E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Rojet hoqën njerëzit tanë kur po raportonte Ina Rama

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, i ka dërguar një letër kryeparlamentares Topalli ku ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me largimin nga lozheja kryesore e përfaqësuesit të misionit të tij diplomatik. 

BLEDAR HOTI

Në letrën drejtuar Topallit theksohet se, është e qenësishme prania e OSBE-së në seancat parlamentare, si pjesë e misionit të tij të mandatuar në Shqipëri. “Unë shpreh pakënaqësinë se përfaqësuesit nga OSBE-ja, ambasadës amerikane dhe diplomatë të tjerë të huaj të akredituar në Shqipëri u nxorën jashtë nga zona e ulëseve diplomatike të Parlamentit, vetëm pak para se Prokurorja e Përgjithshme, Rama, të shpërndante raportin e saj vjetor në Parlament mbi aktivitetin e zyrës së saj. E njëjta gjë ndodhi natën e kaluar, kur përfaqësuesit tim iu kërkua të largohej, edhe pse të gjitha kabinat (lozhat) ishin bosh”, shkruan Bosch. Në letrën e tij ambasadori shprehet se, “pjesëmarrja jonë në procedimet e Parlamentit është një demonstrim esencial i angazhimit dhe interesit të qëndrueshëm të procesit parlamentar. Prania jonë nuk ka vetëm qëllime informimi, por është rezultati i drejtpërdrejtë i mandatit tonë”. Ambasadori në të njëjtën kohë ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mënyrën se si sillen punonjësit e Kuvendit, si dhe të sigurisë së brendshme kur të pranishëm janë të huajt, titullarë të ambasadave të huaja. “Zonja Kryetare, besoj se kjo është e gjitha një keqkuptim i madh dhe se ju do t’i instruktoni rojat t’i lënë stafet diplomatike të qetë. U takon krerëve të misioneve të vendosin se cilin do të mandatojnë për t’i përfaqësuar. Në rast të mungesës së hapësirës ata do të bëjnë vend për zyrtarët e lartë të ambasadës”, shton Bosch më pas në letrën e tij. Bosch në të njëjtën kohë ka mbështetur edhe qëndrimin e ambasadorit amerikan Withers për incidentin e ndodhur në seancën e 17 korrikut.

Letra e ambasadorit të OSBE-së

E nderuara Kryetare Topalli
 
Duke u bazuar në përmbajtjen e letrës së djeshme të ambasadorit amerikan, Withers, edhe unë shpreh pakënaqësinë se përfaqësuesit nga OSBE, ambasadës amerikane dhe diplomatë të tjerë të huaj të akredituar në Shqipëri, u nxorën jashtë nga zona e ulëseve diplomatike të Parlamentit vetëm pak para se Prokurorja e Përgjithshme, Rama, të shpërndante raportin e saj vjetor në Parlament mbi aktivitetin e zyrës së saj. E njëjta gjë ndodhi natën e kaluar, kur përfaqësuesit tim iu kërkua të largohej, edhe pse të gjitha kabinat (lozhat) ishin bosh.
 
Pjesëmarrja jonë në procedimet e Parlamentit është një demonstrim esencial i angazhimit dhe interesit të qëndrueshëm të procesit parlamentar. Prania jonë nuk ka vetëm qëllime informimi, por është rezultati i drejtpërdrejtë i mandatit tonë.
 
Unë përputhem me shkrimin e ambasadorit Withers, ku ai shkruan “Dëbimi i stafit tim nga vendet e rezervuara ngre pyetje serioze mbi angazhimin e Parlamentit jo vetëm për hapjen dhe transparencën, por edhe për partneritetin tonë në këtë orvatje të rëndësishme. Unë mbetem shumë i shqetësuar nga ky veprim dhe nga pengesat në rrije që stafi im dhe ai i misioneve të tjera të huaja po has për hyrjen në sesionet e Parlamentit”.
 
Zonja Kryetare, besoj se kjo është e gjitha një keqkuptim i madh dhe se ju do t’i instruktoni rojat t’i lënë stafet diplomatike të qetë. U takon krerëve të misioneve të vendosin se cilin do të mandatojnë për t’i përfaqësuar. Në rast të mungesës së hapësirës ata do të bëjnë vend për zyrtarët e lartë të ambasadës.
 
Me shprehje të respektit më të lartë
 Robert Bosch

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›