E Diel, 1 Nëntor 2026

Laikët të rizbulojnë përgjegjësinë, që kanë si të pagëzuar

18-04-2013 / Gazeta 55

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: “Jezusi është avokati, që na mbron nga e keqja e nuk na lë kurrë vetëm”

Jeta e krishterë është sintezë e lutjes dhe e veprimit. Duhet jetuar me sigurinë se Krishti është gjithnjë pranë nesh e na mbron nga joshjet e së keqes. Janë disa nga pohimet e forta të Papës Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë 80 mijë besimtarëve. Papa foli për Ngjitjen e Krishtit në Qiell, duke pohuar se me të, njeriu fitoi një avokat pranë Hyjit.Hyji Atë është dashuri, prej këndej, nuk është gjykatës i njeriut, ashtu si Biri nuk është akuzues, por dalzotës, që e mbron njeriun nga e keqja, e mbron gjithnjë. Mënyra sesi foli Papa për të Ngjiturit e Krishtit në Qiell, i preku thellë zemrat e 80 mijë njerëzve, që mbushnin përplot Sheshin e Shën Pjetrit dhe i duartrokisnin vazhdimisht fjalët e Françeskut. Papës, që di të prekë sa me fjalë, aq edhe me gjeste, si gjesti simpatik, gjatë takimit me besimtarët rreth Sheshit të Shën Pjetrit, kur ndërroi kësulën e tij të bardhë me një tjetër, zgjatur prej njërit nga besimtarët pas parmakut. Gjest tejet njerëzor, i përzemërt, si ai që mund ta bëjnë dy të rinj të cilët, në shenjë miqësie, shkëmbejnë kapelet. E njëkohësisht edhe gjest që i bëri besimtarët t’i kuptojnë më thellë fjalët: “Jezusi është gjithnjë pranë njeriut, është avokati ynë, dalzotësi ynë, mbrojtësi ynë pranë Atit”, që Papa do t’i shqiptonte pak më vonë, duke cituar Shën Gjonin: “Është gjë e bukur ta dëgjosh këtë, apo jo? Kur ndokush thirret nga gjykatësi, ose paditet në gjyq, gjëja e parë që bën është të kërkojë një avokat për ta mbrojtur. Ne e kemi një, që na mbron gjithnjë, na mbron nga joshjet e djallit, na mbron nga vetvetja, nga mëkatet tona. Të dashur vëllezër e motra, e kemi këtë avokat: e nuk kemi frikë të shkojmë tek Ai e t’i kërkojmë të falur, t’i kërkojmë të na bekojë, të ketë mëshirë për ne! Ai na fal gjithnjë, është gjithnjë avokati ynë: na mbron gjithnjë! Mos e harroni këtë!”.
Kjo është pasoja e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell. E Papa Françesku e nënvizoi pak më pas, me një figurë tjetër simbolike: “Ai është si ngjitësi i parë që, duke u prirë të tjerëve në majë, arrin aty i pari e i tërheq të gjithë, duke u prirë kah Zoti. Nëse ia besojmë jetën tonë, nëse e lëmë të na prijë, jemi të qetë, sepse në dorë të sigurtë, në dorën e Shëlbuesit tonë, të avokatit tonë”.
Duke folur për Jezusin e ngjitur në qiell, Papa Françesku u ndalua tek pohimi i “Besojmës”. Posaçërisht ‘Ngjitja e Krishtit në Qiell’ , vërejti, ka pasoja praktike mbi të përditshmen e fesë: “Edhe ne duhet ta kemi të qartë, në jetën tonë të krishterë, se hyrja në mbretërinë e Hyjit kërkon besnikëri të përditshme ndaj vullnetit të Tij, kërkon edhe flijime e, nganjëherë, na kërkon edhe t’i ndërrojmë programet tona”.
Të njëjtat programe, të cilat Jezusi i ndërroi duke u ngjitur në qiell para Apostujve, duke u zhdukur nga sytë e tyre, e njëkohësisht, duke u bërë edhe më i afërt për ta e për misionin e tyre në fasha. Madje më i afërt, se kur ishte fizikisht ndërmjet tyre. Edhe ky aspekt, kujtoi Papa Françesku, është një tregues kuptimplotë jete për të krishterët e sotëm: “Të dashur vëllezër e motra! Ngjitja e Krishtit në Qiell nuk tregon mungesën e Jezusit, përkundrazi: na thotë se Ai është i gjallë mes nesh në një mënyrë të re. Është pikërisht ftesë që të nisemi nga kundrimi i Jezusit, zotërues i universit, për të pasur prej tij forcën e dëshmimit të Ungjillit në jetën e çdo dite: të kundrojmë e të veprojmë, ora et labora, na mëson Shën Benedikti: si lutja, ashtu edhe puna, janë të dyja njëlloj të nevojshme në jetën tonë të krishterë”.
