Naço: Nano me kontribute, duhet të mbledhë 20 firma
Ndërsa kur bëhet fjalë për ndikimin që ka LSI në zgjedhjen e kreut të shtetit, zyrtari i lartë i saj nënkupton se pa votat e saj nuk ka zgjedhje. Këtë ai e shpjegon përmes një aritmetike të thjeshtë, teksa kujton se mazhoranca ka 73 vota, 4 prej të cilave janë të LSI-së ndërkohë që Presidentit i duhen 71 vota.
Ministri i LSI-së vlerëson kandidaturën e mazhorancës për President duke thënë se z. Zaganjori është një figurë dinjitoze. Sa i përket kandidimit të z. Fatos Nano ai thotë se duhet ta propozojë PS-ja. Për sa i përket takimit Nano - Berisha, z. Naco shprehet se mund të jetë i nevojshëm, por sipas tij “qershia mbi tortë” është mbledhja e tryezës së partive.
Z. ministër si e shikoni ecurinë e procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, ka hyrë drejt zgjidhjes apo është komplikuar edhe më tepër për shkak të mungesës së konsensusit të opozitës?
Më duket një rrjedhë normale, madje e parashikueshme. Besoj se askush nuk ka pritur që në raundin e parë, të kishim një President të pranuar e të miratuar nga të gjitha forcat politike parlamentare, aq më tepër kur vetëm pak orë para fillimit të seancës ende nuk kishte kandidatura zyrtare. Madje, teknikisht as tani nuk ka.
Cili është ndikimi i LSI-në në këtë proces?
Besoj se mëse njëherë kryetari i LSI, z.Ilir Meta ka bërë thirrje për gjetjen e një konsensusi mes të gjitha palëve. Ka sugjeruar takimin mes Berishës dhe Ramës, ka zhvilluar takime të shumta dhe sigurisht i mandatuar nga kryesia e LSI, së bashku edhe me pjesëtarët e tjerë të koalicionit qeverisës kanë rënë dakord për një emër, i cili tashmë është paraqitur edhe në publik. Besoj se deri më sot LSI ka luajtur të gjithë rolin e saj si një parti integruese, përparuese dhe europiane.
A është bindëse kandidatura e Xhezair Zaganjorit dhe a është e vërtetë që e ka propozuar LSI-ja?
Emri i z. Zaganjori ka dalë nga tryeza e koalicionit qeverisës, nuk e kuptoj se ku qëndron rëndësia se kush prej pjesëtarëve në këtë tryezë e ka propozuar. Z. Zaganjori është kandidat i paraqitur nga mazhoranca dhe jo nga një parti. Besoj se z. Zaganjori, i cili vjen nga fusha e drejtësisë, ka gjithë potencialin e duhur për një nga reformat më të rëndësishme që i duhet sot vendit, atë në drejtësi. Është një kandidaturë dinjitoze.
Çfarë do të ndodhë nëse opozita nuk jep konsensus për Presidentin, cila do të jetë lëvizja e radhës e koalicionit qeverisës?
Që të mos japësh konsensusin në politikë, duhet edhe justifikuar. Nuk mund të thuash: Nuk dua këtë, dhe kaq. E përveç kësaj edhe duhet të paraqitësh një, dy apo më shumë alternativa. Unë personalisht nuk do të parapëlqeja takime misterioze, apo deklarata evazive. Mazhoranca e ka tashmë një kandidaturë. I takon opozitës të flasë, kur mbeten edhe dy raunde, për të arritur konsensusin. Nëse jo, besoj se askush nuk kërkon të shkelë Kushtetutën.
Pse u tërhoq mazhoranca nga një kandidaturë politike dhe a ekziston mundësia që një e tillë të futet për votim në raundet e fundit?
Unë jam pjesë e një partie, e cila është pjesë e mazhorancës. Për pjesën tonë, ne nuk jemi shprehur asnjëherë se si duhet të jetë Presidenti i ardhshëm, përveçse kemi këmbëngulur që ai të përfaqësojë unitetin kombëtar dhe të zgjidhet me konsensus mes palëve. Nuk kemi pse paragjykojmë asgjë. Deri tani kemi një kandidaturë reale, megjithëse jo tërësisht zyrtare. Të presim.
