Pulsi i pakënaqësisë
Qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur me punën e institucioneve të vendit. Madje, pakënaqësia po shkon duke u rritur. Rezultatet e fundit të anketës së Pulsit Publik, që është vazhdimësi e raporteve të paralajmërimit të hershëm të UNDP-së, tregojnë se ndërmjet prillit të vitit 2010 dhe nëntorit të po këtij viti, niveli i kënaqshmërisë me punën e Qeverisë së Kosovës dhe të Kryeministrit ka rënë me rreth 4 dhe 6 pikë përqindje, respektivisht ka shënuar nivelet më të ulëta ndonjëherë që
nga marsi i vitit 2007.
Megjithatë, në mesin e të gjitha institucioneve, rënia më e madhe që nga prilli i vitit 2010 është ajo me 24 pikë përqindje e nivelit të kënaqshmërisë me punën e Presidentit, duke shënuar kështu nivelin më të ulët ndonjëherë, me vetëm 31 për qind të njerëzve të kënaqur me punën e tij.
Rreth 67 për qind e të gjithë të anketuarve janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës, përkundër më pak se 10 për qind që janë shprehur të kënaqur apo shumë të kënaqur dhe rreth 20 për qind që nuk janë as të kënaqur e as të pakënaqur.
Më shumë se gjysma e të anketuarve janë të mendimit se bartësi kryesor i përgjegjësisë për situatën aktuale politike në Kosovë është Qeveria (54 për qind), e pasuar nga partitë politike (17 për qind) dhe EULEX-i (9 për qind).
Ndërkohë, vetëm rreth një e katërta e të gjithë të anketuarve konsiderojnë se proceset demokratike të Kosovës janë duke shkuar në drejtimin e duhur
dhe janë mirë të institucionalizuara në krahasim me pothuajse gjysmën e tyre, të cilët nuk pajtohen.
Rreth 72 për qind e të anketuarve të të gjitha etnive janë shprehur të pakënaqur me drejtimin ekonomik, në të cilin është duke shkuar Kosova, përkundër 6 për qind që janë shprehur të kënaqur.
Sa i përket asaj se kush mban përgjegjësinë kryesore për gjendjen ekonomike të Kosovës, 71 për qind e të gjithë kosovarëve e vendosin këtë përgjegjësi mbi Qeverinë, më pak se 9 për qind mbi bashkësinë ndërkombëtare (EULEX, ICO dhe UNMIK), rreth 6 për qind mbi pushtetin
lokal dhe vetëm 2 për qind mbi komunitetin e biznesit.
Rreth 72 për qind e kosovarëve duket të jenë të gatshëm dhe të kenë vullnet për t’iu bashkuar protestave publike të organizuara për shkak të arsyeve ekonomike, në krahasim me 59 për qind e tyre që do të bënin të njëjtën gjë për arsye politike.
Ndërkohë, rreth 63 për qind e të anketuarve presin që gjendja ekonomike të përmirësohet gjatë dy viteve të ardhshme, përkundër rreth 17 për qind që besojnë se situata do të mbetet e pandryshuar, e 6 për qind se ajo do të përkeqësohet.
Sipas të dhënave të anketës, kosovarët identifikojnë papunësinë (30 për qind) dhe varfërinë (29 për qind), si dy problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova. Problemi i tretë kryesor është korrupsioni (11 për qind).
Për sa i përket punësimit në sektorin publik, 32 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare janë faktori më i rëndësishëm, pasuar prej 24 për qind që besojnë se ryshfetet janë faktori më i rëndësishëm.
Kur një person kërkon të punësohet në sektorin publik, vetëm 12 për qind e të anketuarve besojnë se arsimimi është i rëndësishëm, ndërsa 10 për qind besojnë se besnikëria ndaj partisë është gjëja më e rëndësishme.
Sa i përket mundësisë për normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, rreth një e treta e të gjithë të anketuarve besojnë së këto marrëdhënie do të normalizohen në një të ardhme të largët. Kurse, rreth 18 për qind besojnë së këto marrëdhënie do të normalizohen në të ardhmen e afërt, aq sa edhe besojnë se këto marrëdhënie nuk do të normalizohen kurrë. Vetëm 3 për qind besojnë se marrëdhëniet ndëretnike në mes të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës tashmë janë normale.
Rreth 46 për qind e serbëve të Kosovës (për dallim nga 6 për qind, sa ishte në prillin e vitit 2010) do të pajtoheshin të punonin me shqiptarët. 45 për qind (për dallim nga 6 për qind në prillin e vitit 2010) do të pajtoheshin të jetonin në të njëjtën rrugë me shqiptarët.
Shqiptarët vazhdojnë të jenë shumë të kënaqur me punë e institucioneve të sigurisë në Kosovë. Rezultatet e anketës së Pulsit Publik në nëntor të
vitit 2010 tregojnë se kënaqshmëria e tyre me KFOR-in është rritur për rreth 12 pikë të përqindjes nga prilli i vitit 2010, përderisa kënaqshmëria e tyre me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policinë e Kosovës nuk është rritur aq shumë.
Niveli i kënaqshmërisë së shqiptarëve të Kosovës me Policinë e EULEX-it ka pasur një rënie të vogël prej rreth 4 pikë të përqindjes nga prilli i vitit 2010. Në mesin e serbëve të Kosovës, kënaqshmëria me institucionet e sigurisë në Kosovë ka pasur një rritje të konsiderueshme nga prilli i vitit 2010. Në të vërtetë, kënaqshmëria e tyre me KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe Policinë e EULEX-it ka pasur një rritje 18, 14 dhe 13 për qind.
Kënaqshmëria e tyre me FSK-në po ashtu është rritur për gjithsej 5.5 pikë të përqindjes.
Duket se ka një rritje mjaft të madhe në përqindjen e të anketuarve që mendojnë se kanë qenë të diskriminuar në gjashtë muajt e fundit. Rreth 15 për qind e shqiptarëve, 22 për qind e serbëve dhe 32 për qind e të anketuarve nga pakicat tjera thanë se kanë pasur situata kur ata janë ndier të diskriminuar.
Rezultatet e anketës bazohen në hulumtimin e opinionit me një mostër të përfaqësimit prej 1290 qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18 vjeçare, të të dyja gjinive, të të gjitha grupmoshave dhe nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke mbuluar si zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Mostra përfshinte 830 shqiptarë, 230 serbë dhe 230 pjesëtarë të pakicave joserbe (turke, boshnjake, gorane, rome, anshkali dhe egjiptiane). Hulumtimi është kryer prej 7 deri më 25 nëntor 2010.