Ndryshimet ne qeveri, pazare politiko-familjare
Nga Urim Kola
Kompozimet e kabineteve qeverisëse shumëpartiake në Shqipëri, qysh në vitin 1991, asnjëherë nuk janë bazuar në aftësitë, kualifikimet profesionale të ministrave dhe në prurjet apo profilizimet programore të subjekteve pjesëmarrëse, por thjesht në voluntarizmin e të mandatuarve si kryeministra, në produktet e kulisave partiake, në synimet për akaparimin e posteve ministrore, jo sipas profesioneve, por sipas interesave personale apo të grupimeve klanore e politike.
Pikërisht kjo ka qenë edhe arsyeja përse, parti që pretendonin se kishin si shtyllë programore probleme të caktuara specifike e prioritare për zgjidhje, as që mundën të ndikonin në formulimin e programeve qeverisëse në vartësi të prioritetit programor apo sektorëve për të cilët pretendonin se kishin kapacitete dhe vizion për t’i zgjidhur apo mbuluar... Por as që mundën edhe t’i afroheshin dikasterit ku mëtonin të kontribuonin maksimalisht, bazuar edhe në thelbin e premtimeve gjatë fushatave zgjedhore.
Kësisoj, gradualisht në Shqipëri u krijua tradita e të mëkuarit të partive politike në përputhje me preferencat personale apo postet e pa mëtuara apo të pa rivalizuara nga liderët e partisë kryesore qeverisëse, sesa nga nevojat e kabinetit qeverisës për ideimin dhe zbatimin e reformave që buronin nga programet specifike partiake. Aq më tepër kur vendi kish nevojë më shumë se kurrë për reforma prioritare dhe drejtim dikasterial me kualitetet të lartë, deri në nivel ekspertize në fushën përkatëse.
Kjo traditë e mbrapshtë e mospërputhjeve midis objektivave qeverisëse, posteve dhe titullarëve, vijoi të konsolidohej edhe pas fitores së PD dhe aleatëve të saj pas 3 korrikut 2005, teksa kabineti i ri me në krye Berishën u kompozua si një strukturë e ekuilibruar thjesht politikisht, me një “menu” të formuluar sipas shijeve të klientelë-partive aleate dhe interesave të tyre elektorale. Tamam si në një restorant politik, ku kryeministri mori pozicionin e kryekuzhinierit që gatuan sipas porosive të klientelës, për ta joshur atë që të mos shkojë tek fqinjët.
Pikërisht kjo mënyrë e konceptimit të ekipit qeverisës, paragjykoi që në fillim rezultatet dikasteriale, por edhe fatin e ekuilibreve të shprishur e të rikrijuar papra.
Madje kjo menu që krijonte shije dhe orekse të ndryshuara, u bë shkas për shprishje formacionesh politike dhe rikrijim partish e grupesh parlamentare në vartësi të “ndjeshmërisë së kryekuzhinierit” ndaj fluksit të kërkesave të klientelës dhe panikut për largimin e saj...
Shembulli më tipik i kësaj tendence dhe sensibiliteti të shtuar të një koalicioni të frustruar nga paniku i shpërbërjes, ishte prishja e grupit parlamentar të PDr, apo fraksionimi i grupit parlamentar socialist, dhe krijimi i një grupimi stërmadh të PDK me kryetar të ri nënkryetarin e partisë së shkërmoqur... Grupim ky që profilizoi edhe kërkesën imponuese për marrjen e dikasterit ku ishin fokusuar dhe ngjizur interesat private të bizneseve të deputetëve “rebelë” të larguar nga partitë, të cilave gjatë fushatës zgjedhore u kishin marrë targat dhe votat e elektoratit.
Nisur nga rezultatet fiktive që nuk përfaqësonin aspak mbështetjen elektorale, krerët e partive aleate minore e të riformatuara, që kryesisht u bënë ministra, synuan që nëpërmjet institucioneve shtetërore të linjës së vartësisë nga dikasteret që shtinë në dorë, të rekrutonin njerëz të rinj, kryesisht nga kontigjentet e pakënaqura të partisë më të madhe PD, apo nga arrivistët e takëmeve pranë kryetarëve. Liderë këta që, me këtë rast, me anë të mekanizmit të kooptimit, jo vetëm fabrikuan “zyrtarë të shquar”, por edhe krerë të po këtij formati, në lidershipet e rikompozuara.
Edhe ndryshimet qeverisëse të kabinetit “Berisha 2”, më shumë synuan të mëkuarit me racion të shtuar të kryepartiakëve të mëparshëm apo të porsaemëruar në krye të dikastereve, sesa pikasjen apo shfrytëzimin e aftësive të ministrave për të ideuar dhe zbatuar reforma strukturore. Reforma këto që u zëvendësuan me listimin e firmave dhe kompanive pretendente të porosive shtetërore me fondet e dikastereve ku ministra ishin kryepartiakët, ndërsa fitues tenderash ishin liderët dhe deputetët biznesmenë... Skemë kjo që u pasua nga akuzat për korrupsion dhe klientelizëm politik.
Të vetmet “reforma” në këto dikastere parcela politike të aleatëve minorë, ishin ndryshimet në organigramën e niveleve drejtuese më të larta, ku u shfaqën një numër i konsiderueshëm titullarësh të rinj, që nuk përfaqësonin kurrfarë autoriteti profesional, përveçse lidershipin e radhës të partive që ishin pronësuar me feude politike, sipas shijeve dhe preferencave politike e klanore të liderëve të rinj.
Pas këtyre arnimeve pa sens, natyrisht që opozita, dhe kryesisht PS, (që për shkak të potencialeve intelektuale dhe profesionale të konsiderueshme kish mundur të krijonte struktura të kryesuara nga specialistë të fushave), gjatë enciklikave në bazë lëshoi një pafundësi akuzash për “paaftësi dhe deformim të konceptit të reformave nga titullarët dhe dikasteret”.
