70 ankesa për infektim e ushqim të pakontrolluar
Qytetarët protestojnë për produktet e pakontrolluara apo tregtimi në ambiente me fekale
Pushuesit shqiptarë janë ankuar pranë Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, për ndotjen e ujërave bregdetare dhe mjediseve të plazheve përreth. Në kuadër të këtij pretendimi, ZMK-ja realizoi një investigim të detajuar në zonat e plazheve dhe konstatoi se shqetësimi i pushuesve ishte i drejtë. Studimi shërbeu për të konstatuar nëse në vendin tonë ekzistojnë plazhe të ndotura, që rrezikojnë shëndetin dhe jetën e pushuesve. Zonat që spikatën si më problematiket, sipas ZMK-së ishin: plazhi Currilave në Durrës, Golemi, Shkëmbi i Kavajës, plazhi i vjetër i Vlorës dhe ish-rezervati i gjuetisë, Shëngjin-Lezhë.
“Nisur nga kjo problematikë, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit e gjykoi të rëndësishme t’i denonconte këto raste pranë institucioneve përgjegjëse, ku përfshihet Ministria e Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik”, sqaroi zyrtarisht ZMK.
Pas informimit lidhur me studimin dhe mbi ankesat dhe problematikat e evidentuara në plazhet tona, institucionet mjedisore dhe shëndetësore sqaruan se kishin verifikuar terrenin. Më konkretisht, Ministria e Mjedisit ngriti një grup pune për të verifikuar denoncimin e ZMK-së, me objekt verifikimin fizik të ambienteve jashtë ujit të detit. Ndërsa Instituti i Shëndetit Publik mori mostra në disa plazhe dhe i dërgoi në laborator për të parë ngarkesat bakteriologjike. “Pas një sërë analizash, Ministria e Mjedisit konfirmoi se situata e ndotjes së detit nga derdhja e ujërave të zeza është alarmante, pasi përveç fekaleve në rërë e det, derdhen edhe ujërat urbanë të patrajtuar. Por rezultati i arritur pas analizave të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik ishin edhe më shqetësuese. Ato konkluduan se në plazhin e Currilave dhe të Golemit ndotja është 12 herë mbi normat e lejuara”, sqaroi kreu i ZMK-së, Altin Goxhaj. Sipas ZMK-së, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Spillesë ndotja është 8 herë më e lartë. Në Shëngjin ndotja e ujit është 2 herë mbi normat e lejuara nga OBSH, ndërsa ambienti i rërës së pushuesve është tejet i ndotur. Sipas specialistëve, shkak për këtë është hedhja e mbeturinave dhe derdhja e ujërave urbanë të patrajtuar. Ndërkohë, problematike paraqitet edhe zona në plazhin e vjetër të Vlorës, ku ndotja nga derdhja e ujërave të zeza është 3 herë mbi normat e lejuara.
#