E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të përballemi me të kaluarën

SADIK BEJKO

Ciceroni, shtetar, filozof e avokat në Romën e para 2100 viteve, në rininë e tij u bë i famshëm se fitoi një gjyq me thirrjet qui bono? (kush përfitoi prej krimit?) dhe çfarë shoqërie po ndërtojmë?. Me këto thirrje, Ciceroni u ndesh në gjyq me të fortët e kohës. Këta kishin vrarë një pronar tokash, kishin përvetësuar tokat e tij dhe ia akuzonin të birin si atëvrasës. Ciceroni e shpëtoi këtë njeri nga akuza e atëvrasjes… Që nga ky gjyq e deri më sot, në praktikën e hetimit të një situate të ndërlikuar kriminale, pyetja kush përfitoi prej krimit? mbetet një nga çelësat që mund ta çojë hetuesin te vrasësi. Shtruar në terma të tjerë, mund të thuash se gjithë kapërthimet e përplasjet e vullneteve dhe të energjive në një a në cilëndo shoqëri, hapin shtigjet në arritjen e një pozite sa më të lartë në fuqi e në pasuri. Një shoqëri e hapur e nxit konkurrencën e energjive të tilla, por… brenda një kuadri ligjor të dhënë. Të fortëve, kur u hap udhë, nëpërkëmbin ligjin, korruptojnë shtetin, bëjnë dhe krime për tu rritur në fuqi e në pasuri.Shtysën për tiu referuar Ciceronit ma dhanë dy-tri ngjarje mediatike që po zënë vend prej ditësh në faqet e shtypit. Ka vite e vite që në shtyp përtypet dhe ripërtypet historia e gjeneralëve të ushtrisë, të cilët, siç ka thënë Hito Çako, një nga të pushkatuarit e kësaj kaste, shkuan si qeni në vresht: i shërbyen regjimit dhe u vranë po prej tij. Nuk është vetëm keqardhja dhe nostalgjia e ligjshme që ngjall eliminimi i besnikëve të regjimit nga shefi i regjimit për një vëmendje mediatike kaq të qëndrueshme prej vitesh. Ka edhe diçka tjetër. Një pjesë e mirë e klasës së re që ka ardhur në fuqi e në pasuri në këto vite vjen nga shtresa e ish-komunistëve të ndëshkuar po nga komunistët. Kjo biografi me gjeneralë e viktima rrit kredencialet e këtyre në të sotmen.
Ngjarja e dytë lidhet me zbulimin e eshtrave të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit. Kjo histori u përcoll prej shtypit si një lajm rutinë dhe shpejt u shua. Edhe se Presidenti i Republikës i nderoi ata me një titull të lartë nderi, veç kronikës, lajmi nuk prodhoi emocione të cilësuara.
Ngjarja e tretë mediatike që vazhdon të jetë e ndezur ka të bëjë me qëndrimin e shkrimtarëve në raport me krimin e denoncimit dhe të spiunimit të kolegëve të tyre. Ndjeshmëria e publikut është e lartë përballë faktesh të tilla se figura publike e të nderuara papritur zbulohen dhe në një anë tjetër që nuk i nderon, madje i penalizon. Por, fajësimi dhe vetëfajësimi i shkrimtarëve (jo se nuk duhet bërë) e fsheh dhe e largon vëmendjen nga burimet reale të krimit të së shkuarës diktatoriale. Denoncimi i këtij krimi te rrënjët, shqyerja e kapakëve të arkivit të krimeve të tilla, ngjan se nuk i intereson askujt. Çfarë shoqërie po ndërtojmë? Qui bono?, do të thërriste Ciceroni.
Historia e Tom Ndojës dhe e Sokol Sokolit është e denjë për një poemë heroike, por shoqëria e sotme nuk i gëlltit dot ngjarje të tilla. Mbase se kështu është gatuar psikologjikisht. Mbase se në raportet e shoqërisë së sotme me fuqinë dhe pasurinë, historia e tyre nuk paraqet interes. Kapaku i krimeve të komunizmit quhet i mbyllur. (Për ish-gjeneralët puçistë mbetet i hapur). I dënoi ajo kohë. Koha vdiq. Dhe ata që vrau ajo vdiqën bashkë me të. Edhe viktimat që kanë mbetur gjallë duhet të heshtin. Dikur këta mbase qenë heronj, por koha e sotme nuk ka nevojë për heroizma. Sot shëndet dhe pare, se të tjerat i dimë vetë. Pra, po ndërtojmë shoqërinë e të fortëve e të kamurve me çdo mjet, me çdo rrugë.
