Femrat më të rrezikuara nga kanceri i gjirit
Jonida Tashi
Një femër, ndër pesë gra preket nga një tumor i gjinjve, prej të cilëve 2/3 e rasteve janë beninje. Duhet të mjekohen patjetër nëse diagnostifikohet ndonjë formë e tyre si formacionet cistike, ato duhet të operohen, pasi në të kundërtën mund të kalojnë në tumor malinjë. Nga të gjitha sëmundjet malinje te femrat, së bashku me karcinomin e qafës së mitrës karcinomi i gjinjve është ndër më të shpeshtit. Gjatë jetës, 2-3 për qind të grave sëmuren nga karcinomi i gjirit. Nga të gjitha sëmundjet malinje 20-25 për qind të tyre i takon karcinomës së gjirit, ndërsa nga numri i vdekjeve nga sëmundjet malinje deri në 20 për qind të grave vdesin nga karcinomi i gjirit. Kjo sëmundje sot falë mundësive diagnostikuese, disiplinës dhe edukatës shëndetësore të vetë grave mund të zbulohet shumë herët. Nga karcinomi i gjirit femra mund të sëmuret nga rinia e hershme e deri në fund të jetës së saj. Mosha më e shpeshtë kur sëmuren femrat është nga mosha 40 deri në moshën 75 vjeçare. Sëmurën edhe meshkujt, por sëmundja te burrat është mjaft e rrallë. Marrëdhëniet e paraqitjes së karcinomit të gjirit të burrat dhe gratë është 99:1 në favor të grave.
Shkaku
Etilogjia (shkaku) e sëmundjes nuk dihet. Mirëpo, ka mjaft studime që flasin për disa faktorë të cilët e favorizojnë si dhe disa të tjerë të cilët e mbrojnë femrën nga paraqitja e kësaj sëmundje të rrezikshme. Faktorë kyçë janë hormonet seksuale të vezoreve sidomos estrogjenet. Karcinomi i gjirit nuk është sëmundje ngjitëse. Nuk mund të thuhet me siguri se a është sëmundja trashëguese apo jo. Ka të dhëna se sëmundja është paraqitur te disa gjenerata të gruas së sëmurë si gjyshja, nëna, e bija, motra. Nëse gjirin e ndajmë në katër pjese atëherë në 1/4 e jashtme të sipërme në afër 48 të rasteve paraqitet më shpesh karcinomi i gjirit, pastaj vjen 1/4 e sipërme e brendshme me 15 për qind, 1/4 e poshtme e jashtme me 11 për qind dhe më pak karcinomi i gjirit lokalizohet në 1/4 e poshtme të brendshme 6 për qind. Përreth thithit-areoles në 17 për qind dhe multifolikular-në shumë vende 3 për qind.
Shenjat
Faza e fillimit të paraqitjes së karcinomit të gjirit nuk ka ndonjë shenjë karakteristike. Shpesh ndodh që gruaja vetë të zbulojë, prek disa ndryshime në gjinj në formë të formacioneve të forta nyjesh. Këto zbulohen zakonisht gjatë larjes së trupit. Mirëpo janë bërë studime edhe te popujt më të ngritur në kuptim të edukatës shëndetësore, dhe se nga koha e prekjes së këtyre ndryshimeve e deri te paraqitja te mjeku së paku kalon 7-12 muaj. Sigurisht te populli ynë kjo është edhe më e vonuar për shkak të edukimit shëndetësor të pamjaftuar. Në fillim këto nyje, të cilat preken janë të veçuara dhe të lira por me kalimin e kohës këto bashkohen me indin për rreth dhe më nuk janë të lira. Në disa raste hasen ndryshime në thitha (ato futen brenda) ose paraqitet skuqje apo trashje e lëkurës së gjirit. Në disa raste paraqitet rrjedhje e lëngut të përzier me gjak nga gjiri. Në fillim procesi i karcinomit të gjirit përhapet në tërë gjirin në drejtim të kraharorit dhe lëkurës ashtu që lëkura e gjirit merr një dukje si lëvorja e portokallit. Sëmundja mund të përhapet edhe me anë të gjakut në organe tjera si: vezore deri në 30 për qind të rasteve, unaza të boshtit kurrizor, mushkëri, mëlçi, tru, etj.