Por habitshëm, këtyre sulmeve të kalkuluara dhe me theks të fortë profesional e programor, (madje në vartësi të prioriteteve konkrete dhe të artikuluara si premtime nga maxhoranca), askush nga titullarët kryepartiakë të dikastereve nuk denjoi t’u përgjigjej në mediat e shkruara, vizive, apo në konferencat e shtypit.
Në betejën e deklaratave nëpër selitë, strukturat apo në bazë, askush nga ministrat kryepartiakë nuk denjoi të mbronte vetveten, partitë apo ekipin qeverisës në rrafshet politiko-programore, individuale apo dikasteriale, për të mundur të justifikohen para qeverisë dhe kryeministrit si “skifterë që e meritonin postin e dhënë”.
Në vend të kësaj praktike politike, (të përhapur gjerësisht në vendet demokratike, kryesisht në Britani, ku ministrat “hije”, të përzgjedhur kryesisht midis autoriteteve profesionale të fushës, apo midis formuluesve të programeve dhe reformatorëve më të spikatur), u krijua stereotipi politik i heshtjes së pakuptimtë, apo i përgjigjes kuturu me anë të zëdhënëseve të reja, që më shumë të kujtonin sekretare dhe spikere lajmesh, sesa eksperte që mund të përballonin pyetje të vështira apo komente profesionale.
Negociatat aktuale midis kryeministrit dhe ekipit republikan për sigurimin e portofoleve të reja pas dorëheqjes së ish ministrit të Mbrojtjes, tashmë u kurorëzuan nëpërmjet pazaresh politike e familjare, ku interesave të drejtpërdrejta të hierarkimit të anëtarëve të familjes, u mbivendoset paniku dhe synimi për fatet e mëtejshme politike dhe elektorale të kësaj partie vitin e ardhshëm.
Tashmë republikanët, të cilët e patën të vështirë të shtonin elektoratin me ushtarakët e ish dikasterit të Mediut, kanë konkluduar se një dikaster me peshë, fonde dhe ndikim të konsiderueshëm në shëndetin biologjik, mendor dhe psikologjinë e shqiptarëve, do të ishte përcaktues për fatet e rrezikuara të kësaj partie, pas tragjedisë së Gërdecit.
Vendosja e negociatave midis Berishës dhe PR në këtë rrafsh interesash, e komprometon rëndë moralisht qeverisjen aktuale, dhe padyshim, për shkak të përplasjes së interesave me kryepartiakët e tjerë të minoreneve të koalicionit qeverisës, do të krijojë të çara që nuk do të mund të mbulohen nga mballomat propagandistike vijuese.
Ndryshimi i pritshëm i stafit drejtues të ministrisë së Shëndetësisë, tashmë në funksion të reformës me afat 1 vjeçar të një profesionisteje me tituj shkencorë dhe ripozicionimit politik e administrativ të lidershipit republikan, padyshim që do të spostojë lidershipin e punësuar në këtë dikaster nga një forcë rivale të mbetur tashmë vetëm me 11 anëtarë të kryesisë së vjetër, pasi 12 të tjerët prej dy muajsh janë pozicionuar përreth Gurakuqit dhe Zef Bushatit.
Në këto kushte, zv/shefi i diplomacisë ende në detyrë, padyshim që do të kundrohet si antipodi politik i mbështetur nga kryeministri, ndaj Ndokës së mbetur pa dikaster pas rrokadës së realizuar po nga Berisha.
Lëvizja e fundit e kryeministrit, më shumë i ngjan disbalancimit nga jashtë të ekuilibreve të prishura midis midis tre fraksioneve demokristiane dhe rehabilitimit politik të republikanëve, sesa nevojës për reformë në dikasterin aq të përfolur që mbulon profesionin dhe diplomën e kreut të qeverisë.
Kësisoj ekuilibret politike brenda maxhorancës ka gjasë të rrezikohen qysh tash, për t’u thërrmuar gjatë vapës dhe për t’u kulmuar në shtator, në sesionin e ri parlamentar, ku opozita do të ndjehet e favorizuar nga përplasjet e interesave brenda kampit kundërshtar.
Në këto kushte, e vetmja zgjidhje oportune duket shtimi i dikastereve të “qeverisë së zvogëluar dhe në dietë”, ku sërish riparcelizimi do të shkaktojë ripërplasje të pronarëve të tufave, për kullota politike verore e dimërore, të zgjedhura.
Kjo përplasje ka gjasë të vendosë përballë partinë 22 përqindëshe republikane, me partinë e re demokristiane, grupi parlamentar i së cilës ndjehet më i rritur dhe i irrituar, në raport me grupin republikan të tejmbushur me demokratikes të urtë e të bindur, që në këtë përplasje nuk shohin kurrfarë interesash personale apo të partisë mëmë, përveçse andrallave të kryetar-“arbitrit” Berisha, që nuk po di kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë.
Tashmë janë rritur gjasat që skemat e plakut Godo të përplasen me ambiciet dhe megallomaninë e “aleatëve të Pierferdinando Kazinit”, të akuzuar si grabitës vulash, selie, sigle dhe konvencionesh politike nga një zv/ministër i stigmatizuar si “kontingjent kriminal” i Policisë së Shtetit.
Thënë ndryshe, fatet e maxhorancës në mes të verës dhe temperaturave të larta të erërave afrikane, mbeten zbuluar pavarësisht mballomave dhe cilësisë së arnimit, të bluara nga dhëmballët e gojëve të unshme për pushtete, elektorate ofiqe e llokma, aktuale e perspektive.
23 Korrik 2008