E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na lini rehat, pashë Zotin!

Nga Halil Matoshi

Çka mund të thonë ende ish-komunistët e mbrapshtë shqiptarë për perspektivën euroatlantike të dy shoqërive paralele (kosovare dhe shqiptare) dhe për interesat madhore të dy kombeve?

Vërtet çka kanë ende për ti thënë kombit Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, Adem Demaçi, Rexhep Meidani e Rexhep Qosja, Alfred Mojsiu e Fatos Klosi?

Kosovarëve që po përpëliten në shtetndërtim, Tirana zyrtare natyrisht se u duhet dhënë zë në mekanizmat e diplomacisë së përbotshme për afirmimin e pavarësisë së shtetit në OKB dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, që nga Interpoli e deri te FIFA, pra duhet mbështetur ata në politikat e jashtme, por nuk kanë asnjë nevojë për të që interferohet brenda trupit politik në Prishtinë, duke gatuar të vërteta përfundimtare për ta, të tipit të Husamedin Ferajt e Arbën Xhaferit, për narracionet e mëdha, që janë tipike për Republikën Serbe në raportet e saj inferiore ndaj Beogradit, duke ia bartur të drejtën e kujdesit prindëror Tiranës, elitat e së cilës po sillen si paternalistë deri në shkallë imperializmi të vonuar (Shqipëria zyrtare nuk e ka luajtur këtë rol).

Pse nga kosovarët servilë piemonti shqiptar perceptohet të jetë Tirana e jo Prishtina, madje edhe nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë pjesë organike e Kosovës?

Tregimi i madh i të gjithë serbëve në një shtet dështoi, prandaj ngjashëm mund të ndodhë edhe me narracionet e mëdha të atyre kosovarëve që ende pa e përfunduar një projekt duan ta nisin një tjetër, johistorik dhe tërësisht jopolitik, një shtëpi të përbashkët (Shqipëria unike) me dy dhoma e një hajat, por me kulm që pikon shi e mërzi të skajshme, që dyfishon fukarallëkun material, mendor e shpirtëror.

Një ekspert tiranas me një emër shqiptar katolik, e me një mbiemër turk, ai se di që duke dashur të bëjë shqiptarin më të madh se kosovari, fyen dhe nënçmon çdo gjë me çka krenohet ky i fundit, që nga gjuha e deri te pavarësia shtetërore, duke e pandehur vetveten si qytetar i rendit të parë në komb, ndërsa kosovarin si të rendit të dytë.

Nisur nga kjo logjikë imperialiste, vetëkuptohet në cilat rende qytetarie mbesin shqiptarët etnikë të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës apo të Malit të Zi.

Nga çfshat kosovar e ke këtë gjuhë, më drejtohet bashkëbiseduesi në Tiranë, në një konferencë ekspertësh të të dyja vendeve.

Më duhet ti përgjigjem me cinizëm prishtinas: Nga fshati Te Shoki, që është një kafene mu në qendrën e Prishtinës.

E merrja me mend prandaj se flisni me gjuhë kafeneje e jo me standardin e shqipes, më është përgjigjur ai.

Të flas për politikën, shoqërinë, diplomacinë, integrimet dhe bashkëpunimin mes dy shteteve të popullit shqiptar, sipas variantit gegë, pra kushtimisht standardit tim, apo të shprehem sipas standardit të tij?

Cila është e drejtë?

Si ta pranoj standardin e tij të shqipes, që e lexoj dhe e shkruaj, derisa ai nuk ka rinegociuar me mua dhe me ata miliona shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë, pra me folësit e shqipes, dhe as që ia ka ëndja të debatojë për standardin tim.

Ai sillet si vëllai i madh para të cilit unë duhet të turpërohem e ta mbyll gojën, duke pohuar secilën broçkull të tij, që e shqipton sipas 72-shit me shtimung e aksent jugor?

Agon Vrenezi (ekspert i të drejtave të njeriut) me cinizëm më thoshte se disa kosovarë në përpjekjet e tyre politike vijnë në Tiranë për të marrë dorë, si Milorad Dodik i Republikës Serbe që shkonte dikur te fashisti Milosheviq e tashti te demokrati Tadiq…

Po çfarë mund të marrë kosovari nga shqiptari që e pozicionon veten nballë toxhakut në odën panshqiptare?

Unë asgjë. Në komb nuk hyhet me rende qytetarie, kombet shkatërrohen pikërisht nga intenca të tilla.

Prandaj dy shoqëritë me shumicë shqiptare duhet të debatojnë e të rinegociojnë për gjuhën, për shkëmbimet kulturore e ekonomike, për ligjet dhe interesat madhore të të dyja shteteve, e jo ti marrin instruksionet në formën e tyre të prerë, përmes diktatesh që formësohen në Tiranë.

