“Edi Rama të bindë Taulant Ballën, të mos i fshihet si frikacak gjykatës”
Shpifjet e Taulant Ballës në Gjykatë – Shkëlzen Berisha hedh poshtë akuzat e PS për përfshirjen e tij si konsulent në kompaninë që fitoi tenderin e HEC-ve
Pas akuzave të bëra prej deputetit Taulant Balla, se djali i kryeministrit është konsulent i kompanisë që fitoi tenderin e hidrocentraleve, zhvilluar pak ditë më parë, Shkëlzen Berisha sqaron nëpërmjet një njoftimi për mediat se ky deklarim i deputetit socialist është një mashtrim që sipas tij vjen si një shërbesë ndaj kryetarit socialist Edi Rama.
Me këtë këndvështrim ai i kërkon Edi Ramës, që autoritetin me të cilin detyron përditë Taulant Ballën të shpifë, ta përdorë për ta bindur atë të mos i shmanget si frikacak procesit gjyqësor që ka nisur ndaj tij për shpifje në Gjykatën e Tiranës.
“Përsëri sot Edi Rama i shërbyer nga Taulant Balla nxori në tregun e mediave mashtrimin e radhës për publikun duke deklaruar se unë jam konsulenti i njërës prej kompanive që kanë marrë pjesë në tenderin e hidrocentraleve dhe pikërisht asaj që ka fituar tenderin. I bej me dije opinionit se kjo është fund e krye një shpifje e ulët dhe se unë nuk kam dhënë kurrë dhe në asnjë rast konsulencë apo asistencë juridike për kompani që marrin pjesë në prokurime apo gara publike! Ndaj kësaj shpifje do të depozitohet padi në gjykatë! Dëshiroj t’i kujtoj publikut që ishte po Edi Rama dhe shpifësit e tij që jo shumë kohë më parë i servirën qytetarëve mashtrimin se Shkëlzen Berisha kishte fituar tenderë publike. Mashtrim që zgjati vetëm disa orë pasi biznesmeni i nderuar që kishte rastisur të kishte të njëjtin emër me mua doli para mediave dhe deklaroi se ishte i biri i Abdullait i lindur 25 vjet para meje. E ftoj Edi Ramën të mos inkriminojë dhe denigrojë bashkëpunëtorët e tij me shpifje, por t’u shpjegojë qytetarëve si ka mundësi që pasi ka betonizuar gjithë Tiranën, pasi është akuzuar publikisht me emër se ka kërkuar miliona euro për leje ndërtimi, pasi njihet rëndom si Mister 20 për qindshi, deklaron se ka vetëm 3 mijë euro kursime në jetë dhe si i pastrehë strehohet në shtëpitë e shokëve dhe të mamit. I kërkoj gjithashtu z. Rama që autoritetin me të cilin detyron përditë z. Balla të shpifë, ta përdorë për ta bindur atë të mos i shmanget si frikacak procesit gjyqësor qe ka nisur ndaj tij për shpifje në Gjykatën e Tiranës”, thuhet në reagimin e Shkëlzen Berishës.
Më tej në deklaratë, Shkëlzen Berisha, sqaron se detyrimi i tij ligjor është të depozitojë çdo vit deklarimin e tij të pasurisë në ILDKP, i cili verifikohet dhe kontrollohet nga ky institucion, që ndër të tjera përcakton nëse është vënë ose jo në konflikt interesi.
“Detyrimi im ligjor në emër të transparencës është të depozitoj çdo vit deklarimin tim të pasurisë në ILDKP i cili verifikohet dhe kontrollohet nga ky institucion që ndër të tjera përcakton nëse është vënë ose jo në konflikt interesi. Këto ditë ILDKP, institucion i pavarur, i dha përgjigje publike shpifësve Rama - Balla duke certifikuar pas kontrollit, korrektësinë dhe mungesën e konfliktit të interesit në aktivitetin tim privat. Përveç kësaj unë kam çelur padi gjyqësore duke i mundësuar z. Rama dhe shpifësit të tij të paguar të provojnë mashtrimet e tyre para institucioneve të drejtësisë”, sqaron më tej ai.