Ky ishte mësimi i Papës në katekizmin e sotëm. Pastaj, pëshëndetja në gjuhën italiane drejtuar turmës, pas përmbledhjes së katekizmit në gjashtë gjuhë nga një folës. E mbyllja, edhe ajo e përshkuar nga entuziazmi, kur Papa u drejtoi të rinjve, shumica studentë, të pranishëm në Shesh, ftesën: “Të jini gjithnjë gati për ta ndjekur me entuziazëm. I riu pa entuziazëm nuk mund të kuptohet! Ecni me entuziazëm pas Zotit, e? Duke e lënë Atë t’ju prijë!”.
Laikët të rizbulojnë përgjegjësinë, që kanë si të pagëzuar/Fuqia e Pagëzimit i nxit të krishterët ta kumtojnë Krishtin me guxim, edhe kur persekutohen: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, që si zakonisht, e kremtoi në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Të pranishëm, një grup punonjësish të Institutit të Veprave Fetare (IOR). Edhe dje, homelia e Papës u frymëzua nga Veprat e Apostujve. Bashkësia e parë e krishterë jetonte në paqe e harmoni në Jeruzalem, por pas martirizimit të Shën Shtjefnit filloi një persekutim i paparë. Shumë besimtarë ikën në Jude e në Samari, por vazhduan ta kumtonin atje Ungjillin, megjithëse të vetëm, pa meshtarë, pasi apostujt mbetën në Jeruzalem. Kjo pjesë nga Veprat e Apostujve i dha shkas Atit të Shenjtë të tërheqë vëmendjen ndaj përgjegjësisë së të krishterëve: “Lanë shtëpinë, morën ndoshta me vete pak gjëra; nuk kishin siguri, por shkuan nga një vend në tjetrin, duke kumtuar Fjalën e Zotit. Mbartnin pasurinë, që kishin: fenë. Atë pasuri, që Hyji ua kishte dhënë atyre. Ishin besimtarë të thjeshtë, të sapopagëzuar, prej një viti a ndoshta, pak më shumë. Por patën guximin të shkonin e të kumtonin Ungjillin. E njerëzit u besonin! E bënin edhe mrekulli!”.
Të krishterët e parë, vërejti Papa Françesku, kishin vetëm forcën e pagëzimit, që u jepte atyre guxim apostolik, kishin forcën e Shpirtit të Shenjtë: “Mendoj për ne, të pagëzuarit: ne e kemi këtë forcë, por a besojmë në të? A mendojmë se na mjafton pagëzimi për të ungjillëzuar? Apo ‘shpresojmë’ që prifti të thotë, që ipeshkvi të thotë… Po ne? Kështu, hiri i pagëzimit sikur mbyllet në vetvete e ne ngujohemi pas hekurave të mendimeve e të gjërave tona. Ose, nganjëherë, mendojmë: ‘Jo, ne jemi të krishterë: e kam marrë pagëzimin, krezmimin, kungimin e parë … letërnjoftimi është në rregull’. E tani, fle i qetë: je i krishterë, posi! Por ku është forca e Shpirtit, që të bën të ecësh përpara?”
Duhet t’i qëndrojmë besnikë Shpirtit Shenjt, tha Papa, që do të thotë ta kumtosh Jezusin me jetë, me dëshmi e me fjalë: “Kur e bëjmë këtë, Kisha kthehet në Nënë, që lind bij, e bij, e bij, sepse ne, bijtë e Kishës japim kontributin tonë. Por kur nuk e japim, Kisha nuk bëhet nënë, por dado, që kujdeset veç për ta vënë fëmijën në gjumë. Është Kishë e dremitur. Duhet të mendojmë për Pagëzimin, që kemi marrë dhe për përgjegjësinë, që sjell me vete”.
Papa Bergolio kujtoi persekutimet e shekullit XVII në Japoni, kur misionarët katolikë u përzunë e kur bashkësitë e krishtera mbetën për 200 vjet pa meshtarë. Kur u kthyen, misionarët i gjetën bashkësitë në aktivitet, të gjithë të pagëzuar, të gjithë të katekizuar, të gjithë të martuar në kishë. E kjo, nënvizoi Ati i Shenjtë, falë punës së të pagëzuarve: “Ne të pagëzuarit, kemi një përgjegjësi të madhe: të kumtojmë Krishtin, të çojmë përpara Kishën e amësinë e saj të frytshme. Të jesh i krishterë, nuk do të thotë të bësh karrierë në një studio për të qenë avokat, apo mjek kristian. Jo! Të jesh i krishterë… është dhuratë, që na bën të ecim përpara me forcën e Shpirtit Shenjt e të kumtojmë Jezu Krishtin”.
Gjatë persekutimit të të krishterëve të parë, tha së fundi, Papa Françesku, Zoja lutej shumë e u jepte zemër të pagëzuarve të shkonin përpara me guxim: “T’i lutemi Zotit të na bëjë të pagëzuar të guximshëm e të sigurtë se Shpirti Shenjt, që kemi brenda vetes, marrë me anë të Pagëzimit, na nxit gjithnjë ta kumtojmë Jezu Krishtin me jetë, me dëshmi e me fjalë. Ashtu qoftë”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›