhe shkollimi, bashkim familjar apo për shkaqe tjera të caktuara me ligj apo marrëveshje ndërkombëtare. Pas përmbushje së kushteve të parapara ligjore, i huaji pajiset me letërnjoftim të përkohshëm për të huaj që lëshohet nga MPB. Por këta shtetas të huaj të cilët nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, mund të marrin urdhër largimi. E nëse nuk e zbatojnë këtë urdhër në afat të caktuar, atëherë personat depërtohen nga vendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›