Diagnoza
Për diagnozë të karcinomit të gjirit duhet të merret anamneza mirë, ajo familjare dhe personale, të vështrohen gjinjtë, preken-palpohen. Nga analizat duhet të bëhet: kontrolli me ultratingull sidomos te femrat e reja, mamografia-kontrolli me rëntgen dhe analiza citologjike e aspiratit të marrur me gjilpërë. Më së miri është që kontrolli me ultratingull ose me rëntgen-mamografi duhet të bëhet në fazën e parë të ciklit menstrual, pra menjëherë pas menstruacioneve gjegjësisht nga dita e 4 deri në ditën e 10 të ciklit menstrual. Mjekimi për këtë sëmundje kryhet në institucione të specializuara. Rezultatet varen nga koha e zbulimit. Nëse zbulohet me kohë atëherë kohëzgjatja e jetës mund të arrihet deri në 20 vjet. Mjekimi kryhet me rrugë operative dhe pastaj vazhdohet me rrezatim. Mjekimi pesëvjeçar është në 80-90 për qind të rasteve të zbuluara herët, ku gjëndrat limfatike regjionale nuk janë prekur.
Sëmundjet
Gjinjtë janë gjëndra qumështi dhe ky është funksioni fiziologjik dhe kryesor i tyre. Mirëpo, përveç këtij funksioni, ato paraqesin një ndryshim anatomik që e karakterizon bukurinë e femrës. Si çdo organ i organizmit të njeriut që mund t’i nënshtrohet proceseve patologjike, edhe gjinjtë e kanë këtë mundësi. Sëmundjet e gjinjve ndahen në: sëmundje inflamatore (pezmatime) dhe procese tumoroze. Procesi i inflamacionit (pezmatimit) mund ta përfshijë tërë indin e gjirit (mastitis) ose thelbin e gjirit (thelitis). Në mbi 90 për qind të rasteve shkaktarët e infeksionit vijnë nga jashtë, sidomos gjatë periudhës së lehonisë. Shkaktar më të shpeshtë janë: stafilokoket dhe streptokokët. Këto pezmatime paraqiten në fund të javës së parë të lehonisë.
Mastopatia
Kjo është një sëmundje e gjinjve e cila ka shumë emra si: fibrosa cystica, masthopathia chronica, adenosis, fibroadenomatosis etj. Manifestohet me një hiperplazion (rritje) të gjinjve, e cila mund të përcillet me formimin ose jo të cistave në parenkimin e gjinjve. Nuk është sëmundje malinje. Kjo është sëmundje kronike dhe gati 50 për qind e femrave vuajnë nga kjo patologji. Paraqitet te femrat e martuara dhe të pamartuara prej fëmijërisë e deri në pleqëri. Më e shpeshtë është nga mosha 20 deri në fillim të viteve 60-ta të jetës së femrës. Sëmundja manifestohet me dhembje dhe fryrje në njërën ose në të dy gjinjtë. Ankesat janë të lidhura me ciklin menstrual dhe zakonisht paraqiten disa ditë para menstruacioneve ose gjatë gjakderdhjeve menstruale. Në disa raste edhe gjatë ovulacionit. Kur fillojnë menstruacionet, pengesat shpejt pushojnë e ndodh të vazhdojnë deri të kryhen menstruacionet.
Gratë
Gratë vetë palpojnë (prekin) formacione-nyje të forta sidomos në 1/4 e jashtme të gjinjve. Mendohet se shkaktohet nën veprimin e estrogjeneve (hormone seksuale femërore). Mjekim specifik për këtë sëmundje nuk ka, por jepet terapi simptomatike. Mendohet se dhënia e preparateve me progesteron ka veprim të mirë. Kohët e fundit nga studimet që janë bërë është ardhur në përfundim se disa lloje ushqimesh si përdorimi i tepërt i kafesë, çajit të rusit ose Indisë, çokollatës si dhe streset, luajnë rol me rëndësi në paraqitjen gjegjësisht mosparaqitjen e kësaj sëmundje. Duhet pasur kujdes nga se afër 6 për qind të këtyre grave me këtë patologji mund të kalojë në karcinom si dhe kujdesi i kësaj moshe (40-60 vjeç) nga se në këtë moshë paraqitet më së shpeshti karcinomi i gjinjve.
