E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, kyçi i sigurisë në Ballkan

Kosova ka rëndësi kyçe për sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit. Këtë e tha ministri bullgar i punëve të jashtme, Nikollaj Mlladenov pas takimit të tij me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi në Sofje.

Gjatë kohës së takimit u diskutua bashkëpunimi mes Bullgarisë dhe Kosovës në fusha të ndryshme.

Ministri bullgar ka shprehur angazhim për thellimin e bashkëpunimit për krijimin e “Kosovës demokratike, stabile dhe multietnike”, që sipas tij është me rëndësi kyçe për vendet e regjionit.

Aderimi i Kosovës ndaj familjes euroatlantike është me rëndësi të madhe. Në Ballkan nuk duhet të ngelet vend i cili të mos jetë i integruar në BE, tha ministri bullgar, i cili shprehu kënaqësi nga angazhimet e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Gjatë kohës së takimit u diskutua edhe vizita e ardhshme e kryeministrit Thaçi në Bullgari gjatë pranverës. Data e vizitës nuk është caktuar.

Bukoshi deklaroi se aktualisht Kosova qëndron para shumë sfidave dhe vuri në dukje se këto do të kapërcehen me ndihmën e Bullgarisë. “Jam i bindur se bashkëpunimi me Bullgarinë nuk është vetëm kurtuazi diplomatike. Ai duhet të zhvillohet në të gjitha fushat”, deklaroi Bukoshi. Ai e falënderoi Bullgarinë për ndihmën e saj në përforcimin e shtetit më të ri në Evropë dhe shprehu kënaqësi, se Bullgaria si anëtare e BE-së dhe NATO-s ka gatishmëri ta ndihmojë Kosovën për të mos mbetur ajo “një gropë e zezë” në integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›