Nadine Gordimer dhe Afrika e Jugut

Kur ke fituar gjithçka, kur ke realizuar ëndrrën e jetës tënde, edhe pse nuk i ngjan asaj që ke imagjinuar, çfarë të mbetet të bësh tjetër? “Të rezistosh”, përgjigjet pa hezituar Nadine Gordimer. “Rezistuam gjatë viteve të Aparteidit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe tani”. Fituesja e çmimit “Nobel” për letërsinë, rrëfehet për librin e saj të ri “No Time Like The Present”, romani që “vlen një jetë”. Në të tregohet historia e Steven Reed, me prejardhje hebreje dhe e Jabulile Gumede, vajzë me ngjyrë, bijë e një pastori, të cilët ishin martuar në fshehtësi ndërsa luftonin kundër Aparteidit; ndërkohë që tani luftojnë për të shijuar normalitetin e Afrikës së Jugut të çliruar, madje mendojnë të emigrojnë në Australi. “Libri flet për një histori dashurie. Tregon rrugëtimin e një çifti, përmes vështirësive që ndeshin kur kalojnë nga një jetë e jashtëzakonshme në normalitet”.
A nuk është gjithashtu një metaforë për Afrikën e Jugut të ditëve të sotme?
Sigurisht, edhe pse nuk e kisha menduar si një roman politik.
Po ju, a keni menduar ndonjëherë të emigroni?
Jo, kurrë. U kam rezistuar vështirësive të Aparteidit, do t’i rezistoj zhgënjimit të ditëve të sotme, për të ndryshuar gjërat.
Jeni e zhgënjyer?
Të gjithë jemi. Është normale që të shpresojmë në diçka më të mirë.
Afrika e Jugut është kthyer në një gjendje emergjence?
Jo si në epokën e Aparteidit, sepse tani kemi një Kushtetutë, shtetin e së drejtës dhe më shumë liri. Por do të tregohesha hipokrite po t’i fshihja problemet, siç është papunësia që ka arritur në 25%, dallimi mes të varfërve dhe të pasurve, tensionet mbi emigracionin, krimi, etj.
Përse jeni katandisur kështu?
Ndërsa luftonin për liri, Steven e Jabulile nuk kishin kohë të mendonin se si do të ishin jetët e tyre, pasi të kishin arritur qëllimin që i kishin vënë vetes. Kështu edhe Afrika e Jugut, ndërsa luftonte kundër Aparteidit, nuk mund t’i parashikonte nevojat për t’i bërë ballë emergjencave të tre milionë emigrantëve që vinin nga një vend i dështuar si Zimbabve. Megjithatë, mendoj se duhej të përgatiteshim më mirë, por as kjo nuk u bë.
Çfarë ju ka zhgënjyer më shumë?
Korrupsioni i Presidentit Zuma dhe shumë të tjerëve. E kuptoj që kanë vuajtur në vitet e luftës dhe të gjithë duan një jetë më të mirë, por nuk e prisja që luksi dhe shpenzimet e mëdha të ishin kaq të rëndësishme sa t’i shndërronin në materialistë.
A e rrezikon Kongresi Kombëtar Afrikan humbjen e lidershipit të vendit?
Kjo do të ishte një tragjedi. Uroj që të mos ndodhë, edhe pse mendoj se partitë opozitare nuk janë gati. Gjithsesi në dhjetor do të kemi një kongres të madh për të zgjedhur pasardhësin e Zumas: shpresoj të zgjedhin njeriun e duhur, ndryshe rrezikojnë sërish të gjithë.
Ky është vetëm një problem lidershipi?
Të ecësh në gjurmët e Nelson Mandelas nuk është e lehtë, madje unë prisja një rënie të menaxhimit në këtë drejtim. Megjithatë, mendoj se duhen vënë në punë me nxitim reformat për të cilat vendi ka nevojë.
Ju çfarë do të dëshironit?
Unë mendoj se gjithçka duhet të nisë nga varfëria, nga premtimi i munguar për t’i dhënë secilit një mundësi të barabartë. Kur nuk ke për të ngrënë, kur duhet të luftosh për mbijetesën, gjithçka bëhet më e vështirë dhe e dhunshme.
Si luftohet varfëria në Afrikën e Jugut?
Fillimisht duhet eliminuar korrupsioni, sepse të shohësh liderët e vjetër revolucionarë të cilët lundrojnë në luks, kjo gjë nuk e ndihmon vendin. Pastaj u duhet dhënë një mundësi të gjithëve: në planin ligjor ekziston barazia gjinore, por nëse nuk ka një sistem shkollor të përshtatshëm për të rritur çdo segment të popullsisë, problemi nuk zgjidhet. Veç të tjerash, kemi nevojë për punonjës të kualifikuar, që të rrisim ekonominë tonë.
Në vitin 2006 ju u sulmuat nga disa grabitës në shtëpinë tuaj: si mendoni, nga se nxitet ky shpërthim i kriminalistikës?
Po jua përsëris edhe një herë, nga varfëria. Është një problem që mund të zgjidhet, vetëm duke hapur vende të reja pune, jo duke ndërtuar burgje.
Edhe miliona emigrantët që vijnë nga Zimbabve dhe vende të tjera afrikane janë një emergjencë, por ju nuk doni të përdorni fjalën “ksenofobi” për të përshkruar reagimin e afrikanëve të jugut. Përse?
Është gabim të flasësh për fobi ndaj të huajve, sepse nuk ndryshojmë nga ata. Emigrantët që shkaktojnë aq shumë tension, duke u marrë punën afrikanëve të jugut, vijnë nga kontinenti ynë, kanë të njëjtën ngjyrë lëkure dhe fatkeqësisht mbajnë mbi shpatulla të njëjtin problem që tani na kërcënon edhe ne: shtete të dështuara, të paafta për të garantuar mbijetesën. Çuditërisht janë ngjashmëritë që na largojnë, jo dallimet.
Në romanin e fundit, personazhi Steven është hebre ndërsa Jabulile e krishterë: tani përveç ngjyrës së lëkurës, ju ndan edhe besimi?
Besimi i tyre i përbashkët ishte liria. Ai ka dështuar dhe vendi nuk do të rregullohet, nëse nuk gjejmë mënyrën për të mbajtur premtimet e revolucionit.
Ju jeni 88 vjeçe dhe flisni për rezistencën. Ku e gjeni forcën?
Kjo është jeta ime. Ne e kemi fituar pavarësinë prej 19 vjetësh, as një brez. Gjithçka e kemi nisur pa institucione demokratike, pa kulturë, me një popullsi të zezë të braktisur dhe tejet të prapambetur. Nuk kishte logjikë që të prisnim ndonjë sukses të madh, apo ndonjë mundësi të barabartë për të gjithë në një kohë kaq të shkurtër. Edhe ju europianët jeni zhytur në korrupsion dhe në krizë ekonomike. Nuk dua të dukem mendjemadhe, por kam arsyet e mia për të rezistuar. Do të shpresoj deri në fund se vendi do të rregullohet.