Më të rrezikuarat
Femrat, të cilat nuk kanë lindur, ose kanë pak lindje janë të favorizuara në paraqitjen e kësaj sëmundjeje
Sëmundja më e shpeshtë është te ato gra, tek të cilat menopauza (menstruacioni i fundit) është e vonshme
Gratë, të cilat kanë gjakderdhje të rregullta menstruale deri pas moshës 55 vjeçare, sëmuren nga karcinomi i gjirit 2 herë më shpesh se te ato, të cilat menstruacionet u pushojnë para moshës 45 vjeçe
Mënyra e ushqyeshmërisë, sidomos ushqimi i pasur me yndyra, dhe gratë me peshë të shtuar (majme) sëmuren më shpesh nga karcinomi i gjirit se femrat me peshë normale Edhe femrat, të cilat ngelin shtatzënë për herë të parë pas moshës 30 vjeçare, më shumë mund të paraqitet kjo sëmundje se te ato që nuk kanë lindur dhe ky rrezik vjen duke u rritur sa më në moshë të shtyrë të jetë shtatzënia e parë Disa studime flasin se edhe abortet e shpeshta rrisin rrezikun e paraqitjes së kësaj sëmundjeje
Të rrezikuara janë edhe ato femra që fillojnë të pinë duhan herët, si dhe ato, të cilat pinë më shumë se një paketë brenda ditës
Incidenca e paraqitjes së karcinomit të gjirit është 2-3 herë më e shpeshtë te gratë të cilat në familje (gjyshja, nëna, motra) kanë pasur të sëmurë me karcinom të gjirit, në krahasim me ato gra, të cilat në anamnezën familjare nuk kanë pasur të sëmurë me këtë sëmundje
Më të mbrojturat
Rrezik më të vogël të paraqitjes së karcinomit së gjirit kanë ato femra të cilave u janë larguar vezoret para moshës 40 vjeçare
Rrezik më të vogël nga paraqitja e karcinomit të gjirit te femrat janë edhe menstruacionet e rralla për shkak të shtatzënive, dhënies gji një kohë të gjatë si dhe te ato femra, të cilat ngelin pa menstruacione herët
Edhe shtatzënitë e shpeshta e zvogëlojnë rrezikun nga paraqitja e karcinomit të gjirit te femrat
Ka edhe disa të dhëna se shtatzënia para moshës 25 vjeçe e zvogëlon mundësinë e paraqitjes së karcinomit të gjirit Gratë, të cilat kanë lindur para moshës 18 vjeçare kanë vetëm 1/3 e rrezikut për t’u prekur nga kjo sëmundje, në krahasim me gratë, të cilat për herë të parë kanë lindur pas moshës 35 vjeçare
Të rejat nga shkenca/ Studimi, kur ushqeheni ngadalë merrni më pak kalori
Duket se të ngrënit në mënyrë të ngadalshme është metoda më e thjeshtë për humbjen e peshës. Studimet e fundit kanë treguar se të ushqyerit e ngadalshëm si dhe përtypja e mirë e ushqimit, i ulin kaloritë e përgjithshme të futura me anë të ushqimit. Gjatë këtij studimi, 30 gra kanë ngrënë pasta me djathë dhe domate për drekë, dhe njëri grup ka ngrënë ngadalë, ndërsa grupi tjetër i të hulumtuarve e kanë ngrënë ushqimin menjëherë. Rezultatet kanë treguar se me anë të përtypjes së ngadalshme të secilës kafshatë, nga 20 deri në 30 herë, merrni rreth 70 kalori më pak. Arsyeja është se ndjenja e ngopjes vonon një kohë, ashtu që njerëzit të cilët hanë shpejt, nuk mund ta ndjejnë sinjalin e ngopjes.
23 Korrik 2008