E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Nafta Virgin’, Prokuroria jep pretencën për 12 të pandehurit

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka dhënë sot pretencën për 12 të pandehurit e dosjes së naftës ‘Virgin’. Organi kryesor i akuzës kërkon për biznesmenin Iljaz Fisheku 4 vite burg për mashtrim në bashkëpunim,  për të pandehurin Edmond Ferraj 2 vite burg, ndërsa për Arjan Dacin, i akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit te dokumentave” është kërkuar dënim me 1.6 vite burg dhe një gjobë prej 500 mijë lekë. Për të akuzuarit e tjerë Prokuroria ka kërkuar dënime me nga 6 muaj burg secili.

Në seancën gjyqësore të 29 shkurtit të pandehurit kërkuan gjykim të shkurtuar duke pranuar në këtë mënyrë të gjitha aktet që ndodhen në dosjen voluminoze të Prokurorisë. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës më 28 mars vendosi që biznesmeni Hajri Elezaj, administrator i "Euroil" sh.a, i cili ndodhet në kërkim ndërkombëtar të gjykohet në një proces të ndarë me të pandehurit Bledar Rama dhe ky në kërkim, si dhe Dashamir Kasaj. Elezaj dhe dy të pandehurit e tjerë nuk i kanë pranuar akuzat e Prokurorisë, ndaj për pasojë gjykimi tyre do të vazhdojë me procedurë normale.

Biznesmeni Hajri Elezaj tashmë në kërkim dhe 15 të akuzuarit e tjerë, dyshohen për akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale të moskallëzimit të krimit apo mashtrimit. Hetimi për skandalin e naftës nisi pas denoncimit që bëri ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti. Akuza zbuloi se nafta bruto deklarohej si e eksportuar jashtë vendit, në një kohë që shitej në kundërshtim me ligjin në tregun vendas në dëm të interesave të konsumatorëve.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›