Sherr në Komisionin e Ekonomisë për ligjin e kontabilistëve, opozita braktis votimin
Diskutimi i projektligjit për ekspertët kontabël degjeneron në fyerje e sharje mes deputetëve të Komisionit të Ekonomisë. Deputetët e opozitës me anë të Erion Braçes, i kërkuan kryetarit të komisionit të Ekonomisë të marrë opinionin e
Komisionit të Ligjeve në lidhje e dispozitat e këtij drafti pasi sipas tyre shkelet Kushtetuta. Menjëherë ka reaguar deputeti i PD-së Flamur Noka duke e cilësuar si të padrejtë kërkesën e PS-së. Sipas Nokës çdo draft që vjen në komision cilësohet si antikushtetues nga opozita, pasi deputetët e PS-së pasqyrojnë porositë e kryetarit të tyre. Ka ardhur menjëherë reagimi i Braçes duke e cilësuar deklaratën e Nokës si ofendues. Më pas debati ka degjeneruar në fyerje. Flamur Noka kërcënoi Braçen se do ta nxirrte nga veshët jashtë komisionit. Në kundërpërgjigje të ofendimit, deputeti i PS-së paralajmëroi Nokën se në rast se e ofendon edhe një herë duhet të mendohet më parë për kokën e tij. Sherri është shuar vetëm pas largimit të Erion Braçes nga mbledhja e cila është pasuar më pas me largimin e gjithë deputetëve të opozitës. Kryetari i Komisionit me votat e mazhorancës kaloi ndryshimet në draftin për ekspertët kontabël. Në bazë të draftit shkeljet që do të kryejnë ekspertët kontabël do të cilësohen shkelje administrative dhe dënohen me gjobë nga 5 milion deri në 10 milion lekë të reja.
Diskutimet
Miratohet projektligji për auditivin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit të miratuar. Drafti ka kaluar dje në komisionin e Ekonomisë vetëm me votat e mazhorancës, deputetët e të cilës e cilësuar draftin si të plotë dhe të mbështetur në të gjithë kuadrin ligjor. Por nuk kanë qenë në një mendim përfaqësuesit e opozitës. Sipas tyre firmosja e një bilanci të falsifikuar nga një ekspert kontabël përbën vepër penale dhe jo vetëm shkelje administrative. Por cilësimi i saj si vepër penale kërkon ndërhyrje në kodin e procedurës penale, votimi i së cilës kërkon 3/5 në parlament. Për shmangur këto procedura hartuesit e draftit e cilësojnë shkeljen e kontabilistët si shkelje administrative ndërkohë që i lënë rrugën e hapur prokurorisë të nisë hetime. Opozita deklaroi se nuk do të votojë draftin para se të merret mendimi i Komisionit të ligjeve në lidhje me kushtetutshmërinë e tij. Kërkesa nuk është pranuar nga kryetari i komisionit dhe çoi në votim draftin i cili u miratua me votat e mazhorancës.
Projektligji
Ky projektligj parashikon kundravajtjen e administrative të ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël dhe shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar. Në basë të këtij dispozite, ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqërisë audituese, pa qenë regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël si dhe përdorimi i çfarëdo titulli që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 milion deri në 100milion lekë të reja. Dispozita gjithashtu parashikon që vendimi për vendosjen e gjobës të merret nga Bordi Mbikëqyrës Publik. Vendosja e dënimit administrativ, sipas këtij ligji, nuk ndalon paraqitjen e kallëzimit penal në prokurori. Në bazë të neneve 20 dhe 21 të ligjit 10091, datë 5. 3 2009, regjistrimi në regjistrin publik i ekspertëve kontabël dhe i shoqërive audituese është kusht i domosdoshëm për kryerjen e veprimtarisë së auditit ligjor të pasqyrave financiare individuale dhe/ ose të konsoliduara të shoqërive tregtare. Për këtë arsye ushtrimi i paregjistruar i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese për shkak të kundërligjshmërisë dhe rrezikshmërisë shoqërore që paraqet është parashikuar si kundrërvajtje administrative.
Ekspertët kontabël
Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël si dhe përdorimi i çfarëdo titulli që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këtë tituj profesionalë apo emërtime përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 milion deri 10 milion lekë të reja gjobë.
Debati
Erion Braçe
Drafti nuk mund të kalojë pa marrë mendimin nga komisioni i ligjeve, sepse është ky draft është antikushtetues.
Flamur Noka
Për çdo ligj që vjen këtu ju e cilësoni antikushtetues, ju nuk keni punë tjetër një, ne kemi punë dhe nuk mund të rrimë këtu. Ju keni marrë këto urdhra nga kryetari dhe nuk mund të votoni asnjë ligj.
Erion Braçe
Ne nuk kemi ardhur këtu për të dëgjuar ofendime, se si e organizojmë punë ne e dimë ne. Ju shoku Noka bëni kujdes kur të flisni.
Flamur Noka
Unë nuk jam shok, po na voni punë unë ju kap për veshësh dhe ju nxjerr jashtë.
Erion Braçe
Mua nuk më kap asnjëri për veshës dhe ti kur të flasësh herë tjetër për mua mendohu në radhë të parë për kokën tënde
Ornela Manjani