Si argument shtesë në këtë vazhdë më vjen historia e F. Kokomanit dhe V. Lezhos. Edhe kjo një ngjarje mediatike e rimarrë këto ditë. Sipas dëshmisë në shtyp të Maks Velos, Fadil Kokomani, njeri me fuqi shpirtërore dhe fizike jo të zakonta, simuloi të sëmurin psikik dhe arriti tua hedhë edhe mjekëve të specializuar të kohës. U deklarua prej tyre zyrtarisht i çmendur. Sipas ligjit, ai menjëherë lirohej nga burgu, por me një kusht: dikush nga familja duhet ta merrte nën kujdestari. I vëllai dhe e motra, pjesëtarë të kastës së atyre gjeneralëve që u eliminuan më pas si puçistë, e refuzuan Fadilin, e lanë në burg. Pse? Se kur nuk të do shteti, stë do as nëna e babai, as motra e vëllai. Kjo ishte normë për klasën e lartë të atyre viteve. Dhe prapë historia e gjeneralëve, të eliminuar nga shefi i tyre, sot ka më shumë fat në shtyp e në libra përkujtimorë, sesa historia e vëllait dhe e kunatit të tyre, Fadil Kokomanit, që u pushkatua në një gjyq të inskenuar. Inskenimi që mori në qafë të burgosurin nuk impresionon, por po ai inskenim që ndëshkoi njerëzit në pushtet mbetet mbresëlënës.
Kur u braktis nga familja, F. Kokomani me V. Lezhon bënë një letër dhe kjo e bërë publike për herë të parë këto ditë – por një letër që ishte baras me vetëvrasje. Dhe i pushkatuan.
Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, pushkatuar më 1984-n, iu gjetën eshtrat, F. Kokomanit e Vangjelit, pushkatuar më 1979-n, nuk u gjendet varri. Pse? Pyetja me hamendje mund të na çojë te ai raporti me fuqinë e pasurinë në të sotmen. Nipi i F. Kokomanit, ministër Rendi pas 90-s, heshti ndaj kërkesave për gjetjen e eshtrave të dajës. Pse të interesohej? Atë që me gjallje e kishin mohuar prindërit gjeneralë, pse ta zhvarroste si histori e si realitet i nipi ministër? Fitonte (Qui bono?) a mund të humbte nga kjo? Dhe prapë ish-gjeneralët puçistë, viktima të diktaturës, gjeneralë që për diktaturën kishin viktimizuar me mijëra e mijëra njerëz, deri dhe vëllezërit e tyre, mbeten edhe sot yje në shtyp. (Çfarë shoqërie po ndërtojmë?)
Si do ta ngrinin vëmendjen e shtypit historitë e Tom Ndojës, Sokol Sokolit, F. Kokomanit, V. Lezhos etj? Përgjigjja është e lehtë: bashkë me nderimin e viktimave të komunizmit, duhet të ndëshkonim, së paku moralisht, qoftë dhe duke ua përmendur emrat në shtyp, duke i cilësuar ashtu siç kanë qenë, kriminelë, gjithë ata dhunues, operativë, policë, hetues, gjyqtarë, xhelatët-pushkatarë të tyre etj. Në arkiva ata i kanë emrat. Në Europë, ku synojmë të përfshihemi, edhe sot e nxjerrin në gjyq Demjanukun, një reshter që kryente pushkatime në kampet naziste të përqendrimit.
Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me pushkatim si terroristë në një gjyq të inskenuar, po ashtu si u dënuan dhe Fadili, Vangjeli e Xhelal Koprencka. Bashkë me ta u ridënuan dhe dhjetëra të tjerë, shokët e tyre të burgjeve. Gjyqe të inskenuara. Ishte inskenimi praktikë juridike e kohës? Jo, nuk ishte. Pra, ata i kanë dënuar duke thyer praktikat juridike të kohës. Atëherë ne pse vazhdojmë ti quajmë terroristë këta të pushkatuar? Edhe ligji i Parlamentit të sotëm për dëmshpërblimin e ish-të persekutuarve nuk e ka shfuqizuar akuzën e terrorizmit. Këta të pushkatuar nuk dëmshpërblehen si të burgosurit e tjerë.
Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli janë pushkatuar për dy fjalë: Në besën tuaj, burra. Me këtë thirrje ata u sulën dhe ua morën nga duart policëve shokun e tyre N. P. Atë po e rrihnin se nuk kishte bërë normën. Me Tomën dhe Sokolin kundër policëve të burgut u bashkuan edhe 15 të burgosur të tjerë. Pastaj, me tulla e gurë edhe njëqind, edhe dyqind dhe gjithë kampi i Qafë-Barit shpërtheu në revoltë. Pas katër orësh mbërrin me helikopter një zyrtar i Ministrisë së Brendshme. Ai kërkoi të dorëzohen Tom Ndoja, Sokol Sokoli dhe dhjetë të tjerë. Ndërkohë, kampi u sharrua nga mitralozat e ushtarëve që i kishin qarkuar nga të katër anët. Toma dhe Sokoli u dorëzuan që të mos e pësonin të tjerët. Gjashtëmbëdhjetë ditë hetuesi, gjyq, apelim, Gjykatë e Lartë, apelim në Presidiumin e Kuvendit Popullor të gjitha këto në gjashtëmbëdhjetë ditë. Të shtatëmbëdhjetën i pushkatuan. Mjeku Sinemati i Ministrisë së Rendit, tani që hetoi skeletet e zhvarrosura, konstatoi: kafka e Tomës ka qenë e thyer, e copëtuar, brinjët e Sokolit të thyera para se ti pushkatojnë. Sipas dokumenteve ar

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›