Ka zëra se LSI në raundet e fundit do të propozojë emrin e Fatos Nanos. Cila është e vërteta në këtë mes?
Z. Nano nuk ka më nevojë të propozohet, pasi u vetëpropozua. Pra është e vetmja kandidaturë jozyrtare, që është vetëofruar për postin e Presidentit, duke zhvilluar takime me të gjitha palët politike, për të arritur konsensusin maksimal. Është një emër i vlerësuar, me kontribute të njohura në politikë dhe në shtet, por natyrisht që edhe për z.Nano, duhen fillimisht 20 vota deputetësh.
A janë përcaktuese për zgjedhjen e kreut të shtetit votat e LSI-së?
Pyetja juaj nuk është tërësisht “kushtetuese”. Në tre raundet e para, votat e LSI-së besoj janë pjesë e së tërës, nëse arrihet konsensusi mes partive. Deri tani, LSI së bashku me pjesëtarët e tjerë të koalicionit kanë paraqitur një kandidaturë, e cila sipas mazhorancës aktuale, ka të paktën 73 vota, ku katër vota janë të LSI. Besoj se matematika është e thjeshtë.
Nisur nga takimi Rama - Meta, a ka vend për dyshime se ky është një presion i LSI-së ndaj PD-së për të vendosur vet LSI emrin e Presidentit të ri të vendit?
LSI nuk e ka ndërtuar filozofinë e saj politike mbi presionet, të kujtdo niveli qofshin ato, por mbi marrëveshjet, dialogun dhe bashkëpunimin. Pikërisht kjo filozofi ka mbizotëruar edhe në takimet e ndryshme të zhvilluara nga kryetari i LSI, z.Ilir Meta, një prej të cilëve është edhe ai me zotin Rama. Nuk e kuptoj pse gjithë këto konspiracione, mëdyshje e dyshime. LSI, edhe në kulmin e sulmeve ndaj saj, ka deklaruar mëse njëherë se është një parti e hapur dhe e gatshme të bashkëbisedojë me këdo, për të mirën e vendit dhe integrimin e Shqipërisë.
Nisja e procedurave për kreun e ri të shtetit nxori në pah konsolidimin e koalicionit qeverisës, por a ekziston mundësia e afrimit të LSI-së me PS-në për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Ju po pyesni sikur LSI-ja të jetë një parti e sapokrijuar. Ne jemi në një koalicion qeverisës, me një marrëveshje të qartë deri në vitin 2013, me identitet të qartë edhe brenda koalicionit qeverisës, po ashtu me staturë të qartë politike. Ne kemi një synim, të jemi katalizatori për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe stabilizatori i tensioneve politike në Shqipëri. Të tjerat janë kalkulime që nuk na përshtaten.
A mund të quhet i ndërtuar konsensusi mes palëve nëse takohen z.Berisha dhe z.Rama?
Besoj se nëse palët kanë vullnetin për të gjetur konsensusin, edhe pa u takuar Berisha me Ramën, ai arrihet. Por, nëse shkohet në takim me mendimin se nuk do të pranoj asnjë lloj propozimi, atëherë ata mund të takohen 10 herë në ditë e mos të nxjerrin asgjë në dritë. Megjithatë unë mendoj se në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kur të gjitha komunitetet po mendojnë diçka që të mbetet si simbol, edhe politika shqiptare duhet ta ketë një simbolikë të sajën. Dhe një President, përfaqësues i unitetit kombëtar, i zgjedhur nga e gjithë politika, është vërtetë një simbol, një dhuratë që ne i bëjmë këtij shteti, për herë të parë. Dhe besoj se një takim mes Berishës dhe Ramës do të shërbente për këtë. Por natyrisht, “qershia mbi tortë” do të ishte tryeza e përbashkët e partive parlamentare.
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)