Lucien Aigner
Fotoreporteri Lucien Aigner, një nga baballarët e fotografisë dokumentuese, është i njohur sidomos për fotografitë e realizuara në Europë midis dy luftërave dhe në mënyrë të veçantë për portretet që i realizoi disa personazheve të njohur të asaj periudhe. Ata ishin Hitleri, Mussolini, Einstein, Roosevelt e Churchill. Mes tyre, një vend të veçantë zë edhe dokumentimi i dasmës së Mbretit Zog me “Trëndafilin e bardhë të Hungarisë”, konteshën Geraldinë. Ai ishte ndër 80 gazetarët e fotoreporterët vendas dhe të huaj që dëshmuan ceremoninë mondane në Shqipërinë e varfër
është konsideruar i pari paparac i historisë së fotografisë, ndoshta sepse i është dhënë mundësia të jetë i pranishëm në shumë ngjarje të jetës private ose jo të personazheve të kohës së tij. Nga Hungaria, në Francë e më pas në Amerikë... më pas shëtitje në të gjithë Europën me aparatin fotografik në dorë. Lucien Aigner, një nga baballarët e fotografisë dokumentuese, është i njohur sidomos për fotografitë e realizuara në Europë midis dy luftërave dhe në mënyrë të veçantë për portretet që i realizoi disa personazheve të njohur të asaj periudhe. Adolf Hitler, Benito Mussolini, Albert Einstein janë vetëm disa prej personazheve të njohur të cilët Aigner i solli për publikun përmes aparatit të tij fotografik. Por ka një arsye më shumë për të cilën ne shqiptarëve na intereson ky fotograf i madh me origjinë hungareze. është pikërisht ai që ka dokumentuar një prej martesave më të bujshme të historisë së Shqipërisë, atë të Mbretit Zog me konteshën Geraldine Apponyi de Nagy-Appony. Kjo ngjarje e rëndësishme u përcoll jo pa bujë atëkohë dhe Lucien Aigner ishte aty, pikërisht për këtë arsye. Përmes aparatit të tij ai ka dhuruar shkrepje të paharrueshme, imazhe të rralla që të shtyjnë në një udhëtim në kohë. Ata u martuan më 27 prill të vitit 1938. Lidhja në martesë e të dyve ishte një ceremoni civile duke qenë se dhëndri i takonte besimit mysliman dhe nusja atij katolik. Konti Galeazzo Ciano ishte dëshmitar. Kontesha bukuroshe kishte veshur një fustan të bardhë qëndisur në perla, të cilin mbreti e kishte porositur në Paris. Velloja e gjatë me lule ngjyrë portokalli derdhej mbi supe, ndërsa mbi krye qëndronte kurora. Geraldine Apponyi ishte një nga aristokratet më të bukura të Europës, të cilën shpeshherë e quanin “Trëndafili i bardhë i Hungarisë”. Duke u martuar në moshën 22-vjeçare me mbretin e shqiptarëve ajo u bë mbretëresha e dytë më e re në botë. Ceremonia e rrallë e monarkëve shqiptarë u ndoq nga rreth 80 gazetarë vendas e të huaj. Aigner megjithatë nuk u mjaftua vetëm me kaq. Kërshërinë prej fotoreporteri nuk e ngopte vetëm një ceremoni mondane e Shqipërisë së varfër. Ai dëshiroi të njihej me më shumë se kaq. Për ta realizuar këtë, doli rrugëve duke fotografuar edhe të përditshmen e Shqipërisë së atyre viteve. Imazhet që na vijnë prej tij janë të rralla. Dëshmi e vyer që meriton një vëmendje të veçantë. Janë imazhe të burrave e grave shqiptare të veshura me kostume popullore, të cilat Aigner i bëri të njohura në të gjithë botën. Oficerë të xhandarmërisë së Mbretit Zog dhe uniformat e tyre, fëmijë në rrugë, shkolla e kopshte, kameramanë në damën e mbretit, e shumë detaje të cilat ofrojnë një tablo të plotë të Shqipërisë gjatë mbretërimit të Zogut. Por karriera e tij flet më shumë se kaq.
Aigner konsiderohet si një nga fotoreporterët më origjinalë të botës. Ai realizoi shumë fotografi gazetareske për të pasqyruar aktivitete historike. Ishte dëshmitar i ngjarjeve të mëdha dhe atyre të përditshme që ndodhën në shekullin e 20, duke përfshirë takimet e Ligës Kombëtare më 1920, ngjarje që ndodhën në Europën e Luftës së Dytë Botërore dhe momente klasike të historisë amerikane në vitet 1940-1950. E megjithatë prindërit e shihnin ndryshe të ardhmen e tij. Dëshironin që ai të ndiqte jurisprudencën, degë të cilën edhe e praktikoi për pak, derisa zbuloi se ishte pikërisht fotografia, dashuria e madhe e jetës së tij, ajo që do të kryesonte jetën profesionale dhe personale të tij. Në Amerikë u vlerësua me titullin Mjeshtër i Fotografisë duke u vendosur në këtë mënyrë krah fotografëve profesionistë të Amerikës. Të shumta janë fotografitë e Lucien Aigner, që kanë zënë faqet kryesore nëpër revistat e gazetat më në zë të kohës. Në vitin 1940, fotot për Mussolin-in në një moment pushimi, duke shfryrë hundët, bënë xhiron e botës, duke qenë në faqet kryesore të çdo gazete apo agjenci lajmesh. Në vitin 1941, pasi kishte udhëtuar nga Franca drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu arratisur persekutimit nazist, ai kaloi pak kohë në Princeton, ku i realizoi një sërë fotosh Albert Einstein, fotografi të cilat i konsideronte si të preferuarat e tij. Po ashtu, ai ka fotografuar edhe personazhe të tjerë të shquar, mes të cilëve Roosevelt e Churchill, aktoren Marlene Dietrich ulur në një restorant në Paris, apo çaste nga jeta e përditshme dhe ajo kulturore në vende të ndryshme ku ai shkoi. Fotoreporteri Lucien Aigner lindi në Hungari, në vitin 1901. Për herë të parë ai e mori aparatin në dorë në moshën 9-vjeçare, duke fotografuar anëtarët e familjes. Në moshën 25-vjeçare, ai nis punë si fotoreporter në "Az Est", një gazetë e njohur hungareze me seli në Budapest. Këto janë kohët kur fotografia fillon të mos jetë më thjesht një shkrepje, por një mënyrë për të depërtuar më thellë brenda saj. Nga Parisi, Aigner do të punonte si korrespodent për "London General Press", e më pas do të transferohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë të shumtë që e konsiderojnë Aigner-in si pionierin e parë dhe të vërtetë të fotografisë gazetareske në botë. Ai ndërroi jetë në moshën 97-vjeçare, më 29 mars të vitit 1999.