E Diel, 1 Nëntor 2026

Nadala, rilindja e universitetit më të vjetër të botës

Gjatë 6 shekujve të ekzistencës së tij të dokumentuar, ishte me të vërtetë unik. Asgjë nuk mund të krahasohej me Universitetin e Naladës. Sipas të gjitha gjasave, ishte i pari institucion edukues i përmasave të mëdha në atë zonë, që sot është India lindore. Madje, thuhet se aty ka qenë edhe vetë Buda. Në kulmin e tij, kjo vatër arsimore kishte 10 mijë studentë, 2000 veta si staf dhe veç të tjerash ishte i pajisur me metoda akademike e mësimdhënieje shumë të përparuara e të vlefshme. Sot, kjo qendër dikur e jashtëzakonshme e budizmit, është shndërruar në një gërmadhë.

Pas një periudhe, kur për arsye që dihen ndikimi dhe rëndësia e budizmit në Indi ranë ndjeshëm, universiteti u plaçkit në vitin 1193 nga një gjeneral turk, i cili nxori sebepin se në bibliotekën e universitetit nuk kishte kopje të Kuranit dhe si pasojë ajo duhej shkatërruar. Pasi e plaçkitën universitetin dhe bibliotekën në të ikur i vunë zjarrin dhe thuhet se ai zjarr dogji për muaj me radhë gjithçka duke e rrafshuar. Por sot ky djep i qytetërimit, dijes dhe shkencës, djep i shkencave matematike e gjuhësisë dhe madje dhe i shëndetit publik, po bëhet gati që të rilindë. Një grup ekspertësh dhe liderësh ndërkombëtarë kanë hartuar një plan shumë ambicioz për të ngritur në këtë anë të Indisë një universitet që të ketë të njëjtin vizion si ai i Naladës dhe ky universitet të ngrihet pikërisht në rrënojat e të vjetrit. Mes këtyre njerëzve që duan ringjalljen e këtij djepi të kulturës janë edhe ekonomisti që ka fituar “Nobelin”, Amartya Sen. Këtë javë, ligji që do të mbështesë krijimin e këtij universiteti të ri me një vizion të ri do të ngrihet për votim në Parlamentin indian. “Në kulmin e tij, pra në ditët e tij më të mira, universiteti ofronte studimin e një sërë lëndësh sipas traditës budiste. Ishte një shkollë e shkëlqyer, ku mësohej tolerancë dhe që fatkeqësisht u shkatërrua nga një luftë dhe kjo ndodhi thuajse në të njëjtën periudhë kur në Angli u krijua Oksfordi. Universiteti në fjalë ka një histori të jashtëzakonshme dhe një traditë të mrekullueshme mësimdhënieje, në një kohë kur Kembrixhi ende nuk ekzistonte. Ndërtimi i universitetit do të fillojë sapo të miratohet ligi”, deklaron nobelisti që i ka hyrë një përpjekjeje të tillë me shumë zemër.

Plani për të rindërtuar Nadalën, në shtetin e Biharit, dhe ndërtimi i një ndërmarrjeje shumë prestigjioze që do të synojë thithjen e studentëve më të mirë nga e gjithë Azia, madje edhe më gjerë, ka filluar që të krijohej dhe të hidhej në letër në fillim të viteve ’90. Por ideja mori një vëmendje shumë më të madhe dhe sigurisht edhe mbështetje vetëm në vitin 2006, kur Presidenti i atëhershëm indian, APJ Abdul Kalam, vendosi që të ngrinte një panel ndërkombëtar mentorësh për të realizuar një ide të tillë. Anëtarë të këtij paneli shumë të nderuar janë ministri i Jashtëm i Singaporit, George Yeo, historiani i famshëm Sugata Bose, Lord Desai, akademiku kinez Wang Banwei. Një nga sfidat më të mëdha për grupin është edhe mbledhja e fondeve të duhura për të mbështetur financiarisht një ndërmarrje të tillë. Sipas vlerësimeve të bëra për të ndërtuar vetëm godinën në mënyrën e duhur, do të duhen rreth 500 milionë dollarë dhe 500 milionë të tjerë do të duhen për të përmirësuar infrastrukturën përreth godinës, që aktualisht është e lënë tërësisht pas dore. Grupi është duke kërkuar donatorë nga qeveri të ndryshme, individë privatë dhe grupe fetare.

Qeveritë e Singaporit dhe Indisë kanë dhënë edhe ato ndihmën e tyre financiare për këtë projekt. Projekti i ri i rindërtimit të Universitetit të Nadalit, që konsiderohet nga të gjithë studiuesit si universiteti më i lashtë në botë, ka tërhequr ndërkohë vëmendjen e madhe të shumë institucioneve prestigjioze arsimore të botës, si Universiteti i Harvardit, Parisit, Jales, Bolonjës dhe të gjithë kanë qenë shumë entuziastë për një bashkëpunim të mundshëm në fushën e arsimit. Sipas disa analistëve, një nga rëndësitë më të mëdha të këtij universiteti do të jetë mundësia që do t’u jepet kryesisht aziatikëve për t’u shkolluar dhe për të përfituar nga një arsimim shumë cilësor. Sipas atyre që kanë hedhur për herë të parë idenë e rindërtimit të universitetit, ai duhet që të ngrihet në gjurmët e të vjetrit dhe të ketë lidhje me shkollat më të mira bashkëkohore. Të gjitha institucionet arsimore të nivelit të lartë sot po tentojnë që të shndërrohen në institucione ndërkombëtare në një epokë globale si kjo e jona. Një Nadala i ri mund të jetë një shembull për mënyrën e ndërthurjes dhe përfshirjes së kulturave të ndryshme në një korpus të vetëm. Nadala ishte një universitet budist, por tërësisht i hapur për studimin dhe interpretimin e feve të tjera. Sot Nadala i ri duhet që të përçojë frymën e pajtimit dhe paqes mes feve. Një universitet i ri në gjurmët e lavdishme të të vjetrit duhet që të punojë shumë për të merituar emrin që ka. Rrënojat e universitetit të vjetër janë në kufirin e Indisë me Nepalin dhe thuhet se ndërtesa e këtij universiteti ishte një kryevepër arkitekturore e pajisur me 10 tempuj, një bibliotekë me 7 kate dhe ku kopjet e librave bëheshin me dorë. Veç kësaj kishte kushte shumë të mira jetese për studentët që vendoseshin aty nga Koreja, Japonia, Kina, Persia, Tibeti dhe Turqia. Udhëtari i shekullit të shtatë, kinezi Xuanzang që ka vizituar Nadalën, ka lënë një rrëfim të detajuar, duke përshpejtuar liqenet artificiale që ishin ndërtuar, kullat e larta të godinave, tempujt dhe pavijonet e shkollës. Kjo është ëndrra që duan të bëjnë sërish realitet disa nga zemrat dhe mendjet e ndrojtura të botës për të ringjallur një vlerë që ndoshta “fjeti” në shekuj, por nuk humbi kurrë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›