Lufto Lufter!
1./
Koalicionet si fillim na e hëngrën shpirtin. Mbetje qejfesh, kokëmënjanësi, shock fillestar, intriga, pazare. Pa u tharë pështyma që na ra përsipër fytyrës, filluan hesapet dhe dallaveret me emrat nëpër listat e kandidatëve.
Tmerr, gallatë dhe tmerr sërish. Vend listash dhe kulisash jemi. Lista te ushqimorja e lagjes, lista te butiku i shtrenjtë, listë te lotoja përballë, emrin te lista e kredive të bankës e kemi dhe hop një tjetër listë më e gjatë e më joshëse u shkrua.
-Ta kanë vënë ty se mua nuk ma kanë vënë?
-Ia paskan vënë edhe atij që e shante, edhe asaj që s’ka punë me partinë ia vunë. Do bëhet deputet edhe ai që ia dredh gruaja, edhe gruaja e atij që dridhet vetë si grua do bëhet deputete.
Koço, Kaçi, Baçi, Lufi, Titi, Bana, Bani, Mesi, Lili, Vangjo, Vali, Pali, Sadi, Fati emra të përveçëm me qëllim të përbashkët kalkulohen nëpër mendjet tona dhe pa na i bërë syri tërr nuk shqetësohemi për rutinën ditore të halleve, por halli më i madh i yni është se a do të fitojë ai, ajo, ata…
Dhe prijësit e partive nuk pyetën. I qëndisën listat dhe me apo pa vonesë ia çuan Lefterisë së këqëzësë në mesnatë. Shëmtuar tingëllon o njerëz sesi një vend me demokraci liberale, një vend evropian me kisha, xhami, teqe, me opera e me teatër, pa bordello, me pishina, pa rrugë, me dhe pa universitete e spitale shkon e i dorëzon fshehurazi kur njerëzia flenë, emrat e njerëzve elitarë që do punojnë për njerëzinë. Qysh këtu fillon intriga dhe poshtërsia vazhdon. Një orë e vonë mesnate për agun e ndryshimeve?
2./ Me 78 petrita, komunista lule
E çtë lexoje më pas në ato lista kur u zbardhën? Plot 78 ish- komunistë, ish- anëtarë të Partisë së Punës do të zgjidhen ekskluzivisht deputetë e disa prej tyre do qeverisin sërish. Nexhmije Hoxha dhe rahmet pastë shoku Enver duhet të jenë ndjerë krenarë. Me përjashtim të Tos Nanos dhe Neritam tam Veshit nuk do mungojë asnjë nga nëntëdhjetë e njëshat me pardesy të bardha që teserat e kuqe i mbajtën për siguri deri më 22 mars 1992.
23 vjet tranzicion e pas gjithë kësaj sorollatjeje të njëjtat fytyra do të na qeverisin. Dashurohu si fillim shqiptari i shkretë, Sali president, Kaç Islami thyen kafka. Martohu shqiptari i shkretë, Sali në opozitë thyen kafka, ndërsa Kaçi qeveris si bob. Pill fëmijë shqiptari i shkretë, Sali fiton zgjedhjet, kurse Kaçi harton kodet zgjedhore. Pill prapë shqiptari i shkretë, Sali kryeministër. Pjellin dhe fëmijët që polli shqiptari sërish, Sali me Lufter Xhuvelin dhe kësaj here me Kaqi Islamin kërkojnë mandat të tretë. Vër kujën ose ik or mik.
Hidh sytë nga opozita te ballkoni përballë për ndonjë ndryshim të vogël, por nuk duket shenjë jete. Fërshëlle ndonjë melodi romantike poshtë ballkonit, kur tak… Ilir Meta hap grilën e imiton puthje me buzët e tij të thara. Provon të këndosh ndonjë serenatë, Koço Kokëdhima përkëdhelet si virgjëreshë pas perdes. Gjuaj me guralec te xhami, del Paskal Milo shan e turfullon të zotin e shtëpisë. Këput ndonjë trëndafil të kuq dhe hidhe atje sipër, Vangjel Dule ia shkul petalet duke kujtuar se është provokim nga Kreshniku kuqezi.
