I mbijetuari politik por edhe për pak
(Esse Opus vitae)*
Prolog
Sundimtari i mbijetuar me dhunë, ka të gjallë brenda vetes ndjenjën e rrezikut të humbjes së pushtetit.
Ky ankth bëhet edhe më i fortë kur shtohet numri i keq i urdhrave të tij për tu zbatuar. Dyshimet që e brejnë mund ti qetësojë vetëm duke dhënë një shembull. Dhe kësisoj do të urdhërojë të zbatohet edhe një dënim me vdekje për hir të vetvetes dhe jo ngaqë ka aq shumë rëndësi faji i viktimës. Kohë pas kohe do të ketë nevojë të bëjë ekzekutime. Sa më me shpejtësi ti shtohen dyshimet, aq më të shpeshta do të jenë edhe ekzekutimet.
Çdo ekzekutim që urdhëron vetë, i jep njëfarë force. Kjo është forca e mbijetesës, që ai përfiton në këtë mënyrë. Nuk është e thënë që viktimat të kenë dalë hapur kundër tij, rëndësi ka fakti dhe grup-fakti që edhe mund ta kishin bërë një gjë të tillë. Ankthi i humbjes së pushtetit, që nuk i ndahet i shndërron të dyshuarit në armiq. Edhe këta i dënon dhe i zhduk, kurse vetë ka mbijetuar…
Vrasja si mjet mbijetese politike
Çasti i mbijetesës politike është çast i pushtetit. Tmerri që duhet ti hyjë njeriut kur shikon një të vdekur, tani shndërrohet në kënaqësi, ngaqë e kupton se nuk ka vdekur ai vetë.
I vdekuri, apo të vdekurit rrinë të shtrirë, i Mbijetuari qëndron në këmbë, thua se pak më parë është zhvilluar një përleshje dhe se të vdekurin apo të vdekurit, i ka vrarë vetë i Mbijetuari politik.
Në aktin e të mbijetuarit njëri është armik i tjetrit: krahasuar me këtë triumf parësor, çfarëdolloj dhimbjeje qoftë me 26-të të vrarë e mijëra të plagosur apo dhe me 4 të vrarë e dhjetëra të plagosur, është gjë e vockël, e parëndësishme për të.
Por ka rëndësi ndërkaq që i Mbijetuari politik të qëndrojë i vetëm përballë një ose më shumë të vdekurve. Ai si njeri e shikon veten fillikat, ndihet i vetmuar, dhe, kur është fjala për pusht-shtetin që i jep ky çast, i Mbijetuari politik nuk harron kurrë se ky pusht-shtet i buron tanimë prej natyrës së papërsëritshme të këtij çasti dhe vetëm prej saj.
Dëshira e tij njerëzore për pavdekësi fizike e politike, përmban në vetvete diçka prej manisë për të mbijetuar me çdo kusht, me çdo mjet dhe me çdo çmim.
Ky i Mbijetuar politik nuk do vetëm të jetojë, ai dëshiron të jetë gjallë kur të tjerët nuk rrojnë më, sepse ai i ka shpërblyer me pensionin politik, brenda dhe jashtë familjes së tij politike.
Ai ka dëshirë të bëhet e të mbetet më plaku dhe ta dijë një gjë të tillë në gjallesë; kur ai vetë sdo të rrojë më, të tjerët duhet ta kujtojnë këtë, sa herë të dëgjojnë emrin e tij, pas Skënderbeut dhe Ismail Qemalit
Forma më e ulët e mbijetesës në shoqëri është VRASJA, si akt.
Njësoj siç vret kafshën me të cilën ushqehet, njësoj siç rri ajo e pambrojtur përballë njeriut, i cili mund ta presë atë në copa, e ti ndajë këto copa për vete e për familjen e tij, po ashtu kërkon dhe i Mbijetuari politik të vrasë edhe njeriun që i bëhet pengesë, që i kundërvihet, që i del përballë si armik. Dëshiron ta çajë dysh atë njeri, që të ndiejë se vetë është akoma gjallë, kurse ai tjetri nuk rron më.
