E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Presidenti, jo emër i identifikuar politikisht

Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje në një intervistë për “TCH”, se shkonte në një takim me kryeministrin Berisha, me ftesën e tij. “Presidenti i Republikës apo Presidentja e Republikës nuk mund të jetë një figurë që është identifikuar fort me një palë politike”, - deklaroi Rama, duke përjashtuar emrat politikë nga gara presidenciale.

Si u arrit dakordësia për t’u takuar të dielën me kryeministrin Berisha?
S’ka asgjë të posaçme, kemi marrë ftesën për takim dhe kemi pranuar; sigurisht është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë.
Takimi do të jetë ekskluzivisht për çështjen e Presidentit apo do të diskutohen edhe tri çështjet e tjera që PS ka propozuar, që lidhen me reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe me çështjen e imunitetit?
Pak ditë më parë, qoftë unë, qoftë kryeministri, kemi marrë një letër nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe në atë letër praktikisht trajtohen pikat për të cilat ne kemi kërkuar që të ketë tryezë dhe të ketë përpjekje për t’i zgjidhur të gjitha së bashku, por sigurisht një e nga një. Ndërkohë që, padyshim në takimin e së dielës do të diskutohet pika që është në rendin e ditës të parlamentit, ajo që lidhet me zgjedhjen e një presidenti, i cili sipas nesh dhe sipas miqve dhe partnerëve ndërkombëtare, por edhe sipas vetë aspiratës së vetë opinionit publik, duhet të jetë konsensual.
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim?
Sigurisht që ne shkojmë në takim me vullnetin e plotë për t’i dhënë zgjidhje çështjes së zgjedhjes së Presidentit, apo Presidentes së re të Republikës. Kjo do të thotë që pritshmëria jonë është që, përmes dialogut dhe konsultimit të mund të dakordësojmë për modalitetet dhe padyshim edhe për një emër të përshtatshëm, i cili duhet të jetë emri i një personaliteti publik, që të mos jetë noter partiak, as i PD dhe as i PS.
Nga Vlora, kryeministri Berisha deklaroi dje, ose më saktë la të kuptohet se është i gatshëm të bëjë disa lëshime ndaj opozitës. Çfarë lëshimesh prisni?
Këtu nuk bëhet fjalë për lëshime ndaj opozitës. Opozita nuk po kërkon dhe as nuk synon që të ketë një president i cili të përfaqësojë opozitën. Nga ana tjetër, sigurisht nuk synojmë të imponojmë apo të kushtëzojmë procesin e dialogut me emra që janë të njëanshëm, sado që në këndvështrimin tonë mund të jenë plotësisht të respektueshëm. Këtu bëhet fjalë për të bërë të gjitha lëshimet e nevojshme dhe për të arritur aty ku të gjithë së bashku duhet të arrijmë, që Shqipëria ta kalojë këtë provë me sukses dhe të ketë të nesërmen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së Republikës, një kryetar shteti që i përfaqëson të gjithë, që mishëron unitetin ndërkombëtar dhe që përbën një dëshmi të parë të faktit se me vullnet të mirë ne mund t’ia dalim në funksion të marrjes gjithashtu së statusit të vendit kandidat në BE dhe në këtë moment historik që lidhet me 100-vjetorin e Pavarësisë.
Meqenëse jemi tek emrat, a shkon kryetari i opozitës në takimin e së dielës me kryeministrin Berisha me një emër apo me disa emra konkretë për t’i propozuar në tryezë?
Në qoftë se ka diçka në këtë periudhë me të cilën unë bie dakord me kryeministrin, është që eksperienca e vitit 2007 nuk duhet të përsëritet në një defekt të vetin, që kishte të bënte me transformimin e tryezës, në një tryezë ku vërtiten një pafundësi emrash që ngrihen dhe bien aty për aty. Prandaj, bazuar dhe në atë eksperiencë, dialogu do të ndërtohet mbi disa modalitete; duhet të bihet dakord për çka duam të arrijmë dhe sesi mund ta arrijmë dhe pastaj nga procesi, i cili mund të jetë shumë i shkurtër, mund të jetë pak më i gjatë, mund të zgjasë sa mund të zgjasë një takim i vërtetë pune dhe bashkëpunimi, por mund të zgjasë edhe pak më shumë, të dilet tek emri. Dhe jo anasjelltas.
Folët për procesin; mendoni që një takim në mbrëmje në orën 20.30 minuta, vetëm pak orë nga votimi i dytë në parlament, është pak paragjykues në vetvete, për hir të së vërtetës, pasi koha nuk është e mjaftueshme. Pra, unë do doja t’ju pyesja, a do të keni kohë të mjaftueshme në dispozicion të dielën për të arritur diçka?
