Na duheni, por të heshtur!
Dalja e LSI nga një koalicion qeverisës që krijonte edhe motin në Shqipëri, dhe që solli shumë stuhi e tornado shkatërruese për demokracinë në mandatin e dytë të Berishës, zuri gafil shumë njohës të rrethanave politike, madje edhe shumë politikanë dhe gjysëm confidant-ët e Ramës dhe Metës.
Kapërcimi i ylberit politik shkaktoi zgurdullisje sysh pikërisht për faktin se ngjala do linte një kënetë politike për të jetuar në një lagunë të tillë, por me dalje në det.
Personalisht me sforco e kam konceptuar dhe kapërdirë këtë marrëveshje si një lëvizje normale për një Shqipëri shumë më normale, si një domosdoshmëri për çmontimin e super-shtetit të Berishës në një plan afatshkurtër dhe jetike për shpëtimin e demokracisë si sistem në fund të fundit.
Por si çdo gjë në jetën e përditshme, edhe në jetën politike, ekstremet janë të rrezikshme dhe duhen trajtuar me elegancë dhe kujdes të posaçëm.
Bie në sy këto ditë një rendje e shfrenuar eksponentësh të LSI për të kundërshtuar zhvillimet e fundit politike në relacion me hakmarrjen e kryeministrit të tyre të para një muaji, apo për të justifikuar rotacionin e pritshëm, por jo domosdoshmërisht të garantuar.
Qartazi ka mendjelehtësi, mosreflektim, jozgjuarsi dhe amatorizëm, dhe mbi të gjitha nevojë për rehabilitim. Por frikshëm nuk është duke u ndjekur qasja adekuate, duke bërë më shumë dëm sesa lavazh politik.
Shume nga këta eksponentë, ish- ministra apo zv-ministra, ende nuk e kanë kaluar realisht periudhën e reflektimit me banorët e shtëpisë ku janë rikthyer, të cilëve u kanë nxjerrë zorrët e barkut me të vjellat e shkaktuara nga qëndrimet, flirtimet dhe prononcimet politike apo praktikat qeverisëse, dhe siç flitet korruptuese, kur flinin në një shtrat me Berishën dhe qeverinë e tij, shpesh duke lënë pas edhe disa nga figurat më irrituese të partisë, ende në pushtet.
Kur i shikon të njëjtët njerëz që kanë në fund të prillit fjalor dhe pozicionime politike 180 gradëshe sa amorale dhe imorale, krahasuar me fund marsin, jo vetëm riskojnë apati elektorale, por padrejtësisht nxjerrin Berishën në një dritëhije të pamerituar ndershmërie politike.
Pikërisht atë njeri që ngriti në sistem pafytyrësinë politike, duke ngrënë atë që kishte pështyrë, siç kanë qenë deklaratat për kryerivalin e tij politik dikur, e më pas edhe aleat, Fatos Nanon. Këtë modus vikendi politik më pas e hipotekuan shumica e klasës politike, përfshi edhe aspirantët e rilindur të pushtetit.
Emergjenca demokratike në rastin më ideal dhe naiv, apo emergjenca për protagonizëm dhe gjakimi për mbret-krijime pushtetesh, e cila merr një symbyllje të vetëdijshme në kushtet e së keqes më të vogël përkundrejt fatales më mirë djallin që njohim, lipset të shoqërohet me karantina politiko-mediatike, qofte edhe të përkohshme, si mjet në marrëdhëniet me publikun.
Fronti i ridimensionuar politik i opozitës ka përballë një mbijetues politik të pashoq si Berisha, por edhe një degustim dhe prevalencë kokëfortë njerëzish ndoshta me nuhatje politike jo aq makiaveliste, por me vlera morale absolute, që mund të përkthehen në letargji dhe apati politike në 23 qershor.
Ky probabilitet nuk mund të injorohet, nëse ata që dikur ishin anti-heronj për shumicën e opozitarëve, apo heronj të pushtetit aktual, nuk do të rrinë të heshtur, edhe pse janë argumentueshëm një e keqe e domosdoshme për zëvendësimin e Berishës dhe sistemit të tij kleptokratik financiar, politik dhe elektoral, i cili deri në fyerje për inteligjencën e shqiptarëve të 2013-ës, këmbëngul të luajë ende edhe për një mandat tjetër muzikë në veshët e tyre, si një kasetofon i fillimviteve 90 në botën e iPad-it.
