Ndotja e plazheve, diskutohet edhe në qeveri
Veç analizës së detajuar, shifrave e statistikave që i ka bërë turizmit Kryeministri i vendit, dje në mbledhjen e qeverisë janë diskutuar gjatë edhe problemet e plazheve. Ndër to kanë qenë kanalizimet, infrastruktura rrugore, si dhe krijimi i një ambienti të këndshëm për pushuesit shqiptarë, por edhe turistët miq. Kryeministri i vendit ka kërkuar nga strukturat mjedisore marrjen e masave të zhurmave, si dhe nga autoritetet e pushtetit vendor, sistemimin e problemit të motorëve të ujit.
Kryeministri shprehu shqetësimin që vjen nga zhurmat e lokaleve të shndërruara në disko. Duke deklaruar se orari i mesnatës për stopimin e muzikës tej normave të lejuara nuk ndryshon, ai kërkoi profesionalizëm nga autoritetet e mjedisit.
“Ne duam t’i bëjmë sa më të gëzueshme pushimet, por nuk mund t’i bëjmë të gëzueshme për disa dhe horror për disa të tjerë. Ne nuk mund të pranojmë që njerëzit të largohen nga pushimet për shkak të zhurmës. Inspektorët e mjedisit paraqiten pa aparat. Inspektorët e mjedisit nuk mund të shkojnë të paraqiten askund me duart në xhepa, por vetëm më aparatet matëse”, ka theksuar Berisha. Problemi tjetër që shtroi Kryeministri për këtë sezon turistik janë motorët e ujit. Ai identifikoi pushtetin lokal si përgjegjës për mungesën e një kufiri detar, të përcaktuar me bova, hapësirë që motorët e ujit nuk mund ta shkelin, pasi vënë në rrezik jetën e pushuesve.
“Unë ftoj qeveritë vendore në të gjitha zonat turistike të përzgjedhin vendet, në rast se duan të ngrenë ndoshta një disko, ku edhe mund të dancohet deri në mëngjes, por jo në zonën e banimit, ku të tjerët pushojnë dhe ne si qeveri do të ndërmarrim ndërtimin e infrastrukturës, rrugore, kanalizimet, të energjisë. Sidoqoftë, situata paraqitet më pozitive se kurrë. Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka pritur miq, sa këtë verë”, sqaroi kreu i qeverisë. Në pikun e sezonit të pushimeve verore, Berisha është treguar shumë i kënaqur në mbledhjen e qeverisë me fluksin e turistëve që kanë hyrë në Shqipëri, që për muajt qershor-korrik llogaritet në rreth 1.4 milionë. Këtë vit, sipas Kryeministrit, e veçanta është rritja e turistëve të huaj, shtetas joshqiptarë, me rreth 25 për qind, një meritë që Kryeministri Berisha ia njohu vetëm ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. “Në dy vite së bashku, turizmi në Shqipëri u rrit me 60 për qind. Ishte jashtë çdo mundësie të arrihej kjo po të mos ishte rruga. Një rritje e tillë është tërësisht kontribut i rrugës së kombit. Ata që u bënë vajtorë të rrugës së kombit, me një akt pendese, të shkojnë një ditë në Rrëshen-Rubik apo edhe më tutje, të mos kenë frikë nga rruga, e të shohin fluksin e jashtëzakonshëm ekonomik që vjen drejt Shqipërisë”, ka deklaruar Berisha. Sipas Kryeministrit, një faktor tjetër i rritjes së numrit të turistëve është përmirësimi i infrastrukturës në zonat turistike, ku sipas tij janë investuar rreth 750 milionë euro, nga Ksamili në Velipojë, çfarë ka bërë që në 5 vjet, 2004-2009 numri i trusteve të dhjetëfishohet në 3 milionë.
#