E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësi e kalbur, e plakur, e rrudhur, e shëmtuar si Sashenka!

Nga Bledi Mane

Në mbrëmjen e së premtes që sapo lamë pas, vetëm disa fishekzjarre kineze grisën qiellin e Tiranës. Lul Basha u mbajti fjalim fitoreje për herë të pestë kalimtarëve të rastësishëm para selisë së PD-së, ndërsa në bulevardin kryesor 4 vetura nga Kamza dhe 3 furgona nga Bathorja u binin borive dhe valëvisnin peshqirët blu të plazhit. Vapa ende sillej rrotull nëpër qytet, ndërsa njerëzit para se të flinin me dritaret hapur, mbushën ujë, vranë mushkonjat e u hodhën një sy lajmeve të darkës dhe atëherë kuptuan se Kolegji Zgjedhor e kishte shpallur përfundimisht fituesin e Bashkisë së Tiranës. Mes territ të natës dhe zhurmës që çliron Tirana në fundjavë, hipi në një makinë të zezë me targa VL dhe u vodh fshehurazi drejt vendlindjes Sashenka Jonuzi. Gjyqtarja legjendare vlonjate që së bashku me 8 kolegët e saj për gati 8 javë u shfaqën nëpër ekranet e televizioneve të Tiranës më shumë seç shfaqet Reiz Ciço dhe Aida (jo e Verdit) Shtino e njerëzve të gjetur, do të mbetet në memorien tonë kolektive si gruaja simbol e drejtësisë domestike. Porsi reklamat e minimoltove greke mbushur me çokollatë të skaduar, Sashenka&Co i bënë një fushatë publicitare pa shumë kosto pushtetit të tretë, na treguan nudo drejtësinë shqiptare dhe përfundimisht ia flakën brekët e grisura kësaj drejtësie brenda kazanëve blu të plehrave pas kryeministrisë.

Jam munduar gjithë këtë kohë të kuptoj sesi mund të funksionojë trysnia apo dhuna verbale kryeministrore mbi gjyqtarë profesionistë, karrieristë dhe të pjekur në moshë? Dihet botërisht dhe kushtetueshmërisht që frikë  gjyqtarët e shkallës së parë dhe apeleve duhet të kenë nga Presidenti Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe nga Kreshnik Spahiu zëvendëskryetar i KLD-së. Nuk gjen dot asnjë lloj lidhjeje mes pushtetit ekzekutiv dhe kësaj race gjykatësish, ekzekutivi në çdo rast duhet të rijë sus dhe të zbatojë vendimet që japin gjykatat e apeleve. KLD i emëron, i kontrollon dhe po të dojë i shkarkon dhe i shkatërron gjykatësit e shkallës së parë e të dytë, por jo Sali Berisha, as qeveria, as Parlamenti. Nuk e kuptoj pse kolegjistët zgjedhorë i lanë shpejt e shpejt duart dhe pëshpërisnin se nuk merremi dot me Doktorin, pse pranuan provat flagrante të vjedhjeve dhe më pas na thanë se: Kolegji Zgjedhor në bazë të nenit 135 vendosi rrëzimin e kërkesë padisë së Partisë Socialiste për shkak të tejkalimit të afateve të dorëzimit të kësaj kërkese, pse nuk sugjeruan në advancë një seancë këshillimore me Komisionin e Venecias, pse nuk trokitën në derën e Presidentit të Republikës dhe të diskutonin hapur me të, pse nuk kërkuan një debat publik me KLD-në dhe Konferencën Gjyqësore Kombëtare, pse nuk kërkuan ndihmë dhe këshilla nga Komisioni Evropian dhe departamentet e tij që merren me çështje juridike dhe zgjedhore, por u trembën siç shkruan Sokol Balla në një revistë javore nga përgjimet e telefonatave dhe ruajtja fizike që u bënte qeveria???

Duke parë se ky Kolegj thjesht u tall me votat e shenjta të shqiptarëve shumë hapur, shumë publikisht, me zë dhe figurë, unë e përkrah liderin e opozitës Edi Rama kur thotë se sot fjalët janë të tepërta, pasi tashmë të gjithë e panë që drejtësia ka kapitulluar përfundimisht.

Drejtësia e këtij vendi ka vite që atakohet nga jashtë dhe brenda për padrejtësitë që prodhon çdo stinë politike. E cytur dhe e dhjamosur me paratë e krimbura të krimit po kopjon shëmtuar modelet egjiptiane mubarakiste dhe ato bjelloruse në shkërdhimin e lirisë individuale. Shtresëzimi i pakënaqësisë publike ndoshta një ditë do të rrëzohet si kromi i Bulqizëz mbi kokat tona dhe largqoftë një 1997 tjetër nuk do të jetë aq aventureske dhe e bukur si në librat e Mero Bazes dhe Fatos Lubonjës.

Mediat kanë filluar të gërmojnë se kush janë në të vërtetë Sashenkat e kolegjit, madje sapo kanë zbuluar një nga zullumet e para të vlonjates Jonuzi duke liruar një kriminel beratas dhe si ato vajzat konkurrente që marrin pjesë në reality show të tipit Big Brother tashmë publiku pret me ankth çdo lajm a skandal për Sashenkën dhe shoqërinë që zuri në Tiranë. Ndërsa aktorja amerikane Blake Lively po promovohet rreth Globit si fytyra e gjigandit francez të modës Chanel, Sashenka Jonuzi mbeti përfundimisht imazhi, fytyra zyrtare e drejtësisë. E plakur, e shkurtër, fytyrëpalosur prej rrudhave, sy të vegjël me vështrim tinzar, e djersitur ankthshëm nga frika e mëkateve, e pleqërosur dhe menderosur në moshën e internetit, komuniste në gen djathtiste në portofol, frikshëm shëmtuar si shtriga e përrallës që helmon me mollën (vendimet) Borëbardhën (Shqipërinë), këtë personazh ,pra gjyshe Sashenkën le ta mitizojmë dhe personalisht do ti lutem karikaturistit Bujar Kapexhiu të prodhojë një nga ata librat ilustrues që ua shfletojnë prindërit fëmijëve anoreksikë. Një proverb i vjetër latin thotë se kur dështon drejtësia, mbaron paqja. Oooooooh zot çfarë na bërë, lamë fatin tone në duart e Sashenkave!!!

Shënim i rëndësishëm: E dashur opozitë, këtë vit gjykatësja labe gjyshja antipatike Sashenka Jonuzi mbush 60 vjeç dhe del në pension. Rast i volitshëm ky që me politikbërjen tuaj të pensiononi gjithë këtë sistem të fermentuar antivlerash të drejtësisë shqiptare për të cilin kanë kontribuar edhe paraardhësit tuaj nga 1997-2005.

*facebook.com/bledi.mane

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›