Sigurisht që ne do të kishim dashur që ky takim të ishte bërë më parë, do kishim dashur që ky takim të ishte duke u zhvilluar edhe tani që po flasim. Padyshim që një takim i një ore kaq të vonë dhe me një kufi kaq të afërt me raundin e dytë, nuk duket të jetë gjëja më e mirë që mund të ndodhte në pikëpamjen e planifikimit. Por nuk dua që të paragjykoj, dhe me gjithë vullnetin e mirë dëshirojmë që të kontribuojmë duke ia dalë për të mirën e vendit, për të mirën e njerëzve që përfaqësojmë por edhe për të mirën e një jete politike e cila duhet të ndryshojë cilësisht dhe duhet të kthehet në një jetë që prodhon ato çka shqiptarët presin dhe jo mbiprodhon atë çka shqiptarët me të drejtë i ka neveritur nga politika shqiptare.
Në këndvështrimin tuaj, cila do të jetë e ardhmja e kandidatit të propozuar nga mazhoranca, z. Zaganjori?
Më lejoni t’ju them, se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim kandidaturën e zotit Zaganjori, ashtu siç nuk do të kishim mbështetur dhe nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë që vjen në mënyrë të njëanshme, pa dialog, pa proces dhe pa vullnetin për të qenë shprehje e një konsensusi mes palëve.
Le të ndalemi në një tjetër aspekt, zoti Rama. Cilat kanë qenë marrëdhëniet me LSI-në dhe konkretisht me Ilir Metën gjatë këtyre ditëve? Pasi e kemi parë zotin Meta shumë aktiv në takime, në negociata, jo vetëm për çështjen e Presidentit.
Ka pasur shumë fantazira dhe shumë spekulime, të cilat sigurisht janë të natyrshme, aq më tepër në një vend si i yni ku ka shumë terren pjellor për të gjitha teoritë e konspiracionit. Por e vërteta e thjeshtë është se ne kemi ndërtuar një komunikim dhe besoj që ky komunikim ka sjellë si rezultat të parë, kalimin nga një kandidaturë unilaterale politikisht shumë e skalitur dhe njëkohësisht tërësisht e papranueshme për ne, në një terren në të cilin ka hapësirë për dialog, ka hapësirë për konsultime dhe pa dyshim ka hapësirë për kompromis.
Askush nga ne nuk pret që kandidatura e kompromisit të jetë një kandidaturë prej të cilës ne të fërkojmë duart duke thënë se e imponuam, por nga ana tjetër kjo gjë duhet të jetë e njëjtë edhe për palën tjetër. Presidenti apo Presidentja e re e Republikës duhet të jetë një figurë e cila të ketë dakordësinë e palëve, po në asnjë rast të mos jetë me hijen e njërës palë mbi veten.
Do t’i rikthehem çështjes së bashkëpunimit me opozitën, pasi përmendët se ka shumë ide konspirative. Pyetja ime besoj se do t’i sheshojë sadopak këto ide dhe do doja t’ju pyesja më konkretisht zoti Rama: A po përpiqet PS-ja të krijojë një marrëdhënie me LSI-në, që do të çonte drejt një koalicioni të mundshëm në zgjedhjet e 2013-ës?
Partia Socialiste është në opozitë, LSI është në pushtet. Është një palë në qeveri dhe ne sot jemi në përpjekje të vazhdueshme për të komunikuar me të gjitha palët në qeveri, kështu që këtu nuk ka vend për spekulim. Ashtu sikundër është e qartë, që në rast se LSI nuk do të ishte në qeveri por do të ishte në opozitë, padyshim do të ishte detyra jonë që të kërkonim rrugën dhe të eksploronim çdo mundësi për një koalicion të madh opozitar, ku të përfshihej edhe LSI.
Do ta zgjidhnit një president të propozuar nga PS me bekimin e PD, por jo të LSI?
E përsëris dhe një herë tjetër, ne prej muajsh kemi vendosur përpara publikut vizionin tonë dhe kemi parashtruar edhe kriteret që pak a shumë përvijojnë identikitin e Presidentit të Republikës, duke e thënë qysh në krye të herës, se Presidenti i Republikës apo Presidentja e Republikës nuk mund të jetë një figurë që është identifikuar fort me një palë politike, e përkatësisht me Partinë Demokratike. Por kjo vlen qoftë për PD, qoftë për LSI dhe qoftë për Partinë Socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›