Me luftën e Kosovës (Rusia nuk e mbrojti dot Serbinë nga NATO-ja) ka ndryshuar bota, përfundimisht piemontët janë dalë nga skena e politikëbërjes e bashkë me to edhe qarqet e influencës së kombit, (baballarët e kombit) dhe narracionet e mëdha duke e vjetruar edhe teorinë e Stalinit për kombin, që e ka përvetësuar mendësia shqiptare në mënyrë aq jo kritike. Sipas Jacques Maritain, si çdo komunitet tjetër, kombi është pa krye: ai ka elita dhe qendra influence, por jo ndonjë kryetar apo autoritet qeverisës; ka struktura, por jo forma racionale ose organizata juridike; ka pasione dhe ëndrra, por jo një të mirë të përbashkët; ka solidaritet ndërmjet anëtarëve të tij, besnikëri e nder, por jo miqësi qytetare; ka zakone e doke, por jo norma e rend zyrtar. Së këndejmi ata që mëtojnë ta influencojnë kombin unik shqiptar, siç e perceptojnë, harrojnë se shtetndërtimi në Kosovë ka ardhur nga kondita të tjera të zhvillimit 100-vjeçar historik dhe politik, dhe se në komb nuk ka rende qytetarie, por me këtë ata tërthortë e pranojnë se jemi dy kombe dhe sjellja e tyre gati imperialiste e dëshmon se kombi nuk bëhet shtet por shteti bën që të ekzistojë kombi. Prandaj shteti i Kosovës si realitet në marrëdhëniet ndërkombëtare bën që të ekzistojë kombi kosovar, sepse Kosova tashmë është shoqëri politike, që ka trupin e vet politik që ushqen shtetin me norma e ligje.

Shoqëria shqiptare dhe ajo kosovare mund ta përdorin lidhjen etnike, tradicionale e historike për ti dhënë vlera tregut unik shpirtëror e material, pra edhe mallra e ide, por jo diktate e interferime në trupin (edhe ashtu të sëmurë) politik, sidomos atij kosovar.

Derisa Shqipëria shkëmben mallra me Kosovën vetëm 2% (rreth vetëm 15 milionë euro në vit), cila është e drejta e Tiranës për ti influencuar së këndejmi politikat e Prishtinës?

Kosovarët hanë mollë të Tirolit Jugor, pashteta Argeta e keksa Bambi dhe pinë ujë San Pelegrino, si të mësohen të hanë edhe politika të forta të Tiranës?

E kanë zor!

Pastaj në Tiranë pakkush mendon për faktin se duhet mbështetje e gjerë ndërkombëtare (janë ende në fuqi tri parimet e panegociuara të Grupit të Kontaktit) dhe mbi të gjitha duhet konsensus i fqinjëve të shqiptarëve për çfarëdo unifikimi të tyre në një shtet. Por po ata që të flasin me zë të lartë për marrjen e Kosovës, në anën tjetër shfaqin frikë nga ky unifikim, sepse druajnë nga cenimi i ekuilibrave brenda trupit politik në Shqipëri (e majta-e djathta; jugu-veriu etj.).

Po ashtu edhe toleranca ndërfetare mes kombit shqiptar (Republika e Shqipërisë) është shumë më reale sesa ndër shqiptarët e ish-Jugosllavisë, përkatësisht Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës.

Në këtë kontekst ndërhyrja e Vrenezit për liberalizimin e vizave dhe përjashtimin që bën Shqipëria nga vendet e rajonit për sa u përket pajisjes së shqiptarëve kosovarë me pasaportat e shtetit shqiptar, për ti realizuar shërbimet e Schengenit të bardhë, u pa nga ekspertët tiranas si kërcënim i këtyre ekuilibrave, sepse paragjykohej se të gjithë kosovarët e votojnë të djathtën, përkatësisht Sali Berishën. Kjo dëshmon se interesi madhor i këtyre dy shoqërive paralele, që perceptohen si shqiptare (sepse nuk janë shtete të kombit shqiptar, e mund të bëhen bashkë një ditë ose edhe mund të forcojnë identitetet e tyre të veçanta) është pikërisht shtetndërtimi i plotë në Kosovë dhe afirmimi i tij në OKB e BE.

Këto dy shoqëri surreale duhet së pari të njohin njëra-tjetrën, etnopsikologjinë dhe strukturën e funksionimit të tyre si shoqëri politike (nëse janë avancuar deri në këtë shkallë?), tek pastaj të mendojnë për ide më të mëdha.

Thjesht, këto dy shoqëri ballkan

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›