Nafta, çmimet e larta do të vazhdojnë, pavarësisht se në bursë kanë rënë me 15%
Kërkesa për naftë në Shqipëri është rritur me rreth 1,5 për qind gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që importet e karburanteve janë rritur me mbi 30 për qind. Të dhëna nga importuesit e mëdhenj të karburanteve bëjnë me dije se kjo sasi e madhe importesh është bërë për shkak të krizës së çmimeve të karburanteve. Importuesit, duke parë që çmimet e karburanteve rriteshin përditë, kanë shtuar importet në sasi të mëdha, duke rritur në maksimum të gjitha rezervat dhe tashmë që çmimet e karburanteve në bursat ndërkombëtare po bien me nga 5 dollarë në ditë, në Shqipëri as që bëhet fjalë për ulje të çmimeve të naftës. Të dhënat bëjnë me dije se kjo gjendje do të vazhdojë gjatë, pasi importuesit e kanë blerë naftën me çmimet të larta. Veç kësaj Shqipëria ka edhe një veçori tjetër shumë të habitshme në lidhje me çmimet e karburanteve. Që prej vitit 2002 çmimet e karburanteve në Shqipëri janë rritur me 140 për qind, ndërkohë që në tregun e huaj që prej asaj kohe çmimet janë me 80 për qind. Në tregun e huaj çmimet gjatë kësaj kohe, 2002-2008, kanë njohur edhe ulje, ndërkohë që në tregun shqiptar çmimet e naftës nuk kanë njohur kurrë ulje. Në rast se në Shqipëri kapet një çmim i caktuar i karburanteve, atëherë ai nuk bie më, pavarësisht asaj që ndodh me çmimet e karburanteve në tregun ndërkombëtar, pavarësisht se çmimet atje mund të bien në mënyrë të dukshme, si edhe këto ditë, ku një fuçi naftë ka rënë me 15 për qind. Edhe në krahasim me vendet e rajonit Shqipëria ruan vendin e parë për çmimet e karburanteve dhe për mënyrën se si lëvizin çmimet. Në fakt, karburantet në Shqipëri këtë sjellje e kanë prej vitesh dhe shpresa se blerja e ARMO-s nga nja kompani e madhe e huaj do të mund të ndryshonte këtë gjendje, duket shumë e largët. Nuk është e qartë ende, nëse blerësi i ARMO-s do të investojë sasinë e parave prej mbi 240 milionë eurosh që parashikon kontrata dhe nuk është e qartë, nëse ARMO e re do të prishë këtë sjellje të tregut ndaj çmimeve të karburanteve. Fakti që importuesit shqiptarë kanë importuar sasi të mëdha karburantesh dhe kjo do të bëjë që çmimet të jenë po aq të larta sa edhe më parë, tregon për mosfleksibilitetin e këtij tregu dhe për infrastrukturën shumë të dobët të importit të naftës, depozitimit dhe të tregtimit të saj.