Naçertanija
Ç’do Serbia me platformën ”e re” për Kosovën? Edhe në Serbi, nga ata që prej saj presin më shumë për "zgjidhjen" e çështjes së Kosovës, por edhe nga ata që vërtet e dëshirojnë integrimin në Evropë, edhe ndër ata kosovarë, të cilët do të dëshironin që ajo të mos ishte shfaqur fare, ngase ka kohë që opinionin e vënë në gjumë me deklaratat e tipit “Serbia tashmë e di që e ka të humbur Kosovën”, apo edhe se “do ta njohë Kosovën” – ka tendencë që ajo të mos merret seriozisht. Supozimet për të treguar parëndësinë e saj janë të ndryshme. Thuhet se Naçertanije-n e re udhëheqja serbe e ka nxjerrë vetëm sa për të fituar në kohë, para se të ballafaqohet me çmimin e vërtetë që do të duhet ta paguajë për të hyrë në Evropë; që t’i qërojnë ndërmjet vete hesapet për (ri)ndarjen e pushtetit presidenti "çetnik" Nikoliq me "Sllobën e vogël" Daçiq; apo se ata të dy vetëm sa po e bëjnë "policin e mirë e policin e keq", kinse i pari flet për veshët e shovinistëve serbë, e i dyti për ta dëgjuar Evropa. Por, pse duhet të na interesojnë neve këto? A nuk e kemi shpallur njëherë e mirë pavarësinë, ndërsa me “bisedime teknike” vetëm donim t’i rregullonim marrëdhëniet “mes dy shtetesh”? A nuk ishte kusht që Serbia t’i hiqet qafe Kosovës për të marrë datën për negociata për anëtarësim në BE, dhe se nuk do të duhej të ishim ne ata që presin në ankth se çfarë do të shpikë ajo? Natyrisht se një dokument i tillë, i shfaqur pasi bisedimet ishin në rrjedhë, zgjoi reagime të faktorëve relevantë ndërkombëtarë, por ata vetëm kërkuan vazhdimin e “dialogut teknik”, e jo edhe tërheqjen e platformës. Kryeministri Thaçi, i cili mbase më parë do të duhej të thoshte se çfarë do të bëjë vetë tash e tutje, i parashikoi “kalbje në sirtar” dokumentit serb.
Problemi, për fat të keq, qëndron në atë se Serbia nuk po mahitet. Kryetari Tomisllav Nikoliq, i cili po i shpreh synimet që këtë mandat dhe karrierën e tij politike ta përmbyllë duke e “zgjidhur” çështjen e Kosovës, përkundër vërejtjeve nga brenda e jashtë, platformën – me të cilën Kosovës i jep me zemërgjerësi “autonomi të gjerë”, përkatësisht “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi”, dhe e cila brenda saj, me “autonominë në autonomi” të serbëve të veriut, do ta kishte edhe një Republika Srbska – e ka ndërmend ta nxjerrë në Kuvend. Pse ky ndërrim i (pa)pritur i politikës serbe, deri sa dukej se ajo tashmë kishte rënë në hullinë evropiane?Profesori Leon Kojen, këshilltar i ish-kryetarit Tadiq, ka një shpjegim për këtë: Ajo që BE kërkon nga Serbia në lidhje me Kosovën – sipas tij – pashmangshëm çon në njohjen faktike, kështu që dialogu nuk do të ishte i nevojshëm. “BE kërkon nga Beogradi që në vazhdim të ‘bisedimeve teknike’ shqiptarëve së pari t’u jepen çelësat e resurseve ekonomike me të cilët Serbia disponon në Kosovë, pastaj heqjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Serbisë në katër komunat... Prandaj në platformë thuhet se Serbia heq dorë nga bisedimet teknike, sepse ato e ndryshojnë gjendjen në terren dhe e dobësojnë pozicionin negociues të Serbisë”, thotë ai.
Njohja e Kosovës, pra, as që duket kund në horizontin e politikës serbe. Profesori Daniel Server, i cili e ka pasur të qartë se me Kushtetutën serbe (me Kosovën brenda saj), ka qenë pothuaj e pamundshme të hyhet në bisedimet, tash është i sigurt se ky dokument bisedimet i bën shumë më të rënda. Ta kemi të qartë, me një dokument të tillë, të miratuar në Kuvend, çështja e Kosovës shndërrohet në çështje të Serbisë, dhe secili udhëheqës serb, ndoshta për dallim vetëm prej këtyre tanëve, do ta ketë të pamundur të nënshkruajë diçka që dallon diametralisht prej asaj që është vendosur në Kuvend. Ndoshta ai dokument mund të “zbutet” rrugës, para se të arrijë në Kuvend, e edhe aty mund të pësojë ndryshime. Por, serbët e dinë se, pos planit të Ahtisaarit, kosovarët s’kanë gjë tjetër mbi tavolinën e bisedimeve, kurse edhe po të nxjerrin diçka të re, ajo vetëm mund të jetë diçka më shumë se plani, i cili përmban maksimumin e lëshimeve që kanë mundur t’i bëjnë ata.
Këtë edhe e tha haptas ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkiq , se me këtë dokument Serbia synon të përftojë mbështetje ndërkombëtare dhe se për të “ka edhe komente pozitive në disa pjesë, dhe atë nga shtetet me ndikim". Serbia, pra, me këtë fiton një fushë shumë më të gjerë manovrimi në dialog dhe mundësinë që të bëjë pazar edhe me atë që kosovarët nuk do të duhej ta nxirrnin në pazar. Kusht për fazën e ardhshme të integrimeve evropiane – sipas një analisti serb - nuk është vazhdimi i dialogut teknik, siç thonë naivisht disa, por definimi i statusit të veriut të Kosovës. Të mos harrojmë, se “lehtësues” i dialogut është BE-ja, “neutrale ndaj statusit”, e cila sigurisht se mund të jetë e kënaqur me çfarëdo që të nënshkruajnë serbët e shqiptarët, vetëm që kjo çështje të mbyllet. Me një fjalë, është tepër vështirë të jesh në lëkurën e cilitdo udhëheqës kosovar, i cili, në këso rrethanash, do ta marrë mbi vete barrën e këtyre bisedimeve, barrë të cilën nuk do të mund ta ndajë as me Kuvendin e devalvuar me imponime e manipulime, e as me mbështetjen jo mjaft të sinqertë të partive tjera.