E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na kanë kushtëzuar

Bozidar Djelic është zyrtari i parë i Beogradit që konfirmon se janë kushtëzuar nga BE’ja lidhur me Kosovën. Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë ka thënë se në dhjetor 2010, Brukseli ka kërkuar zgjidhje për vulat doganore, pikat kufitare si dhe përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale si kusht për kandidaturën në BE. Nga Express më 18 gusht 2011 në ora 11:33

Serbisë i është kushtëzuar me Kosovën statusi i kandidatit për në Bashkimin Europian para nëntë muajsh, por kjo është mbajtur fshehtë nga Beogradi.
Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë për integrime europiane, Bozidar Djelic, është zyrtari i parë serb që ka konfirmuar publikisht se në dhjetor të vitit të kaluar BE’ja, përveç kushteve lidhur me arrestimin e kriminelëve të luftës, ka kërkuar zgjidhje edhe për tri çështje konkrete që kanë të bëjnë me raportet e Serbisë me Kosovën.

“Zgjidhjet për vulat doganore, vendkalimet kufitare dhe pjesëmarrja e funksionarëve të Kosovës në takimet rajonale nuk janë kushte të reja për të fituar statusin e kandidatit në BE”, ka thënë Djelic, të mërkurën, në një intervistë për Radio B92.

“Autoritetet serbe janë njoftuar për këtë në dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë ai.

Ai ka sqaruar se këto çështje janë në Planin e Aksionit për marrjen e statusit të kandidatit. Djelic ka deklaruar se Beogradi zyrtar, në prag të vazhdimit të dialogut me Kosovën, është duke përgatitur disa propozime për zgjidhjen e çështjeve, të cilat i ka kërkuar Bashkimi Europian.

Më 2 shtator do të mbahet takimi i radhës në Bruksel, ku do të parashtrohen çështja e vulave doganore si dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në forumet rajonale, ka raportuar B92.

“Nuk është kurrfarë fshehtësie se në korrik kemi qenë afër zgjidhjes, por aksioni i njëanshëm i Prishtinës e zhvlerësoi dialogun”, ka thënë Djelic. Me këtë ai sërish mashtron opinionin serb, sepse ka qenë ekipi negociator i Beogradit që e ka pamundësuar takimin e pestë në Beograd, një ditë para arrestimit të Goran Hadzic, i akuzuar për krime lufte në Kroaci. Përveç këtij takimi, ku është pritur pranimi i vulës së Doganave të Kosovës, të cilën e njohin të gjitha shtetet e BE’së, delegacioni serb ka pamundësuar edhe një takim në maj.

Në intervistë, Djelic ka thënë se ka njerëz që dëshirojnë të dëmtojnë pozicionin që e ka ndërtuar Serbia në Europë dhe në botë.

“Në këtë kontekst duhet kuptuar zhvillimet në veri të Kosovës. Ne do të japim maksimumin që të vijmë te kompromisi për vulat, por kurrsesi me çmim të shkeljes së vijës së kuqe të politikës sonë shtetërore”, ka thënë numri dy i Qeverisë së Serbisë.

“Sa u përket doganave, për Serbinë janë të pranueshme të gjitha zgjidhjet të cilat në ndonjë mënyrë indirekte nuk na detyrojnë në përulje për njohje të pavarësisë së Kosovës, e këtu ka shumë mundësi. Ne kemi dalë me disa propozime. Tash sërish kemi kushte për dialog”, ka shtuar ai.

Mashtrim i opinionit
Pas pranimit nga ana e Qeverisë së Serbisë se kanë marrë kushte nga BE’ja lidhur me Kosovën, para nëntë muajve, opozita serbe ka reaguar shpejt duke akuzuar pushtetin se ka mashtruar opinionin serb.

Petar Petkovic, i Partisë DSS të Vojislav Kostunicës ka akuzuar Qeverinë se “për vitet të tëra kanë mashtruar opinionin serb duke pretenduar se Kosova dhe integrimet evropiane janë dy procese të ndara”.

“Tani Djelic njofton se kushti për marrje të kandidaturës është vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën, e kjo të do të thotë pranim të vulës doganore, rregullim të kalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë si dhe pranim që separatistët shqiptarë të marrin pjesë në takimet ndërkombëtare”, tha zyrtari i DSS’së.

“Kjo rrenë e kulluar tani është zhdukur, e Djelic, në vend që të japë llogari për thyerje të plotë të politikës rreth Kosovës dhe BE’së tash shtiret se gjatë tërë këtyre viteve ka folur të vërtetën”, ka thënë Petkovic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›