Nafta e Albpetrolit, me çmim burse
Produktet e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, do të shiten me çmim burse, duke synuar rritjen e të ardhurave për shoqërinë që është në prag privatizimi. Aktualisht, kompania operon me çmime fikse tepër të ulëta, të cilat vendosen dhe rishikohen me kontratë, ndërsa me rregullin e ri, do t’i shesë sipas çmimit të bursës, që aktualisht është i lartë, rreth 75 dollarë për fuçi. Megjithatë, vendosja sipas kushteve të bursës e bën “Albpetrolin” të jetë në varësi të tregjeve të huaja dhe në rast ulje të çmimit, atëherë edhe kompania është e detyruar t’i përgjigjet sjelljes së tregut ndërkombëtar.
Vendimi është marrë nga qeveria më 16 qershor, me një akt normativ dhe me propozim të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Ndryshimi prek ligjin “Për hidrokarburet”, nenin 12 që flet për kërkimin dhe prodhimin, ku thuhet se “marrëveshja ‘Albpetrol’ lejon kompaninë t’i tregtojë produktet hidrokarbure për tregun vendas apo për eksport sipas çmimit të bursës ndërkombëtare për hidrokarburet”.
Me çmimet aktuale në tregje, fitimet e kompanisë do të ishin të konsiderueshme, për rrjedhojë edhe detyrimet që paguan në shtet në formë taksash do të jenë të larta. Specialistë të fushës shpjegojnë se nisur nga cilësia e naftës vendase, jo i gjithë çmimi në bursë do të merret në konsideratë, por mund të operohet duke vendosur një nivel zbritës fiks për çdo fuqi.
Të dhënat e pesëmujorit tregojnë se kompania po i rrit të ardhurat nga shitja e naftës bruto (të papërpunuar). Vetëm për buxhetin e shtetit, kompania ka derdhur në formë taksash rreth 8 milionë dollarë. Aktualisht ministria e ka nxjerrë në shitje “Albpetrolin”, proces që pritet të mbyllet brenda vitit.
#