2./Rrota, rrota rrotacioni
Pas gjithë kësaj maskarade, pas plot 276 muajsh me shpresën se diçka mund të ndryshojë, kukullat janë po ato me përjashtim të maskave. Personalisht shpresoja shumë që kësaj here të përpilohej më bukur e më racionale edhe lista blu, edhe kjo e purpurta. Mendoja se llogaritë me gjinitë, krahinizmin, meritokracinë, militantizmin, altruizmin do shkriheshin mes veti për të prodhuar kandidatë që elektorati dhe mediumet tu referoheshin për produktivitetin jo për afrimitetin mes tyre dhe liderit.
Si opozitar joshem me eunukët që do fusë Doktori në kuvend. Përzierje tradhtarësh, të majtë të thekur dhe krah i armatosur bixhozxhinjsh, pra një front sulmues që kanë të garantuar minorancën. Si gazetar trishtohem kur shoh se emrat më të spikatur të së djathtës me minimumin e kurajës dhe maksimumin e profesionalizmit si Marku, Alibeaj, Rusmali, Guma pas 23/6 shkojnë për lesh. (Jozefina e tha, nuk e thashë unë.)
Mbetem përkrahës i së majtës dhe joshem me fushatën fantastike e plot energji që po konturohet veri-jug. Joshem edhe me fashitjen që koha dhe militantizmi i bëri frikës patetike të koalicionit surprizë PS/LSI. Si qytetar dhe votues trishtohem kur shoh listat e famshme nëpër qarqe ku mungojnë emrat e vajzave dhe djemve vendalinj në respekt të një krahinizmi jo hakmarrës, por modern dhe të kapërdishëm. Doja që labi, korçari, kuksiani, shkodrani, katoliku, çami, suniti, pogradecari, bektashiu, kosovari, romi, evangjelisti apo vangjelërat të ishin qershia mbi tortë në zonat ku u ka lerë koka. Trishtohem edhe kur shoh që për eksponentë të dikurshëm nuk u mendua Plani B, por iu lanë në dorë minutave të fundit. Dritan Prifti nuk mund të ndajë kurrsesi 8 mijë lopë në zonën e tij, por të paktën Dritani me pak pragmatizëm mund të ishte mjelë si një lopë e dobishme. Arben Malaj 10 mijë vota nuk i merr dot as sikur Vefa, Gjallica, Silva, Xhaferri, Sudja ti rihapin sportelet e fajdeve e të rrisin interesat e depozitave, por të paktën nuk mund të braktisej aq mizorisht porsi Sudja që thërriste po pres kompetentin. Kompetenti, Tos Nano nuk vonoi dhe erdhi, por pisqolla e tij nuk duhet të ishte lenë e zbrazur. Nuk i kushtonte gjë PS-së ti fuste sikur një plumb të vetëm, të cilin edhe sikur ta shkrepte kundër partisë, veçse zhurmë do bënte.
Listat përfundimisht na lodhën e më pas na zhgënjyen. Përsëri Ai andej dhe Ai këtej vendosën. U pyet vetëm tarafi dhe miqësia e ngushtë dhe pa hezitim u shkruan emrat.
Si opozitarë nëse e gëlltisim këtë aperitiv duhet medoemos të mendojmë për fushatën dhe mbrojtjen e votës. Telashe do ketë edhe formatimi i qeverisë në shtator, por primare mbetet pensionimi i Salit. Me një doktor duke u tretur 2 vitet e para në opozitë do kemi më shumë kohë në funksion që ti japim shembuj me punë dhe leksione teorike demokratizimit të partisë qeverisëse dhe pjalmimit të rotacionit.
Me dhjetëra gjenerata janë në pritje, por nuk kanë kurajo. Elitat e reja që presim favoret, vendin e punës dhe makinën e re nga pisllëqet që bën babi me shokët e tij nuk na duhen kurrë të marrin pushtet të trashëguar. Dua kurajozët, mendjet e bukura dhe punëtorët që nuk bëhen palë as me doktorin e as me piktorin. Por kësaj radhe piktorit i takon qeverisja më tepër për punën dhe rezultatet sesa për kohën e gjatë në pritje. Ndaj prej kohësh po luftojmë rëndshëm opozitarisht që me votë të kemi kryeministër Edi Ramën e Tiranës 2000-2007. Na mungon shumë statura e këtij punëtori, por nëse piktori do kopjojë doktorin në qeverisje, eja me mua ta rrëzojmë me votë.
S