Por, megjithatë sduhet ta zhdukë krejt, sepse prania e tij fizike si kufomë është e domosdoshme për këtë ndjesi triumfi. Tani mund të bëjë me të çfarë të dojë, sepse ai nuk i bën dot gjë. Ai është i shtrirë dhe do të rrijë i shtrirë përgjithmonë; ska për tu ngritur më kurrë. Mund tia marrë armën presidenciale, fytyrën e shitur politike, dhëmbët ministrore; mund tju këpusë pjesë nga trupi dhe ti ruajë si trofe të përhershme. Ky çast i ballafaqimit me të vrarin politik e ngushëllon të Mbijetuarin me një pusht-shtet krejt të veçantë, që smund të krahasohet me asnjë lloj tjetër pushteti. Është pusht-shteti vetëm për vete, familje, soj e sorollop.
Pra ky lloj i Mbijetuari politik ka të bëjë me shumë të vdekur. Duke marrë pjesë në betejë, shikon si bien të tjerët rreth tij. Dhe shkon në betejë me synimin e vetëdijshëm për ti bërë ballë armikut brenda dhe jashtë familjes politike.
Qëllimi i tij i shpallur është të vrasë fizikisht e politikisht, sa më shumë syresh, fshatarë gërdecarë në mjerim rural, qytetarë protestues në bulevard, kundërshtarë politikë, aleatë ndërkombëtarë, demokraci perëndimore, Kushtetutë, ligje, institucione të pavarura, gjyqtarë, prokurorë, këqëzistë e radhë pa fund. Fitorja e mjetet e tij varen vetëm nga arritja e këtij qëllimi.
I Mbijetuari politik mendon vetëm se, fitorja dhe mbijetesa përkojnë tërësisht. Këtu nuk ngopet i Mbijetuari se edhe fitimtarët duhet të paguajnë çmimin e vet. Midis të vdekurve rrinë shtrirë dhe shumë njerëz të tij si dhe gjithëlëpirës ditor apo stinor të politikës. Në fushën e betejës së tij politike, midis të vdekurve dergjen të përzier miq e armiq, ish-miq e ish-armiq, pirgu i të vdekurve është i përbashkët.
Dhe përballë këtyre pirgjeve me të rënë qëndron i Mbijetuari, si njeri i lumtur e i përkëdhelur i fatit të tij politik. Fakti që ai edhe njëherë e shpëtojë jetën e vet politike, ndërsa kaq shumë të tjerë, e humbën për pak kohë apo përgjithmonë, është një lumturi dhe mrekulli e madhe.
Ai mendon se të vdekurit e tij politikë rrinë shtrirë shpresëshuar, kurse Ai rri në këmbë midis tyre, dhe ngjan sikur ato beteja u bënë që Ai të mbijetonte.
Vdekja politike dhe njëherë ndërroi rrugë, duke mos shkuar tek Ai, por tek të tjerët, 4 për cudi, në tradhti e arrati politike.
Mu aty, në mes të shokëve dhe miqve të çastit e rastit dhe shërbëtorëve të tij politikë, u ballafaqua dhe një herë me vdekjen politike. Fatkeqësisht, ka ende disa që ranë e bien politikisht vetëm për të. Ai veç mbeti gjallë dhe vazhdon përkohësisht të krekoset.
Epilog
I Mbijetuari me dhunë i politikës në tokë, e ka shumë më të vështirë mbijetesën se Perëndia. Ai nuk mund të rrojë përjetësisht; nënshtetasit e tij e dinë se edhe ditët e tij e kanë një fund të caktuar. Madje ky fund dhe po përshpejtohet. Njëlloj siç ndodh me fundin e kujtdo tjetër në Demokraci, edhe Atij mund ti vijë fundi shumë shpejt nëpërmjet- Votës
Por edhe për pak janë veç pak ditë.
Nuk ka më asnjë dyshim:
Ka të vrarë politikë, të mbijetuar pas 97-ës nga real politikat pragmatiste, që duhen rivrarë me votë politike përfundimisht.
Sqarime mbi gjënë:
1. Risi politike të qeverisjes.
Në dinastitë jetëgjata të dhunës, çdo fëmijë trashëgimtar froni është rebeluar kundër Atit, dhe çdo baba ka luftuar kundër fëmijëve suksesorë rebelë.
Sot ka
